Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, në takimin e përvitshëm në Strasburg, i bëri thirrje për herë të tretë qeverisë shqiptare të ndalojë punimet për aeroportin e Vlorës.
Deklarata theksoi veçanërisht faktin që punimet për ndërtimin e aeroportit në një zonë natyrore delikate pranë lagunës së Nartës vazhdojnë, edhe pse Komiteti i Përhershëm i Bernës kishte kërkuar ndalimin e punimeve tre muaj më parë.
Besjana Guri nga Eco Albania tregon se takimi në Strasburg ishte në vazhdimësi e procesit të ankimimit që është bërë për çështjen e Vjosës prej 2016 dhe çdo vit raportohet për zhvillimet në Vjosë.
“Delta e Vjosës, për të gjithë grupin e studiuesve është shumë e rëndësishme dhe nuk mund të konsiderohet si aneks apo si diçka e dorës së dytë të ekosistemit. Është e lidhur indirekt me Parkun e Vjosës, nuk është se është një ndërtim që ndodh direkt në shtratin e Vjosës megjithatë është një zhvillim që e prek atë “- shpjegon Besjana Guri për Citizens Channel.
Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare deklaruan në takimin e Komitetit të Përhershëm, por edhe në raportin e tyre zyrtar se zona është shpallur gabimisht si një zonë e mbrojtur. Ata pretendojnë se zona ka qenë një aerodrom ushtarak dhe se shpallja si Peizazh i Mbrojtur ka ndodhur gabimisht.
“Pretendimi i tanishëm se zona nuk ka vlera ekologjike është një mashtrim i ulët për të justifikuar ndryshimin e paligjshëm të kufijve të zonës së mbrojtur. Aeroporti i Vlorës nuk është një rast vetëm i shkatërrimit të natyrës, por edhe i shkeljes flagrante të ligjit“- konfirmoj Gabriel Shwaderer, drejtor ekzekutiv pranë EuroNatur.
Zydjon Vorpsi, menaxher projekti pranë PPNEA tregon se pikë tjetër e rëndësishme është pjesa e bërjes së një raporti të ri, të një monitorimi të ri në zonë dhe pas këtij monitorimi të rishikohet dhe lokacioni i aeroportit.
“Ecuria apo marrëdhënia jonë me traktatet ndërkombëtare, është një shenjë sesa të aftë jemi në të jetojmë në BE- në; sesi do i menaxhojmë resurset natyrore të përbashkëta dhe kjo bëhet nëpërmjet konventave, e nëse nuk jemi aftë ta bëjmë, tregojmë se nuk jemi të gatshëm të jetojmë me rregullat e BE- së“- përmbledh Vorpsi.
Indiferenca e qeverisë shqiptare ndër vite ndaj “tërheqjes së veshit“
Më datë 29 nëntor – 03 dhjetor 2021, Komiteti i Konventës së Bernës zhvilloi mbledhjen e përvitshme në Strasburg. Në fokus të këtij takimi, sa i përket Shqipërisë, ishte çështja e Vjosës, aeroporti Vlorës dhe ligji që synon të rishikojë kufijtë e zonave të mbrojtura.
Komiteti i Konventës e Bernës shprehu shqetësimin e mos shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.
Takimi vjetor i Komitetit të Bernës në Strasburg, gjatë ditëve të para të dhjetorit 2022, i kërkoi qeverisë shqiptare ndalimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë. Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë në janar të vitit 1999.
Më 14 shtator 2023, në një deklaratë për shtyp nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile u komunikua kërkesa e radhës e Konventës së Bernës, për pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve. Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut. Vjosa u shpall lumi i parë i egër Park Kombëtar në Evropë në Mars të 2023 dhe u vendos nën mbrojtje nga qeveria Shqiptare.
Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar fort ndërtimin e aeroportit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë Shqiptare të ndalojnë këtë projekt i cili është shkatërrues për natyrën.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.