Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dyfishohet sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Tiranë

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Tiranë është dyfishuar në tremujorin e dytë të vitit. 

Sipas të dhënave të Institutit te Statistikave në tre mujorin e dytë u dha gjithsej një sipërfaqe prej rreth 461 mijë metra katror. Teksa në tre mujorin e parë të 2023 ra për herë të parë pas 5 vitesh sipërfaqja e lejeve të ndërtimit. 

Krahasuar me tremujorin e dytë të 2022, ka një rritje prej 18.7%. Sipas të dhënave ndër vite, kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për këtë periudhë. 

Ndërsa në 6 muaj gjatë 2023 është dhënë gjithsej sipërfaqe me leje 660 mijë metra katror. 

Teksa në tremujorin e parë 2022 ishte dhënë një rekord prej 800 mijë metrash katror.

Sipërfaqja e dhënë për ndërtim në Tiranë ka një vlerë prej 22 miliarde lekë ore 200 milionë euro për 6 mujorin e parë të vitit. Tirana ka dhënë 62% e sipërfaqes së akorduar për të gjithë vendin.

Teksa Tirana mban peshën më të madhe të ndërtimeve, sipas INSTAT gjatë kësaj periudhe janë miratuar gjithsej 509 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 339 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një rritje prej 50,1%.

Në tremujorin e dytë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 24,4 miliardë lekë, nga 25,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 5,8%.

Modeli i zhvillimit të Tiranës ka qenë në qendër të kritikave, pasi sipas ekspertëve, urbanistëve dhe aktivistëve, Tirana po përballet me një betonizim pa u kujdesur për ruajtjen e hapësirave historike dhe ato të gjelbra. Nga ana tjetër ndërtimi i kullave në qendër të qytetit është kritikuar po ashtu, dhe në raportet ndërkombëtare flitet për pastrim parash.

Qendra e Tiranës është aktualisht zona me intensitetin më të lartë të ndërtimeve të reja në Shqipëri, kullat e reja po i shtojnë qendrës një sipërfaqe ndërtimi prej më shumë se 256 mijë m2. Pavarësisht kësaj institucionet qendrore dhe lokale kanë “harruar” të miratojnë Planin e Detajuar Vendor për qendrën. Në faqen zyrtare të AKPT nuk ka asnjë Plan të Detajuar Vendor (PDV) për zonën TR/1 edhe pse zyrtarisht ky territor është subjekt i PDV-së.

Këshilli Kombëtar i Territorit, i udhëhequr nga Kryeministri Rama dhe Bashkia e Tiranës po vijojnë të miratojnë intensivisht leje të reja ndërtimi. Miliona m2 beton i janë shtuar Tiranës vitet e fundit, duke tkurrur hapësirat e gjelbra dhe kthyer qytetin në një parajsë të pastrimit të parave.

Një raport i vitit 2020 nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar vuri në dukje se 1.6 miliardë euro para të pista ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme në tre vitet e mëparshme, me 60% të financimit të projektit që vinte nga burime të paligjshme.

Një studim i Co-Plan në 2021 tregoi se humbja e sipërfaqeve natyrore brenda Unazës së Madhe të Tiranës shkonte në 526,000 m2. Ndër të tjera, institucionet janë kujdesur që  ta zhdukin nga ligji përkufizimin “hapësirë e gjelbër”. Në Planin e Përgjithshëm Vendor TR 2030, termi sipërfaqe e gjelbër nuk ekziston, aty përcaktohet vetëm hapësira publike, brenda së cilës përfshihet edhe ajo e gjelbër.

Kritikave për pastrim parash, kryeministri Edi Rama iu përgjigj gjatë prezantimit të projektit të kullës Tirana Multifuncional Center se “janë broçkulla, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë”.

Citizens Channel ka renditur të gjitha projektet e kullave që po betonizojnë qendrën e kryeqytetit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *