Ujërat e zeza vijojnë të derdhen në plazhin anës Lungomare 1 dhe 2 në Vlorë, pavarësisht investimeve prej 19 milion eurosh në infrastrukturë e kësaj shëtitoreje që aktualisht përfundon te Tuneli i Ujit të Ftohtë.
“Duke qenë vlonjat nuk bëj plazh, se plazhi është i pistë. Që nga skela e deri te Uji i Ftohtë, derdhen dhjetë tubacione ujëra të zeza”, – tha për Citizens Channel Luçiano Kate. “Çfarëdo që hedhin njerëzit, bojëra, acide, nevojtore, të gjitha në det”.
Lungomare 1 përfundoi në vitin 2017 dhe kushtoi 15.5 milion euro, ndërsa Lungomare 2 ka kushtuar tre milion euro. Lungomare 2 përfshin vijimin e shëtitores, ndërtimi i një plazhi publik, ndërtimin e dy pishinave, një prej të cilave do të ishte pishinë olimpike, ndërtimi i një parkimi nëntokësor me 160 vende si dhe rikonstruksionin e rrugës dhe ndërhyrjen për të përmirësuar tunelin e Vlorës.
Punimet për ndërtimin e Lungomare 3, që është zgjatim i këtyre projekteve, kanë nisur në dhjetor të vitit të shkuar dhe do të kushtojë në total edhe 15 milion euro të tjera.
“Kanalet e ujërave të zeza këtu janë si trashëgimi. Ka disa kanale që janë që në kohën e monizmit. Po të mbyllen, e gjithë vija bregdetare bëhet e pastër”, – shprehet një tjetër pushues.
Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Vlorë mbi problematikat e derdhjes së ujërave të zeza dhe projektet e planifikuara për zgjidhje të situatës.
Bashkia Vlorë u përgjigj se do të ndërhyjë Ujësjellës Kanalizim Vlorë “në qoftë se do të jetë e nevojshme”. Më tej, në përgjigjen zyrtare Bashkia Vlorë pohoi se kanë ngritur grupe pune për të evidentuar problematikat.
Abedin Caushaj, një tjetër pushues vlonjat, u shpreh se ka mungesë të vrojtuesve të plazhit. Sipas Caushaj, pushuesit janë “në mëshirë të zotit”.
“Nga kushtet që ka një vrojtues, është zero. Thjesht mund të ketë ndonjë bilbil, asgjë më tepër. Po të mbytet, kush të shkojë ta shpëtojë? Ça mjetesh paraprake mbajnë këta? Asgjë”, – shprehet ai.
Plazhi publik dhe privat
Citizens Channel iu drejtua me anë të një kërkese për informacion Agjencisë Kombëtare të Bregdetit rreth ndarjes së hapësirës së menaxhuar të vijës bregdetare në Lungomare.
Sipas përgjigjes zyrtare, 26.5% e hapësirës për zonën e Lungomares menaxhohet nga subjektet private (20692 m2) dhe 73.4% është hapësirë publike (57141 m2).
Menaxhimi i bregdetit ne Lungomare sipas Agjencisë Kombëtare te Bregdetit
Fotografitë ajrore të plazhit, të vetëm pak ditëve më parë tregojnë një situatë tjetër. Bregdeti duket i mbushu me çadra dhe shezlonë të subjekteve private, ndërsa plazhi publik duket i përqendruar pranë derdhjeve të ujërave të zeza.