Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) dorëzoi sot në Kuvend projekt – ligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal në lidhje me veprat penale që kanë në qendër dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.
Një projektligj me shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal në lidhje me veprat penale që kanë në qendër dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, u dorëzua sot në Kuvend.
“Kemi propozuar pesë nene që duhet të ndryshojnë urgjentisht! Propozimet nisin që nga mosha e dhënies së pëlqimit për marrëdhënie seksuale, sepse në Shqipëri ëshët 14 dhe ne e kemi propozuar 16“- thotë për Citizens Channel Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), e cila propozoi ndryshimet.
Sipas propozimit, kryerja e akteve me natyrë seksuale me një person të mitur të moshës deri gjashtëmbëdhjetë vjeç, do të dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Përjashtim do të ketë vetëm kur i mituri hyn në një raport intim me një person deri në 2 vite më të madh.
Gjithashtu u propozua të shtohet neni 100/b, i cili parashikon komunikimin me fëmijën me mesazhe për qëllime seksuale (sexting), të dënohet me burgim deri në tre vjet.
“Ka tre vjet Ministria e Drejtësisë që është duke punuar për Kodin e ri Penal, tre vjet që nuk bëjnë asgjë publike“- thekson Altin Hazizaj.
Ai shpjegon që fillimisht duhet të hidhet për konsultim publik Kod i ri Penal, e pas rishikimit të propozimeve, Ministria do të publikojë versionin përfundimtar.
Policia e Shtetit raporton se thuajse çdo vit janë të paktën 120-150 krime seksuale që kryen ndaj fëmijëve nën moshën 18 vjeç në Shqipëri, të cilat përbëjnë rreth 80% të të gjitha krimeve seksuale të kryera në vend.
Siç shihet edhe nga tabela, vihet re një dyfishim i krimeve seksuale ndaj fëmijëve nën 18 vjeç nga viti 2008 në vitin 2022. Viktimat më të prekura të këtyre grupimeve i përkasin moshës 13-14 vjeç që është thuajse kufiri aktual i marrëdhënies së lejuar dhe me pëlqim të hyrjes në një marrëdhënie seksuale.
“Ndaj në këtë kuadër, rritja e moshës nga 14 në 16 vjeç, jo vetëm vendos një tavan mbrojtës për fëmijët nën këtë moshë për të mos-hyrë në marrëdhënie seksuale të dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale me një të rritur, por edhe e sjell moshën e dhënies së pëlqimit të hyrjes në marrëdhënie seksuale në një stad ku adoleshentët janë shumë herë më të aftësuar për ta kuptuar marrëdhënien seksuale dhe pasojat e saj, gjithnjë brenda përbrenda grup-moshës së tyre“- konfirmon relacioni shoqërues.
Për vitin 2022 platforma “iSIGIURT.al” raportoi mbi 150 incidente të fëmijëve të ndodhura online si bulizmi online, pornografi me fëmijët në internet dhe ekspozimin ndaj imazheve me përmbajtje seksuale.
“Ne propozojmë heqjen e termit “homoseksuale” në nenet e ndryshuara dhe të paraqitura në këtë projekr-ligj për shkak sepse dhuna seksuale ndaj fëmijëve prodhon pasoja të njëjta si për djemtë dhe për vajzat. Ajo është dhunë dhe mbetet dhunë. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që vijon ta përdorë këtë term në legjislacionin e tij penal, që është në fakt një atavizëm i mbetur nga periudha e errët e komunizmit“- përfundon relacioni shoqërues.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.