Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ku është finishi i kullave?”

Në finishin e Maratonës së Tiranës, një grup aktivistësh të Lëvizjes Bashkë hapën një banderolë që i drejton kryetarit të Bashkisë Tiranë pyetjen: “Ku është finishi i kullave?”

Aksioni i tyre u shoqërua me konflikt dhe përplasje fizike me policinë bashkiake, të cilët grisën banderolën dhe u përpoqën të largojnë aktivistët nga vendngjarja.

Aksioni i Lëvizjes Bashkë erdhi si kundërpërgjigje ndaj vendimit të fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit KKT, për ndërtimin e 12 kullave si dhe vizionit që Bashkia Tiranë ka për qytetin.

Mirela Ruko, anëtare e këshillit Bashkiak nga Lëvizja Bashkë u shpreh për Citizens Channel se “aksioni është në vazhdën e gjithë veprimtarisë sonë për mbrojtjen e hapësirave publike”. Po ashtu, tha ajo ka të bëjë me vizionin e tyre për qytetin “që nuk lidhet aspak me ndërtimin e kullave dhe zhdukjen e hapësirave të gjelbra”.

“Ne mendojmë se Tiranës i mungojnë hapësirat e gjelbra dhe duhet të punohet në këtë drejtim, dhe i mungon një arkitekturë e shëndetshme që shkon në mbrojtje të hapësirave historike të Tiranës dhe ruajtjes së elementëve karakteristik të qytetit”, tha Ruko.

Ajo u shpreh se Lëvizja Bashkë, fajëson kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe kryetarin e KKT, kryeministrin Edi Rama për marrëdhënie klienteliste dhe pastrim të parave të pista. “Kjo frymë po ndikon në rritjen e çmimit të qerave dhe apartamenteve”, tha ajo.

Foto: Lëvizja Bashkë

“Nisur nga të gjitha këto, menduam se ishte momenti që të pyesnim kryetarin e Bashkisë Tiranë, se ku është finishi i kullave? A do të ketë një fund ky proces që ka nisur”, shton Ruko.

Ajo sqaroi se zgjodhën pikërisht Maratonën e Tiranës, pasi fryma që promovohet është ajo e një jete të shëndetshme, sportive por ndërkohë qytetit i mungojnë hapësirat për të ushtruar këto aktivitete.

Lëvizja Bashkë ka kundërshtuar edhe më herët ndërtimin e kullave dhe zëvendësimin e hapësirave të gjelbra me ndërtime shumëkatëshe.

Gjatë verës aktivistët e kësaj lëvizje kanë thirrur disa protesta për të kundërshtuar ndërtimin e kullës pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e cila do zëvendësojë një lulishte.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në mbledhjen e fundit 56 vendime, ku 12 prej tyre janë dhënë për kullat në kryeqytet.

Plot 320 kate mbi tokë dhe 44 kate nën tokë do të shtohen në kryeqytet me ndërtimin e këtyre kullave. Ky model zhvillimi dhe ndërtimi është kritikuar nga ekspertë dhe shoqëria civile.

Qendra e Tiranës është kthyer në një shesh ndërtimi “pa kriter një model i kritikuar nga ekspertët e fushës. Ndërtimi i kullave shpesh është shoqëruar dhe me rrëmbimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. I tillë është edhe rasti i Tirana Multifuncional Center, e cila  do të ngrihet mbi lulishten pas Pallatit të Operas dhe Baletit.

Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.

Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *