Citizens.al

Tiranë: Rritja e çmimit të referencës çon në rritjen e taksës së pronës

Qeveria shqiptare ka rritur çmimin e referencës së apartamenteve në 32 zonat kadastrale të Tiranës, me të cilën bëhet vlerësimi i taksës së pronës. Rritja e çmimit të referencës ka si qëllim të përafrojë vlerën e pasurisë me tregun e shitjes dhe blerjes së pasurive të paluajtshme.

Formula e re e miratuar në vitin 2018 parashikon që taksa e pronës për familjarët do të jetë sa 0,05 % e vlerës së apartamentit.

Sipas të dhënave të përditësuara për zonat kadastrale, Unaza e Re është zona që ka pësuar rritjen më të madhe të çmimit të referencës me 76%. Në 2018, pasuritë e paluajtshme në këtë zonë vlerësoheshin me vlerën 65.000 lekë/metër katror, ndërsa aktualisht vlera është rritur me 76%, duke shkuar 114.300 lekë për metër katror.

Zona e ish-Bllokut (Z. 5/1) vijon të jetë zona më e shtrenjta në kryeqytet, ku një metër katror vlerësohet me 228.400 lekë për metër katror. Në vitin 2018, çmimi i referencës ishte 20% më e ulët, 190.000 lekë për metër katror.

Lagjet afër qendrës së Tiranës, Komuna e Parisit, Liqeni i Tiranës, Rruga e Elbasanit, zona pranë stadiumit “Qemal Stafa” mbajnë vlerat më të larta për metër katror në çmimet e reja të referencës.

Në çmimet e reja të referencës, Alliasi, Medreseja dhe Komuna e Parisit kanë normën më të lartë të shtrenjtimit me 54-57%. Çmimet e referencës janë rritur në 113.850 lekë në Don Bosko, 117.800 lekë në Porcelan dhe 159.100 lekë në Yzberisht.

Sipas përllogaritjeve, rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror.

Mbrojtja e pronës nga tërmeti; taksë e re për qytetarët

Qeveria shqiptare pritet të miratojë projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti”, që ka si qëllim të mbulojë humbjet financiare për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, përmes taksës së quajtur “polica  e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet”.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për banesat apo njësi që ndodhen brenda banesave që përdoren si zyra apo për qëllime të ngjashme. Nga kjo taksë përjashtohen ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami  ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme. Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.

Ky projektligj nuk përcakton një shumë të saktë mbi taksën që do të paguajnë familjet shqiptare, vlerë e cila do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, propozuar nga Bordi Drejtues i Fondit Kombëtar të Tërmeteve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *