Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndërtuesit letër qeverisë: “Po hartohen vetëm ligje që rrisin kostot për qytetarët që gëzojnë pronë”

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon rishikim të disa ligjeve që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme. Përmes një letre dërguar krerëve të qeverisë, shoqata shprehet se qeveria shqiptare në 5 vitet e fundit ka miratuar vetëm ligje që prodhojnë rritje kostosh për ndërtimin dhe personat që gëzojnë pasuri të paluajtshme,

Hyrja në fuqi e VKM-së së 28 Korrikut për rritjen e çmimeve të referencës është përcjellë me shqetësim nga shoqata.

Ata shprehen se ligjet dhe vendimet e miratuara jo vetëm që rrisin koston e investimit që duhet të përballojnë ndërtuesit, e cila përkthehet në rritje të çmimit të banesave por rrisin dhe koston për blerësit.

Projektligji për “Taksën mbi pasurinë e paluajtshme” përmendet nga shoqata në veçanti si një ligj që paraqet rrezikun e stimulimit të informalitetit në transaksionet e rishitjes së pasurive të paluajtshme nga individët.

Përmes letrës shoqata ka parashtruar 6 shqetësime si dhe kanë dhënë sugjerime për rregullimin e situatës.
Së pari, ata përmendin rritjen e çmimit të referencës për banesat, duke theksuar se për zonat ku është rritur çmimi i referencës do të ketë efekt tek pronarët e pasurive të paluajtshme.  Shoqata thekson se rritja e çmimit të referencës ndikon në aktivitetin e ndërtimit, pasi çmimet shërbejnë si faktor për përcaktimin e vlerës së taksës së infrastrukturës.

“Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kanë lindur problematika në lidhje me projektet që shoqëritë e ndërtimit kanë në zbatim, duke krijuar nevojën për rishikim të planeve të biznesit dhe nevojave të reja për financim”, thuhet në letrën e ndërtuesve.

Së dyti, kontributi për “Strehimin Social” shihet si problematikë për shoqatën e ndërtuesve. Në letër thuhet se ligji e përcakton si një kontribut por ai është një detyrim dhe nuk jepet në mënyrë vullnetare nga ndërtuesit. Shoqata thekson se kjo është një barrë e rëndë që qeveria ja ka veshur vetëm sektorit privat.

Një analizë e kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij tregon se deri më tani qeveria nuk ja ka dalë të përfitojë apartamente për të pastrehët nga privatët.

Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Zbatimi i këtij ligji duket se ka rezultuar i pasuksesshëm në Bashkinë e Tiranës, ku po realizohet pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.

Gjatë periudhës 2020-2021 në Tiranë u shtuan rreth 3.7 milion m2 ndërtime të reja. Megjithatë Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim vetëm dy apartamente në rrugën e Kavajës, me një hapësirë përkatësisht 160 m2 dhe 67.38 m2, të cilat janë ende në proces ndërtimi.

Duket se as ky ndryshim nuk ka rezultuar efektiv, pasi në një përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Citizens Channel në maj 2022, Bashkia e Tiranës u shpreh se përfitimi i vlerës monetare sipas përcaktimit prej 3% të ligjit të strehimit nuk ka ende realizim.

Së treti, shoqata ka shfaqur shqetësim edhe për “Taksën e ndikimit në infrastrukturë”, e parashikuar sipas ligjit për “Taksat dhe tarifat vendore”.

Ndërtuesit theksojnë se janë ata që mbulojnë nga ana buxhetore, punimet e infrastrukturës rrugore, punimet për ujin dhe energjinë. Më tej shtojnë se “përpos këtij paradoksi është shtuar dyfishimi ndër vite i shkallës tatimore si dhe metodologjia e llogaritjes”.

Së katërti, trajtimi i padrejtë i mbetjeve inerte listohet si problematikë nga ndërtuesit. Ata shprehen në letër se ka kosto të pajustifikuara në sektorin e ndërtimit sa i përket trajtimit të inerteve. Ata paguajnë për dërgimin e tyre në landfill, edhe pse ato janë mbetje që nuk trajtohen në landfill.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme renditet si shqetësim nga ndërtuesit. Ata shprehen se kjo taksë kërkon të taksojë të drejtën e taksapaguesit për të gëzuar të drejtën e pronësisë.

Kjo taksë është pritur me kritika edhe nga ekspertët e fushës të cilët shprehen se do rëndojë xhepat e qytetarëve të varfër. Po ashtu është kërkuar reflektim mbi këtë ligj edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Shoqata e Ndërtuesve shprehet se taksimi i pronës në momentin që është ende truall është një kosto e panevojshme dhe e pajustifikuar.

Së fundmi, luhatja e çmimeve të materialeve të ndërtimit është shqetësuesve për ndërtuesit.

“Vullneti i qeverisë për të rritur barrën fiskale dhe tatimore në fushën e ndërtimit, me qëllim për të përfituar sa më shumë kontribut në buxhet” përbën problem dhe rrezikon zhvillimin e mëtejshëm.

Shoqata e ndërtuesve sugjerojnë që rritja e çmimit të referencës të jetë graduale, ose zbatimi të bëhet ndaj projekteve që nisin dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi të vendimit.

Së dyti kërkojnë shfuqizimin e ligjit për kontributin për strehim social.

Së treti kërkojnë rishikimin e taksës së infrastrukturës në veçanti në Tiranë. Së katërti, kërkojnë përjashtim të pagesës për trajtimin e inerteve.

Sa i përket taksës së pronës që është ende një projektligj, ata kërkojnë rishikim ndërsektorial të tij, pasi “paraqet shumë paqartësi në formën e llogaritjes, aplikimit dhe mbledhjes së saj”.

Së fundmi, për sa i përket kuadrit ligjor për prokurime publike, PPP sipas ndërtuesve duhet të adaptohen parashikime ligjore sipas së cilave, në rast të luhatjeve të ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ato kombëtare, “të bëhet njohja e variacioneve të çmimeve, ashtu sikurse parashikohet në librat e verdhë dhe të kuq të “FIDIK” për të gjitha kontratat e punëve publike, qofshin ato me financime të buxhetit, organizatave apo financimeve të huaja”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *