Citizens.al

9 kulla me 299 kate në total, i shtohen Tiranës

Nëntë kulla të reja i shtohen Tiranës së fundmi. Qeveria shqiptare përmes Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar përgjatë vitit 2023, nëntë vendime që i hapin rrugën ndërtimeve të reja, me lartësi nga 12 deri në 58 kate.

“Lana Riverside Residences” është kulla më e re që do i shtohet kryeqytetit.

E pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës, kjo ndërtesë do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit. Kulla, pjesë e një kompleksi me godina 1,2,3,5,8 kate do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit.

Pas “Lana Riverse Residences”, për nga lartësia renditet kulla e emëruar “Barcelona Tower”, e cila do te jetë 192.8 metër e lartë, duke numëruar 50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve.

“Barcelona Tower”

Ndërtuesi i kësaj kulle është kompania “Bami Holding” e biznesmenit Besnik Bami.

“Tirana, një shesh ndërtimi pa kriter”

Këto nuk janë kullat e vetme që po ndërtohen në Tiranë. Për vitin 2023, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) janë miratuar lejet për nëntë ndërtime nga 12 deri në 58 kate. Shumica e këtyre lejeve janë afër qendrës së qytetit, një zonë tanimë e mbi ndërtuar.

Përpos “Lana Riverside Residences” dhe “Barcelona Tower” që janë më të lartat ndërtesa mes 9 lejeve të dhëna për 2023, renditen edhe 7 të tjera, me tipologji të ndryshme.

Në rrugën “Liman Kaba”, afër Komunës së Parisit do të ndërtohet një godinë 25 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me funksione shërbimi, hotelerie dhe rezidenciale. Zhvilluar nga Unico Construction Sh.P.K.

“Tirana New Boulevard”, një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me 41 dhe 44 kate mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë do të ndërtohet te Bulevardi i Ri nga “Smart Construction Invest” SH.P.K. “Progeen”  Sh.P.K.

“Green Tower”, një ndërtesë deri në 18 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, do të marrë formë në Bulevardin “Gjergj Fishta”.

“Bazaar Gate, një kullë 27 katëshe mbi tokë dhe 4 nëntokë do të zërë vend në rrugën “Luigj Gurakuqi”, zhvilluar nga shoqëria “Bregu” Sh.A.

Në rrugën e barrikadave, një kullë 58 kate mbi tokë dhe 7 nën tokë me qëllim multifunksional do të zhvillohet nga “Nova Construction-2012” Sh.P.K. Ende nuk është bërë publik projekti dhe dizajni i ndërtesës.

Vendimi

Po ashtu, një ndërtesë nëntë katëshe do të ndërtohen pranë stadiumit Dinamo.

Kjo godinë nëntë katëshe mbi tokë dhe tre kate parkim nën tokë do të zhvillohet nga “Comfort Development” Sh.P.K.

Ndërsa në zonën e ish-Bllokut, shembja e dy godinave një katëshe do ti lërë vendin një ndërtese 12 kate mbi tokë dhe 6 nën tokë. Godina do të zhvillohet nga “Forever Construction” Sh.P.K, në rrugën “Brigada e VIII”.

“Kulla me para borxh”

Projektet e reja qiellgërvishtëse në kryeqytet shihen me shqetësim nga grupet e aktivistëve politikë.

Lëvizja Bashkë, e cila ka ndjekur së fundmi situatën e ndërtimeve në qendër të Tiranës, shprehet se këto projekte si “logjikë e fitimit në kurriz të jetës së banorëve të Tiranës dhe hapësirës publike ka shpërfilluar nevojat dhe të drejtat e komunitetit në emër të interesave financiare të një grupi të vogël”.

Sipas Lëvizjes Bashkë, ndërtuesit e kullës në Bulevardin Gjergj Fishta, rezultojnë me bilanc negativ në QKB, duke e parë me shqetësim kësisoj procesi ne lejeve dhe vlerësimin e subjekteve që merren me ndërtim në Tiranë.

“Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit është një problem serioz që ka ndikim të thellë në ekonominë dhe integritetin e një vendi. Ndërsa sektori i ndërtimit rritet, ka tendencë që tërheq vëmendjen e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave. Kompanitë e ndërtimit, në disa raste, mund të përdorin ndërtime të mëdha si një mjet për të futur paratë e fituara nga aktivitete të tjera ilegale apo për të legalizuar fitimet e marra nëpërmjet veprimeve të dyshimta. Kjo mund të përfshijë shpërdorime të lejeve ndërtimore, fatura të rreme dhe transaksione të dyshimta financiare që mund të maskohen pas komplekseve të ndërtimeve”,-thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.

Projektet që po betonizojnë qendrën historike të Tiranës

Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.

Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit.

Kullat që po ndërtohen në qendër të qytetit janë:

  • Tirana’s rock – një kullë prej 24 katesh në formën e bustit të heroit kombëtar Skënderbeu, po ngrihet mbi rrënojat e vilave 100-vjeçare të rrugës “Broduej”.
  • “New Hotel Tirana International” – Një kullë 33 katëshe që do të jetë vazhdimi i hotelit “Tirana Internacional”, i njohur si 15-katëshi i Tiranës.
  • Book Building – Është një kompleks godinash 4,5,11 dhe 21 katëshe që po ngrihet vetëm 8 metra larg Sahatit të Tiranës, ndërtesës simbol të kryeqytetit.
  • “Eyes of Tirana” – Kulla 24 katëshe e ngritur në lulishten krah Bankës së Shqipërisë mori “bekimin” e KKT në vitin 2017.
  • “Forever Green” – Kulla nisi punimet në shkurt të vitit 2011. Për ta përfunduar projektin e kullës 25 katëshe u deshën 13 vite pas falimentimit të kompanisë që nisi punimet, ajo u përfundua nga kompania “AlbStar”.
  • “Tirana Mount” – Një kullë prej 185 metrash do të ngrihet në një hapësirë të gjelbër pas Operas.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *