Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tepelenë: Banorët kundër ujësjellësit që i lë pa ujë

Banorët e fshatit Mezhgoran në Tepelenë, u mblodhën në hyrje të fshatit për të kundërshtuar ndërtimin e një ujësjellësi. Projekti që ka nisur prej muajit shkurt të vitit 2023, pritet të dërgojë ujin e fshatit Mezhgoran në fshatin Peshtan, që ndodhet përballë.

Sipas banorëve, përmes këtij projekti do të merret uji i fshatit për ta çuar në funksion të një resorti turistik që po ndërtohet në Peshtan.

Saimir Gjoni, banor

Nga fillimi i vitit 2022 ne jemi informuar, jemi alarmuar kemi shkuar në zyrë të kryetarit të bashkisë dhe i kemi thënë për çfarë arsye po na merret uji. Pastaj ai është përpjekur të na bindi që ekziston një mundësi ku ujësjellësi për fshatin Mezhgoran për lagjen këtu ku ndodhemi dhe për fshat in Peshtan. i kemi thënë kemi dëgjuar që është dhe një resort, se po bëhet resorti. Ai e ka mohuar. Më vonë pastaj në kontrata ka dalë që është edhe një resort në mes dhe ka dalë që uji është për resortin atje. Nuk ka projekt ujësjellësi as për fshatin tonë, as për lagjen këtu, as për fshatin Peshtan”,-tregon për Citizens Channel Saimir Gjoni, banor i fshatit.

Për Baftjare Banin kjo gjë do të sjellë shkëputje të ujit për banorët e fshatit.

Batjare Bani, banore

Ne na shqetëson, problemi i të gjithë këtyre që jemi këtu, ujin që po merr fshati i Peshtanit ose resorti, se me fshatarët e Peshtanit ne që kemi biseduar kur jemi takuar, thonë ne kemi ujë. Këtë e merr resorti privatisht. Dhe ne me këtë jemi në kundërshtim, sepse këtu le përroi që po pritet dhe neve lagjja e poshtme, po furnizohemi me ujin e përroit, burimet tona. Edhe atë ujë duan të na e presin. Tani ne ku do vemi, ku do shkojmë. Këtë shqetësim kemi si fshat.”

Sipas banorëve, për miratimin e projektin nuk është realizuar asnjë dëgjesë publike. Ndërsa kur janë informuar, kanë kundërshtuar që prej fillimit.

“Kemi protestuar, nuk na është dëgjuar zëri fare dhe më e renda që është në këtë histori është se nuk janë bërë dëgjesa publike. Ne të gjithë ata që kemi pyetur edhe specialistë, na kanë thënë që duhet të bëhen dëgjesa publike ku mbahen edhe procesverbale. Gjë e tillë nuk është bërë. Nuk është bërë asnjëherë dëgjesë publike. Thjesht na kanë thënë është një projekt që është për të mirën tuaj”,-sqaron Saimir Gjoni.

Kontrata për projektin e ujësjellësit është lidhur që në vitin 2021, por nuk është zbatuar për shkak të rezistencës së banorëve. Sipas projektit, kohëzgjatja e punimeve do të ishte 4 muaj.

Por tanimë, sipas tabelës së vendosur në hyrje të fshatit projekti do të zgjasë 12 muaj që prej nisjes së punimeve.

Të përfshirë në projekt janë 3 kompani. JV “G.P.G Company” shpk dhe “2T” shpk për kryerjen e punimeve dhe “Invictus “sh.p.k për mbikëqyrjen e punimeve.

Në protestat e zhvilluara më herët nga banorët është përfshirë edhe policia, e cila në protestën e fundit ka përdorur edhe dhunë ndaj banorëve, me qëllim që të zmbrapsë banorët e të lejojë makineritë e kompanive për të vijuar punën.

Arben Hoxha, banor

“Marrja e ujit për ne është vdekje. Ne kemi protestuar disa herë dhe nuk kemi më forcë që të përleshemi. Nuk kemi punë as me firmën, nuk kemi punë as me policinë. Policia paguhet nga taksat tona, vjen dhe rri roje e kësaj firmës private. Nuk është “security private’ që të ruajë punimet e punonjësve të firmës, pro është polici shteti. Ne këtu nuk jemi kriminelë, po e shikon të gjithë janë gra burra që vijnë për hallet e tyre”,-shprehet Arben Hoxha.

Për fshatin uji është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për tu pirë por edhe për blegtorinë dhe bujqësinë.  Banorët shprehen se futja e ujit në tuba do të vështirësojë kultivimin e bimësisë dhe blegtorisë.

“Ky populli i Mezhgoranit jeton vetëm me lulen, nuk ka asnjë farë ndihme, me blegtori dhe me lulen. Edhe ujin që e kanë duan t’jua heqin dhe kjo është një padrejtësi për popullin.Pa ujë jo, pa tokë jo, tokat nuk mbillen, tokat nuk korren, nuk e di se si ashtu…hajde ne pensionistët do shtyjmë si do i shtyjmë tani që kemi ngelur, po fëmijët tanë ku do vejnë. Nuk e di këtë çështje”,-rrëfen Batjare Bani.

“Problemi jonë është këtu se ne kemi 2500 krerë të imëta. Këto duan ujë, kemi edhe 1000 lopë se fshati jonë nuk ka kërkuar punë as te bashkia as te qeveria. Ne jemi mbështetur me forcat e veta. Kemi punuar dhe po punojmë”,-shprehet Sulo Groshi.

Sipas Sulos, e vetmja gjë që kanë kërkuar nga bashkia Tepelenë është vënia dorë te rruga që të çon në fshat.

Sulo Groshi, banor

“Ne fshati jonë edhe xhadja po të vesh të shikosh nuk ngjitesh dot, vetëm traktori ngjitet lart se nuk ngjitet. Bashkia na gënjen, do ta bëjmë sot do ta bëjmë nesër, nuk dërgojnë asnjë skrep për të pastruar. Kemi vajtur dy tre herë atje, na gënjen, na premton dhe asgjë nuk bën”.

Për të tjerë banorë që në të ardhmen duan të investojnë në fshat përmes bujtinave, mos pasja e ujit është një pengesë e qenësishme.

Nazif Rrapaj, banor

“Tani që po marrin ujin…Unë kam vajzat që duan të bëjnë një diçka atje te malli i babait të tyre. Ku të venë, me se ta bëjnë një bujtinë të vogël siç do Merua që ka 7 vjet atje, që na ka mbuluar ullinjtë me pluhur. Merua e ka 500 metra ujin atje, 500 metra e ka larg. ’kërkon me kilometra të tëra?“-, shprehet Nazif Rrapaj, i cili bashkë me banorët e tjerë thonë se pas resortit turistik qëndron gazetari Mero Baze, i cili është me origjinë nga fshati Peshtan.

Pas protestës dy orëshe të zhvilluar në hyrje të fshatit, banorët iu drejtuan godinës së bashkisë Tepelenë, ku kërkuan të bisedojnë me kryetarin e bashkisë, Tërmet Peçi. Kryebashkiaku nuk doli në takim me banorët, përpos pritjes.

Avokati i banorëve i pranishëm para bashkisë Tepelenë, u shpreh për Citizens Channel se ky projekt është i paligjshëm dhe do ta kundërshtojnë deri në fund.

“Kam ardhur këtu në Tepelenë, kam kontaktuar me fshatarët e Mezhgoranit, kam vajtur dhe lart në fshat që kam parë ujësjellësin e tyre në vend atje ku është dhe për mua është një krim jo vetëm mjedisor, është krim njerëzor, është krim kundër qytetarëve, banorëve të fshatit Mezhgoran, të cilëve ju kërkojnë të marrin ujin. Ligjërisht nuk lejohet transportimi i ujit ose i një burimi nga një fshat në një fshat tjetër, nga një zonë në tjetrën. Duhet t’ju themi qytetarëve dhe atyre që na shikojnë që nuk është ujësjellës, është ujëvjedhës sepse duan të vjedhin ujin e Mezhgoranit dhe t’ia japin dikujt tjetër për interesave private”,-deklaroi avokati Zaçe Islami.

Avokati shprehet se bashkia nuk është treguar bashkëpunuese për të venë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e ujësjellësit, ndërsa do ta vijojnë luftën në gjykatë.

“Na ka mbetur gjykata, dhe deri sa të dalë vendimi i gjykatës ne do të kërkojmë që të pezullohet çdo gjë atje. Të vihet në mbrojtje ligjore i gjithë ujësjellësi i Mezhgoranit. Të mos shkojnë forcat e policisë atje, të mos shkojë ajo kompania që merret me atë punë. Jemi në hapat e para të hapjes së procesit gjyqësor. Deri atëherë do të presim që çdo gjë të pezullohet, po nuk u pezullua, do ta pezullojmë vetë pastaj”.

Kjo është e disata herë që banorët protestojnë, ndërsa mbeten të vendosur se do të vijojnë protestat deri në anulimin e ujësjellësit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *