Me 5 vota pro dhe 4 kundër, Gjykata Kushtetuese u shpreh në favor të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke i dhënë të drejtë qeverisë.
Gjykata e ka cilësuar kështu marrëveshjen në përputhje më Kushtetutën, pavarësisht kundërshtive të qytetarëve, opozitës dhe organizatave ndërkombëtare.
Gjatë seancës një grup qytetarësh u mblodhën përpara Gjykatës Kushtetuese për të tretën herë duke bërë thirrje që kjo marrëveshje të mos kalojë.
Ata përsëritën argumentet kundër dhe u shprehën se vendimi që do të marrë Gjykata mbi këtë rast “do të tregojë dhe seriozitetin e këtij institucioni”.
“Kjo marrëveshje është thelbësisht e gabuar dhe kundër interesit të këtij vendi”, u shpreh aktivitsja Arlinda Lleshi.
E pranishme ishte dhe një aktiviste nga Italia që merret me çështjet e emigrimit. Ajo u shpreh se “kjo marrëveshje nuk i jep të drejta dinjitoze emigrantëve dhe as popullit shqiptar”.
Ajo u shpreh se edhe qendrat në Itali që trajtojnë emigrantët janë në kushte shumë të këqija dhe mungojnë shërbimet.
Kësisoj, nisur nga ky fakt ajo shprehur shqetësimin e saj se si mund të trajtohen këta emigrantë edhe në Shqipëri.
Marrëveshja parashikon ngritjen e dy kampeve, një në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendër në Gjadër, ku personat do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.
Edhe Dhoma e Deputetëve në Itali miratoi dy projektligje për ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy CPR-ve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë
Më 18 janar, 31 organizata lokale dhe ndërkombëtare hartuan një opinion miqësor për gjykimin e kësaj marrëveshje, duke renditur disa pika ku shkelet Kushtetuta.
Edhe organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) theksoi përmes një deklarate se kjo marrëveshje i tejkalon kufijtë ligjorë.
Po ashtu, ekspertët e ligjit dhe të emigracionit janë shprehur kundër kësaj marrëveshje, duke u thënë se autoritetet italiane nuk garantojnë në terma praktikë zbatimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi i emigrantëve.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.