Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tranzicioni urban i Tiranës në skica

Arkitekti Endrit Marku ka publikuar një seri vizatimesh të godinave të Tiranës në një formë ndryshe dhe inovative, duke sjelle nëpërmjet tyre mesazhe dhe rrëfime mbi të shkuarën, personalen dhe kritikën.

“Kanë një dimension improvizues, siç mendoj që është Tirana, pra në Tiranë gjithmonë janë bërë plane, por këto plane ndryshojnë edhe rrugës, edhe nuk çohen deri në fund, edhe nuk zbatohen, si duhet të ishin zbatuar ,- pohon Marku mbi vizatimet e tij.

  • Si nisi puna për krijimin e këtij cikli vizatimesh?

Proceset e mia janë të ngjashme me proceset e ndryshimit që po ndodhin në Tiranë. Edhe vizatimet fillojnë me një ide të përgjithshme, por shpesh ndërkohë që fillon vizatimi, dalin dhe dhjetë ide të tjera, nganjëherë gjatë këtij procesi harrohet ideja fare. Besoj edhe këto vizatime kanë një lloj dimensioni si Tirana, që ka një lloj dimensioni narcicist, duan të jenë të veçanta, të bien në sy. Gjatë procesit ndodh që të ndryshoj edhe formatet, vizatimet bëhen më të mëdha, pastaj vjen një moment që të kujtohet subjekti origjinal dhe procesi shkon drejt mbylljes. Procesi i vizatimit tim është pak si të shkruash, sikur po shkruan një histori, mundohem të kërkoj një përvojë, një mbivendosje narrativash të cilat i bëj pjesë të një imazhi, të shumë imazheve.

  • Vizatimin e Teatrit të Operas dhe Baletit e ke cilësuar “Tempull“. Çfarë nënkupton me këtë përshkrim?

Frymëzohet nga tipari tranzitor që ka sheshi i Tiranës, pra sheshi i Tiranës, dikur ishte hapësira e pazarit javor, u përpoq mbreti ti jepte një formë të fundme, por nuk i doli koha ta mbyllte, sepse erdhën italianë edhe e ndryshuan projektin, pa e mbaruar, pastaj pa mbaruar, ra regjimi fashist, e morën komunistët, nuk e mbaruan kurrë dhe prap vazhdon ndryshon ky shesh. Për shembull mbasi ka ardh’ një formë deri diku më e fundme e sheshit, e dyshemesë, por konturi ndryshon përditë. Në këtë rast unë e shoh këtë si një lloj tempulli, si një lloj Duomo, si një lloj objekti që mbyll sheshin. Ky objekt, ky tempull i ngjan ndërtesave bashkëkohëse, është një kullë, n.q.s. kemi një arketip në Tiranën e sotme është kulla.

  • “Përkohshmëri të reja“ e keni cilësuar bërthamën e qytetit “Xhami e Et’hem Beut – Kullë e Sahatit“. Pse e keni risjellur në këtë formë Kullën e Sahatit?

Është kulla e Tiranës, ku çdo gjë është e modifikuar, ku çdo gjë deri diku është mall, çdo gjë numërohet me para. Pra është një kullë, po kjo mund të jetë shumë mirë kullë sahati, kjo mund të jetë koka e heroit kombëtar, kjo mund të jetë harta e Shqipërisë, kjo mund të jetë një pyll me pemë, ç ‘rëndësi ka pra…Malli është ndërtesa dhe shëmbëlltyra që i vihet sipër dhe dizajni mund të jetë çfarëdolloj gjëje në kohët e sotme, në post modernizëm dhe në kapitalizëm, përsa kohë ajo rrit vlerën ose e bën më të shitshme, ose i jep rëndësi që autorët dëshirojnë po them, ndërtesës së shtuar. Edhe kjo ndodh, gjithmonë e më tepër sot shëmbëlltyrat e vjetra janë në krizë prej këtyre shëmbëlltyrave të reja, që janë më madhështore, janë më të mëdha, janë më deklamuese.

  • Sipër Muzeut Kombëtar keni vendosur një kuti dhe çelës. Cili është kuptimi i këtij vizatimi?

Vizatimet frymëzohen nga një ngjarje e momentit dhe ishte një periudhë që diskutohej për Muzeun, jo restaurimi, jo Mozaiku. Ndërtesa e Muzeut është nga ato që kanë tërheq vëmendjen tonë, nëse kemi një ndërtesë që përfaqëson një kohë, pas Luftës së Dytë Botërore deri në rënien e regjimit të kaluar është Muzeu. Sa hapësirë dhe vëllim, aq është edhe ekran, sepse kemi këtë mozaikun që të projekton një lloj hapësire të rreme, se nuk përfaqëson historinë  e Shqipërisë, përfaqëson një mënyrë të stisur të historisë së Shqipërisë. Forma që i shtoj natyrisht ndjek, imiton ndërhyrjet që po ndodhin në Tiranë, mund të ishte shumë mirë kulla e stadiumit, mund të ishte shumë mirë një nga kubat e piramidës, mund të ishin depozitat, shtesat që kemi bërë gjithë këto vite nëpër pallate. Kutia e zezë është një mjet që nuk interpreton, por dokumenton një ngjarje, ndryshe nga kutia e muzeut ku çdo gjë është interpretuar, është zbërthyer. Ndërkohë që muzeu duket shpërthyes, por kutia e zezë ka një hapësirë lirie të pafundme, ndërsa vrima është e vështirë ti gjesh çelësin, pra kërkimi i të vërtetës është përballë nesh, por kam përshtypjen që s’do e gjejmë dot kurrë.

  • Si e koncepton mënyrën si po sillemi ne sot me qytetin?

Më kujtohet një skenë kur kam qenë i vogël, shtëpia ime është afër ish-xhamisë së Zaimit dhe më kujtohet një skenë, disa fëmijë më të rritur se unë, besoj pionerë me përparëse, që merrnin tulla të kuqe dhe i pluhurosnin dhe me tulla të bardha ndërtonin forma yjesh, në sheshet e pallateve dhe mua më pëlqente shumë ai imazh kur e shikoja, këtë gjënë e pastër të rregulluar të formës së yllit, që rrinte aty për disa ditë, nuk e prishte njeri, derisa e prishte shiu, e prishte moti. Ajo ishte një lloj gjurme e përkohshme, që rrinte shumë pak, por që rrënjosej në memorien, kujtesën tonë, në mënyrën tonë të menduarit. Unë mendoj shumë nga proceset e Tiranës së sotme, shumë nga ndodhitë e Tiranës së sotme lidhen me këto elementë që kanë hyrë në genin tonë, ylli, të menduarit sipas sistemit të kaluar dhe kjo pasqyrohet pak edhe në mënyrën sesi ne sillemi sot me qytetin, pra mënyrën subjektive dhe autoritare, që ndërtojmë marrëdhëniet me qytetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Pra, janë pikërisht këto gjurmë, këto shenja që janë bërë pjesë e mënyrës sesi ne sillemi, e genit tonë ta quajmë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *