Citizens.al

Shqipëria fiton një pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

Shqipëria ka fituar një pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Një vit më parë, Shqipëria është vlerësuar me 36 nga 100 pikë sipas raportit, teksa në 2021 u vlerësua me 35 pikë.

Raporti thekson se vendimi për krijimin e një organi të ri, Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit.

Sipas raportit vendi ynë po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivelet e larta drejtuese, duke cituar këtu organin e SPAK – ut (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar).

Kosova qëndron me katër pikë më shumë se Shqipëria,  por gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, duke shënuar 41 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Transparency International analizon se në Kosovë është më shqetësuese mungesa e vullnetit politik për një pavarësi të sistemit gjyqësor.

“Më keq akoma, ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, pasqyruar me rastin e shkarkimit të kreut të njësisë së posaçme të hetimeve të policisë, si edhe pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, – thuhet në raport.

Listën e kryesor Danimarka, me 90 pikë,  si vendi me indeksin e perceptimit më të ulët të korrupsionit, ndërsa e fundit në listë renditet Somalia, me 180 pikë.

Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni.

“Aktet korruptive si ryshfeti dhe shpërdorimi i pushtetit po depërtojnë gjithashtu në shumë gjykata dhe institucione të tjera të drejtësisë anembanë globit. Aty ku korrupsioni është normë, njerëzit vulnerabël kanë kufizuar aksesin në drejtësi, ndërsa të pasurit dhe të fuqishmit kapin sisteme të tëra drejtësie, në kurriz të së mirës së përbashkët “- përfundon raporti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *