Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nxënësit e Rrajcës bojkotojnë shkollën, nuk pranojnë mësimin në lokal

Nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Sali Halili” në fshatin Rrajcë të Përrenjasit bojkotuan edhe sot mësimin. Të mbështetur nga prindërit, ata protestuan para godinës së vjetër të shkollës, ku kërkuan një godinë të re dhe jo më mësim në lokale.

Prindërit dhe nxënësit lajmëruan se do të vijojnë bojkotin deri në përfundim të javës, ndërsa mbeten në pritje të një zgjidhjeje konkrete.

“Duam shkollën të bëhet sa më parë”,-u shpreh një nga prindërit e pranishëm sot në protestë.

Një tjetër prind deklaroi se “fëmijët janë futur në ambiente totalisht të papërshtatshme, nëpër vende që më përpara janë përdorur si kasaphana. Kushte totalisht të papërshtatshme”.

Shkolla e mesme e Rrajcës ka 433 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm. Ata e filluan vitin e ri shkollor 2023-2024 në gjashtë lokalet e përshtatura aty pranë, ndërsa ditën e parë të shkollës, një muaj më herët prindërit dhe nxënësit e nisën me protestë. Ata iu drejtuan Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me një peticion ku kërkonin ndërtimin e një godine të re.

Peticioni i prindërve dërguar Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Sipas prindërve të pranishëm në protestën e sotme, godina e re e shkollës ka qenë një premtim i hershëm.

Ministrja e kaluar e arsimit, i ka premtuar këtij populli që t’ju ndërtohet një shkollë e re. Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje, bordi i prindërve dhe nxënësit kanë vendosur një javë bojkot, nga e hëna deri të premten. Në të kundërt do të vazhdojë bojkoti më gjatë. Të hënën tjetër do të kemi prapë një mbledhje të nxënësve dhe të prindërve, për të parë hapat e mëtejshme. Ne kërkojmë zgjidhje, pra ambient shkollor për fshatin e Rrajcës”.

Prindërit deklarojnë se pranojnë të rrinë në këto ambiente të përshtatura për fëmijët e tyre vetëm nëse fillon ndërtimi i shkollës së re.

“Të gjithë prindërit janë dakord që të vazhdojnë bojkotin deri sa të merret një rrugëzgjidhje. Janë 450 firma, të gjithë prindërit që kanë firmosur janë në dijeni për fëmijët e tyre, aty ku jemi mund të rrimë të rezistojmë, vetëm kur të fillojë shkolla e re. Pranojmë të rrimë edhe një vit atje, ama të fillojë shkolla rikonstruksion nga e para, se kjo bëhet si shkollë.”

Përfaqësues të bashkisë Përrenjas mohuan të komentojnë situatën nga një bisedë telefonike që zhvilluan gazetarët e Citizens Channel.

Institucionet “ping-pong” me përgjegjësitë 

Në nëntor të vitit 2020, ndërsa vendi ynë po përballej me pandeminë dhe mësimi zhvillohej online, ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi vizitoi shkollën e mesme të bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë, ku edhe dhuroi disa tableta për nxënësit në pamundësi për të ndjekur mësimin online.

Duke parë gjendjen e shkollës, duke parë numrin e madh të nxënësve dhe gjithë elementët e tjerë që vlerëson si kritere kur përzgjidhen shkollat për rikonstruksion apo për ndërtim me siguri që kjo shkollë do ta marri financimin”,-u shpreh ndër të tjera ish-ministrja Kushi teksa u gjend e papërgatitur për gjendjen e shkollës.

Tre vite më pas, shkolla jo vetëm që nuk është rindërtuar, por u bë e pabanueshme.

Sipas drejtuesit të shkollës së mesme në Rrajcë, Vait Allidri, hera e fundit që është kryer mësim në këtë shkollë është 9 shkurti i 2023-it, kohë kur shkolla u shpall e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit.

“Struktura e objektit në gjendjen ekzistuese nuk i plotëson kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për sigurinë e jetës së nxënësve. Struktura duhet të shembet duke marrë parasysh llojin e dëmtimeve, çarje të thella të dyshemesë së katit përdhe dhe të katit të parë, çarjet në muraturën mbajtëse prej guri dhe blloqe betoni, çarje të elementeve horizontale, amortizimin e godinës, materialet e përdorura për strukturën mbajtëse dhe elementet horizontale, prezencë ne lartë të lagështisë”,-thuhet në kërkesën e bashkisë Përrenjas për marrjen e masave për largimin e menjëhershëm të nxënësve nga godina e shkollës.

Vendimi për shkollat si të pabanueshme

Në një letër drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, bordi i shkollës “Sali Halili” ka kërkuar ndërtimin e një godine të re.

Mirëpo, në përgjigje të letrës Ministria e Arsimit dhe Sportit u shpreh se projekti i shkollës nuk është miratuar për financim.

“Në zbatim të ligjit nr.84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”, si dhe fondeve të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e projekteve të infrastrukturës shkollore të arsimit parauniversitar, për vitin 2023, ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur thirrjen dhe ka miratuar financimin e 20 projekteve prioritare, të cilat janë vlerësuar sipas drejtimit të thirrjes, kritereve dhe treguesve të vlerësimit, ku projekti i shkollës “Sali Halili” Rrajcë, nuk është miratuar për financim”-thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Ndërsa përgjegjësinë për mirëmbajtjen e shkollës ia ka kaluar bashkisë Përrenjas dhe nevojën për një godinë të re ia ka adresuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Siç relatoni në shkresën tuaj, meqenëse shkolla është dëmtuar nga tërmeti, në kushtet kur rikonstruksioni i shkollës është domosdoshmëri dhe emergjencë për zhvillimin normal të mësimit, kërkesën tuaj duhet ta dërgoni në Ministrinë e infrastrukturës dhe Energjisë, si autoritet përgjegjës për planifikimin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti, të cilat do të ndërtohet/rindërtohen në kuadër të programit të rindërtimit ose në Agjencinë e Emergjencave Civile”-thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Përgjigja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *