Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistet përballen me sulme dhe urrejtje në rrjetet sociale

“Unë kam vite që e kryej veprimtarinë time në internet në gjendje vigjilence dhe vetëmbrojtje, që mund të çojë në autocensurë. Kam çaktivizuar mesazhet dhe komentet direkte, kjo është mënyra e vetme që mund të ruaj paqen”,-  tha një ndër aktivistet e intervistuara në studimin “Liria për të mbrojtur të drejtat në hapësirat online: Sfida për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

Ky studim, i përpiluar nga Megi Reçi dhe Sara Kelmendi nga IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim), shqyrton llojet e abuzimeve me të cilat përballen Gratë Shqiptare Mbrojtëse të të Drejtave të Njeriut (GMDNJ) në hapësirën kibernetike, duke aplikuar një lente gjinore në analizimin e mënyrës sesi gratë i perceptojnë këto shkelje, motivet dhe ndikimin e një abuzimi të tillë, si dhe efektivitetin e reagimit dhe mekanizmave të raportimit.

“Gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut perceptojnë se janë në shënjestër për shkak të gjinisë së tyre, pranisë së tyre publike dhe punës së tyre për të çuar përpara kauzat specifike që lidhen me barazinë gjinore, mbështetjen për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore ose dhunën në familje, mbështetjen e LGBTI+ dhe pakicave të tjera”,- pohon Megi Reçi, një nga autoret e studimit.

Pjesëmarrëseve iu kërkua të identifikonin platformat ku ndodhnin më shpesh abuzimet online, ku gati dy të tretat (63%) e të anketuarave identifikoi “Facebook”, ndërsa shumë më pak u përgjigjën në “Instagram” (14 %) ose “TikTok” (4%).

Vetëm një numër i vogël (3%) përmendën se janë përballur me shkelje në më shumë se një platformë, ndërsa asnjë nga këta të anketuar nuk raportoi se kishte përjetuar abuzim në Twitter.

Foto 1 nga studimi

Në pyetjen se çfarë i shqetëson më shumë kur ndërveprojnë në internet, të anketuarat  përmendën: gjuhën e urrejtjes, seksizmin, mizogjininë, racizmin, bullizmin, gjuhën e dhunshme, shkeljen e privatësisë së tyre dhe keqpërdorimin e të dhënave të tyre.

Foto 2 nga studimi

Pjesa dërrmuese 92% e të anketuarave nuk besojnë se të drejtat e njeriut gëzojnë mbrojtje të barabartë si në internet ashtu edhe jashtë tij (pra në marrëdhëniet fizike\jo virtuale), sepse pohojnë se abuzimet në internet janë të nënraportuara dhe trajtohen me më pak seriozitet.

Foto 3 nga studimi

70% e aktivisteve që morën pjesë në këtë hulumtim thanë se abuzimet në internet nuk kanë ndikuar në angazhimin e tyre. Ato sugjeruan se të kundërpërgjigjesh është më mirë sesa të mbyllësh llogaritë online, ose përndryshe autorët e sulmeve do të realizojnë qëllimin e tyre për ti bërë ato të heshtin. 16% raportuan se sulmet online kanë ndikuar në angazhimin e tyre, duke bërë që të rrisin vigjilencën në mbrojtjen e të dhënave personale, të ndihen të dekurajuara në punën e tyre dhe të vuajnë pasoja në shëndetin dhe mirëqenien e tyre mendore.

Foto 4 nga studimi

“Fakti që 70% e të anketuarave nuk janë ndikuar nga sulmet nuk është tregues. Thjesht tregon se janë mësuar dhe është normalizuar. Unë e shoh edhe tek vetja. Shoh komentin, por nuk e lexoj. Sytë e mi vizualisht fillojnë e shuajnë fare, nuk e lexoj më”,-  analizon një nga akivistet LGBT, e përfshirë në studim.

Më shumë se gjysma e të anketuarave treguan se nuk i kanë raportuar shkeljet që kanë përjetuar online. Vetëm 7 të anketuara i kanë denoncuar shkeljet në Polici. Shumë pak të tjera i kanë raportuar shkeljet tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ( 4 të anketuara), Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (3) ose Avokati i Popullit (2).

Foto 5 nga studimi

Ndër arsyet e mos raportimit në institucione përmenden: pritshmëri të ulëta për hetime të suksesshme, perceptimi i mekanizmave të raportimit si të komplikuara dhe jo efektiv, përvoja të mëparshme ku kanë raportuar dhe rasti nuk është ndjekur.

“Studimi nxjerr në pah edhe nevojën për më shumë njohuri mbi sigurinë digjitale dhe ndërhyrje në kuadrin ligjor përkatës, për të garantuar mbrojtje të dedikuar për mbrojtjësit e të drejtave të njeriut – kur këta të fundit cënohen për shkak të punës dhe angazhimit të tyre”,- thekson bashkë-autorja Megi Reçi.

Cryptoparty në Tiranë

“Ne nuk e konsiderojmë jetën tonë digjitale aq të rëndësishme sa jetën tonë fizike, por ama do ja linim dikujt çelësat e shtëpisë? A do e linim shtëpinë hapur? Jo nuk do e linim! Jeta digjitale që sot zë më shumë se 50% të jetës sonë, marrëveshjet, kontaktet on line duhet t’i ruajmë njëlloj si dokumentat fizike ”,- shpjegon Irdi Ismaili nga “Open Labs“ për Citizens Channel.

Gjatë “Crypto Party” që u mbajt të shtunën nga stafi i “Open Labs“  prezantoi disa metoda për gazetarët dhe aktivistët sesi mund të përdorin disa praktika më të mira digjitale, duke minimizuar rreqizet e sulmeve në punën e tyre të përditshme. Më poshtë do ju listojmë disa prej këtyre metodave:

  • Në vend të gmail është i sugjeruar përdorimi i protonmail, pasi është një shërbim i sigurt e-mail i besuar nga aktivistët dhe gazetarët. Ai siguron enkriptim nga fundi në fund, duke siguruar që vetëm marrësit e synuar mund të kenë akses në mesazhet tuaja.
  • How Strong is My Password është një mjet i dobishëm në internet që vlerëson fuqinë e fjalëkalimit tuaj. Ai vlerëson faktorë si gjatësia, kompleksiteti dhe veçantia për të përcaktuar se sa rezistent është fjalëkalimi juaj ndaj përpjekjeve për hakerim.
  • Tor browser, një shfletues ueb i orientuar drejt privatësisë, është zgjedhja më e mirë për aktivistët dhe gazetarët. Ai mbron identitetin tuaj në internet, duke ofruar shfletim anonim dhe mbrojtje të fuqishme kundër mbikëqyrjes.

“Duhet të evitojmë përdorimin e palikacioneve që mbledhin shumë të dhëna, që të gjurmojnë lehtësisht. Psh. te hartat mund të përdorësh Open Street Map në vend të Google Map”,- vijon Irdi.

Ismaili thekson se në çdo rast që ndjehemi të sulmuar në hapësirën on line duhet ti drejtohemi Policisë së Shtetit, pavarësisht sesa funksionale janë institucionet në këtë drejtim.

“Hapi parë është që ti drejtohemi institucioneve, pavarësisht mosbesimit të lartë që ka. Edhe vetë mund të gjesh se kush po të sulmon,por nuk duhet të bëjmë vetgjyqësi. Ka pasur investime të mëdha për digjitalizimin, por nuk mendoj se janë paisjet që mungojnë, në raport me ekspertët, që tashmë nuk i kemi më në Shqipëri për fat të keq”,- përfundon Ismaili.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *