Citizens.al

“Ndryshim i parakohshëm” ligji i ri për prokurimet publike pritet me kritika

Në një seancë të mbajtur online të hënën, Komisionin e Ekonomisë në Kuvend diskutoi projektligjin e ndryshuar për Prokurimet Publike. Propozimi është paraqitur nga qeveria shqiptare në muajt qershor-korrik 2023.

Ndërkohë, Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), i cili monitoron prokurimet publike përmes Open Data Albania, ka shprehur kritika ndaj këtyre ndryshimeve nëpërmjet një letre me rekomandime gjatë periudhës së konsultimit publik me qeverinë.

AIS, pas shqyrtimit të kryer në projektligj, ka ardhur në përfundim se “thelbi dhe qëllimi i vërtetë i ndryshimeve të propozuara është krejtësisht i ndryshëm nga ajo që thuhet në raportin shpjegues“.

Aranita Brahaj, përfaqësuese e AIS, ka analizuar tre shtyllat kryesore të ndryshimeve që përfshjnë: inteligjencën artificiale, shërbimet me pagesë dhe sistemin e ri elektronik.

“Tenderat mund të zhvillohen nga kompani private”

Sipas draftit, procedurat publike për tendera nuk do të bëhen vetëm nga institucionet publike, por parashikohet që të ketë një “ofrues të shërbimit të prokurimit“, i cili mund të jetë privat, publik ose i huaj. Pra sipas ndryshimeve edhe një kompani private mund të zhvillojë një procedurë tenderimi.

Në lidhje me shërbimet me pagesë, AIS sqaron se ky është një koncept i propozuar për herë të parë në projektligj dhe është i paqartë përshkrimi dhe roli i tij.

“Ligji nuk ofron një referencë dhe përfundim të qartë për mënyrën se si do të kryhet ky funksion, duke lënë në paqartësi statusin, licencën ose titullin ligjor të “Ofruesit të Shërbimit të Prokurimit me Pagesë”, sipas AIS.

Po ashtu, nuk është specifikuar nën cilat rrethana një Autoritet Kontraktues do të zgjedhë një “Ofrues të Shërbimit të Prokurimit me Pagesë”.

Për Aranita Brahaj mos përcaktimi se si do të zgjidhet ky ofrues shërbimi, pra në cilat procedura konkurruese është “i padrejtë, diskriminuese dhe abuziv”.

“Duhet të ketë një konkurrencë për zgjedhjen e furnizuesve të shërbimeve të prokurimit/koncesionit/ankandit”, thotë Brahaj.

Tjetër  pikë problematikë është se lejohet që ky ofrues të jetë edhe i huaj. Për Brahajn, kjo dispozitë është në kundërshtim të plotë me Ligjin mbi Prokurimet Publike.

Brahaj shprehet se kompanitë e huaja nuk e njohin kornizën ligjore shqiptare, që sipas saj është problematike. Por përveç kësaj, ajo thotë se kjo “mund të ngrejë shqetësime në lidhje me sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”.

“Sistem elektronik me pagesë për prokurimet”

Çështja e dytë e kritikuar nga AIS është ajo e sistemit të ri elektronik me pagesë.

Qeveria propozon themelimin e një Sistemi Elektronik të Prokurimeve (EPS) që do të jetë i aksesueshëm vetëm kundrejt pagesës. Meqenëse aktualisht ekziston një sistem pa pagesë për prokurimet publike që funksionon mirë, AIS vlerëson se ky hap është pas mbrapa në fushën e prokurimeve.

“Zbatimi i pagesave do të krijojë kosto shtesë për të gjithë përdoruesit e EPS (Operatorë, Autoritete, gazetarë, monitorues, OJQ, mbikëqyrës”, thotë AIS.

Ndryshimet nuk kanë përfshirë ndonjë vlerësim të kostos që do të duhet për ndërtimin e këtij sistemi të ri.

Kjo sipas AIS është shqetësuese për koston e shtuar dhe kufizimin e transparencës.

“Aksesimi i paguar në EPS kufizon transparencën në fushën e prokurimeve”, nënvizon AIS.

“Inteligjenca Artificiale”

Inteligjenca artificiale është koncepti i tretë i kritikuar nga AIS.  Aranita Brahaj shprehet se është një koncept i paformuar, në mungesë të ligjeve që rregullojnë zbatimin e saj në praktikë.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale propozohet si një mekanizëm që do të shërbejë për zhvillimin e Sistemit Elektronik të Prokurimeve për standardizimin e specifikimeve teknike.

Bazuar në raportin shpjegues të projektligjit,  aplikimi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale propozohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP).

AIS thekson se nuk ka një përkufizim të saktë ose të përgjithshëm të termit “Inteligjencë Artificiale.”

“Së dyti, propozuesit nuk kanë dhënë asnjë referencë për Udhëzimet e BE-së që projektligji synon të bëjë pajtim me këtë mekanizëm”, vë në dukje AIS.

Më tej thotë se nuk është parashikuar asnjë mekanizëm për kontrollin ose auditimin e “Inteligjencës Artificiale.”

Në përfundim, AIS kërkon të tërhiqet projektligji nga procesi i konsultimit dhe avancimit, duke e cilësuar si të parakohshëm dhe me mangësi në përshtatjen me legjislacionin kombëtar.

Gjithashtu, ata kërkojnë një vlerësim teknik të gjendjes së sistemit ekzistues të prokurimeve publike dhe i bëjnë thirrje Këshillit të Ministrave që të sigurojë transparencë dhe pjesëmarrje në procesin e prokurimit publik për projektet e ardhshme.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW