Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të prekurit nga HIV/AIDS u lanë dy vite pa analizën e ngarkesës virale

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel | Tiranë

E.B një foshnje e porsalindur, dyshohet se u infektua me HIV/AIDS në spitalin publik përgjatë vitit 2021, ku ishte i shtruar për ftohje. Që atëherë i mituri filloi të kishte probleme serioze me shëndetin, derisa u zbulua se ai ishte bartës i HIV.  Të dy prindërit e të miturit nuk janë bartës të këtij virusi. Rasti u pranua publikisht edhe nga autoritet shëndetësore, gjatë prezantimit në ditën botërore të HIV/ AIDS më një dhjetor 2022.

I ati i të miturit, F.B. akuzon se ndonëse në spitalin publik i infektuan fëmijën me një sëmundje që do ta përndjekë gjithë jetën, nuk i është ofruar asgjë nga ekzaminimet që ligji ua jep të drejtë t’i përfitojnë falas.

Mes shërbimeve të munguara, është edhe analiza e ngarkesës virale, një ekzaminimin i detyrueshëm i protokollit mjekësor që përcakton stadin e sëmundjes. Analiza mat sasinë e virusit që ndodhet në trup, në bazë të të cilit më pas vendoset edhe terapia që do të ndjekë i sëmuri.

“I kemi bërë të gjitha vetë në privat. Edhe ngarkesën virale e kam bërë në privat dhe më ka kushtuar 150 euro. Vetëm CD4 na kanë bërë.”, – akuzon i ati i të miturit, i cili aktualisht po ndjek trajtimin në Itali me ndihmën e një shoqate.

“E kam ngritur zërin disa herë, jo vetëm për mungesën e analizës së ngarkesës virale, por aty mungon çdo gjë”, – shton më tej ai.

Paradoksalisht, kjo analizë, e cila ofrohej në QSUT që nga viti 2008, u ndërpre në fund të vitit 2020, kur laboratori i spitalit më të rëndësishëm në vend kaloi me koncesion.

Burime konfidenciale thonë se koncesionit laboratori ka pasur përplasje me spitalin. Edhe pse për këtë analizë shteti nuk paguan asgjë, pasi mbulohet nga Fondi Global, u deshën plot dy vite për të gjetur një zgjidhje.

“Mosrealizimi i këtij ekzaminimi ka ardhur për shkak të disa problemeve teknike. Spitali nuk pranonte ta kryente këtë ekzaminim, pasi pretendonte se nuk kanë më laborator dhe nuk mund ta realizonin këtë analizë pasi laboratorët i kanë kaluar privatit. Por në listën e koncesionit, kjo analizë nuk ishte e përfshirë”, – i tha Citizens Channel një burim cili merret prej vitesh është pjesë e hallkave që merren me realizimin e këtij procesi.

Vetë ministria e Shëndetësisë, dha një përgjigje pa përgjigje, duke iu shmangur përgjegjësisë për ngërçin e krijuar për dy vite me radhë.

“Analiza e ngarkesës virale (HIV-ARN) realizohet pranë Institutit të Shëndetit Publik, pra brenda shërbimit publik shëndetësor”, – thotë Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim.

Sipas këtij dikasteri ‘bazuar në reformat nga strukturat shëndetësore” në laboratorin e QSUNT, megjithatë, kryhen “dy analiza mjaft të rëndësishme për sa i përket këtij infeksioni, për diagnostikimin dhe monitorimin e tij, që janë testi serologjik për HIV 1+2 dhe niveli i limfociteve CD4+”.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjes së Citizens Channel mbi kostot që ky ngërç ka krijuar dhe nuk sqaroi nëse ka ndërmarrë politika mbështetëse për të subvencionuar personat që u detyruan ta bëjnë privatisht këtë ekzaminim.

“Kostoja vjetore e ekzaminimeve varion. Ajo është në varësi të frekuencës së realizimit të këtyre analizave, e cila përcaktohet nga protokollet klinike, përgjigja ndaj trajtimeve dhe rregullsia e pacientit në marrjen e tyre dhe gjykimit të klinicistit i cili trajton pacientin”, – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Asnjë përgjegjës për harresën dy-vjeçare të analizës për ngarkesën virale”

Në dhjetor 2022, dy vite pas kërkesave të vazhdueshme të pacientëve, u gjet si zgjidhje që analiza e ngarkesës virale të transferohej pranë Institutit të Shëndetit publik.

Olimbi Hoxhaj, drejtuese e shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS thotë se për më shumë se dy vite i ka dërguar dhjetëra letra dhe ankesa ministrisë për këtë qëllim.

“Kur po diskutohej dhënia me koncesion e laboratorit ne patëm disa takime me përfaqësues të Ministrisë si palë interesi. Kërkuam dhe na u premtua që nuk do të prekej asnjë nga seti i analizave për personat me HIV. Por kur u miratua lista, pamë që nuk ishte e përfshirë ngarkesa virale. Asnjë nga përfaqësuesit e ministrisë nuk e kishte një përgjigje për këtë, por ngrinin supet”, – shpjegon ajo.

Ngarkesa virale është një analizë, pjesë e protokollit të detyrueshëm, që e kryejnë të gjithë ata persona që janë në terapi. Ajo shpjegon se personat që futen për herë të parë në terapi duhet ta bëjnë këtë analizë minimalisht katër herë në vit, ndërsa pacientët e tjerë duhet të analizohën minimumi një herë në vit.

“Nuk mund të futesh në terapi pa e bërë këtë ekzaminim”, shpjegon Olimbi Hoxhaj.

Por ky ekzaminim kushton shumë shtrenjtë në privat, rreth 25 mijë lekë duke rënduar buxhetet e familjeve që kanë një person të prekur. Përgjatë dy viteve që nuk u ofrua në QSUT, kjo kategori u është drejtuar spitaleve private.

“Por ne kemi familje që kanë dy ose tre persona të infektuar. Tani imagjinoni se çfarë kostoje është ta bëjnë në privat këtë analizë. Po ashtu ka pasur raste që një çift kanë planifikuar ardhjen në jetë të një fëmijë dhe këtë analizë e kanë bërë në privat, nuk mund të presë një vit”, – thotë më tej Olimbi Hoxhaj.

Hoxhaj rrëfen se gjatë këtyre dy viteve të mungesës në sistemin publik ata kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të mundësohej ky ekzaminim në sistemin publik dhe pas këmbënguljes së vazhdueshme të shoqatës, analiza e ngarkesës virale u transferua pranë Institutit të shëndetit publik.

Ekspertët e shëndetësisë janë dyshues për procedurën. Sipas tyre e kanë të paqartë se çfarë ndodh me këtë analizë, ndërkohë që vetë spitalet po përballen me mungesa të analizave për shkak të buxheteve të limituara.

“Si i gjithë koncesioni i laboratorit edhe mungesa e kësaj analize është abuzim. Ne nuk e di nëse analiza bëhet vërtetë në ISHP, kur të gjithë spitalet e tjera po përballen me mungesa analizash për shkak se tani që i dhamë me koncesion mbarojnë lekët e analizave”, – ngre pikëpyetje, Ilir Alimehmeti, zv.Dekan i fakultetit të mjekësisë, njëkohësisht mjek epidemiolog.

Vetë Instituti i shëndetit Publik thotë se i ka kapacitetet për ta zhvilluar një analizë të tillë dhe nuk kanë probleme fondesh.

Të njëjtën gjë pohon edhe Sokol Halili nga zyra e Fondit Global, që mbështet financiarisht realizimin e këtij ekzaminimi në sistemin publik. Ai pranon se ka pasur një periudhë pezullimi, por sipas aktualisht është gjendur zgjidhja.

“Instituti i Shëndetit Publik i ka kapacitetet dhe laboratorët për ta realizuar këtë ekzaminim që aktualisht vijon të kryhet normalisht”, – thotë ai.

Sipas tij, një ekzaminim i tillë ka një kosto rreth 73 dollarë, shumë larg kostos prej 25 mijë lekë të reja që kjo kategori ka paguar në sistemin privat.

Vetë koncensionari i tha “Citizens Channel” se ofron disa analiza për HIV/AIDS, por kjo nuk ka qenë në listën e ekzaminimeve, e cila është kërkuar dhe dakordësuar me ministrinë e Shëndetësisë.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kapacitet për ta realizuar një analizë të tillë, nëse do ta kërkonte Ministria e shëndetësisë, – thotë Sokol Ramizi, administrator i “Laboratory Networks”, që ka me koncension laboratorët e spitaleve publike. – Nëse ministria e Shëndetësisë e shikon të arsyeshme mund të ketë rregullime në kontratë, pasi kontrata e lejon një gjë të tillë”, – përfundon ai.

Vetë ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjes së Citizens Channel përse kjo analizë kaq e rëndësishme për të prekurit me HIV/AIDS nuk u përfshi në listën e analizave pasi laboratorët kaluan me koncesion.

Koncesioni i laboratorit është një ndër më të kushtueshmit në shëndetësi. Ai ka një vlerë prej 114 milion dollarë dhe do të zgjasë për 10 vite. Kur janë dhënë kaq shumë para për këtë shërbim, është e paqartë se përse një analizë kaq e rëndësishme u la jashtë koncesionit.

Gjatë vitit që lamë pas u identifikuan 80 persona të rinj me HIV/aids ndërsa 792 persona në total që janë të infektuar janë në terapi.

“Mungesa e analizave i kushtoi pacientëve me HIV/AIDS rreth 280 mijë euro”

Nëse vitin e kaluar janë zbuluar 80 raste të reja, do të thotë se ata do ta kryejë këtë analizë 4 herë në vit, pra secili prej tyre do të shpenzojë mesatarisht 100 mijë lekë dhe në total do të shpenzojnë 8 milion lekë të reja. Kësaj shumë do ti shtohen edhe 792 persona të tjera që janë në terapi që do të kenë një kosto prej 20 mln lekë të reja. Pra në total këta persona kanë shpenzuar rreth 28 mln lekë të reja vetëm analizën e ngarkesës virale. Të gjitha këto para kanë dalë nga xhepat e qytetarëve, ndërkohë që ligji ua jep të drejtën që këtë shërbim ta përfitojnë falas.

Referuar një tenderi të zhvilluar në vitin 2019 nga Fondi Global, vetëm për 7 muaj, realizimi i këtij ekzaminimi ka një kosto prej rreth 13 milion lekë të reja.

“Aty nuk funksionon asgjë, as protokolle, as siguri. Ne e gjetëm një rrugë për të shpëtuar fëmijën tonë, po ata që nuk kanë mundësi si ia bëjnë”, – pyet babai i të miturit, i cili thotë se do të vazhdojë betejën ligjore me spitalet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *