Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KLSH: Më pak punë në terren se sa raportohet për pastrimin dhe gjelbërimin në Tiranë

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Bashkinë Tiranë ka kryer më pak punë në terren se sa ka raportuar.

Raporti i auditimit të KLSH-së vë në dukje se ka një diferencë të konsiderueshme të punëve të realizuara nga ato të raportuara sa i përket sasisë së stolave dekorativë për pushim, hapësirave të trotuarëve apo mirëmbajtjes së shatërvanëve si dhe numrit të bimëve dekorative apo shkurreve të mbjella.

“Lulishte pranë kryqëzimit të rrugës “Gjin Bue Shpata” dhe rrugës “Pjetër Bogdani”. Stola dekorativ për pushim. Sipas situacionit përfundimtar dhe librezave të masave sasia e këtij zëri pune është 4 copë, pas verifikimit në terren u konstatua se ky zë pune është realizuar me sasinë 2 copë. Nga rillogaritja, sasia e këtij zëri pune është 2 copë më pak se sasia e situacionuar”, -thuhet në raport.

Në trotuarin ndërmjet rrugëve “Dervish Luzha” dhe “Ali Beshiri” që duhet të ishte 720 metra, nga verifikimi në terren u pa që ishte 490 metra më pak.

“Pylli orbital, ndërmjet rrugëve “Dervish Luzha” dhe “Ali Beshiri”. Zëri Bordura trotuari 20x35cm të parapërgatitura. Sipas situacionit përfundimtar dhe librezave të masave gjatësia e këtij zëri pune është 720 m, pas verifikimit në terren u konstatua se ky zë pune është realizuar me gjatësi 230 m. Nga rillogaritja, sasia e këtij zëri pune është 490 m më pak se gjatësia e situacionuar”, -sqarohet në raport.

E njëjta situatë paraqitet edhe për gjatësinë e një gardhi druri, ku sipas raportimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit duhet të ishte 50 metra, por në terren rezulton të jetë 30 metra.

Ndërsa nga 10 copë sprucatorë spërkatës për shatërvanin e lulishtes pranë TOB-së, sipas  KLSH-së realizimi në terren ishte me 7 copë, tre copë më pak nga dokumentimi.

Sipas raportit të KLSH-së “Si pasojë e mangësive të mësipërme, nuk argumentohet apo justifikohet vlera prej 1,137,720 lekë me tvsh, për llogaritje të gabuara nga fakti i punës së realizuar në fondet e Buxhetit të Shtetit dhe njësive vendore”.

Këto janë vetëm disa nga mangësitë apo shkeljet e gjetura nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Raporti dokumenton edhe shkelje apo mos realizime të tjera të punëve publike në kryeqytet. Mes tyre zënien e lulishtes përgjatë rrugës “Sulejman Delvina” mes blloqeve të banimit si pasojë e ndërtimit të një pallati, mungesën e spoteve të ujit në shatërvanin pranë lulishtes “Ali Demi”.

Po ashtu raporti vë në dukje edhe mungesën e lejeve për hapjen e puseve, mungesën e dokumenteve kryesorë teknikë për zbatimin e punimeve të ndërtimit, parregullsi në vlerësimin e ofertave, zvogëlimin e konkurencës në procedurat e hapura për shkak të kritereve kualifikuese të pajustifikuara si dhe një diferencë e konsiderueshme sa i përket numrit të drurëve apo shkurreve dekorative të raportuara në krahasim me ato të mbjella në terren.

Lexo raportin e plotë auditues:Raporti përfundimtar i auditimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, Bashkia Tiranë

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *