Citizens.al

Ambientalistët në Kuvend kundër projektligjit për zonat e mbrojtura: “U hartua pa ekspertë të mjedisit”

Komisioni Parlamentar për Mjedisin mbajti sot seanca e dytë dëgjimore me përfaqësuesit e organizatave mjedisore ku u diskutuan ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.

Ambientalistët renditën arsyet e tyre se pse ky projekt – ligj i propozuar nga 12 deputetët e  Partisë Socialiste është i papranueshëm.

“N.q.s. do të miratohet kështu si është, pa rishikime, përbën një nga tërmetet më të mëdha për zonat e mbrojtura, sepse legjitimon paligjshmërinë me një të rënë të lapsit, duke krijuar edhe precedentin për më pas “ –  tha gjatë seancës Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Nika shprehu shqëtësim për ndryshimin që i jep 20% të sipërfaqes në menaxhim bashkive, duke theksuar se zonat e mbrojtura duhet të ruhen si një e tërë.

“Projekti është punuar me juristët e kuvendit që nuk janë specialistët më të mirë të kësaj fushe, kuvendi ka mungesa specialistësh, por këto janë probleme që kanë disa vite që trashëgohen dhe ka ardhur momenti që të nisin të artikulohen“ –  pohoi kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi.

Aleksandër Trajçe nga organizata “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) shpjegoi se problematikat që predikohen në ligjin e ri të propozuar si për shembull, mos marrja parasysh e komunitetit që jeton në këto zona, janë tërësisht të pavërteta.

“Ne duhet të kemi një analizë të ligjit aktual para se të kalojmë te kalimi i nevojave për ndryshim. Ngrihet shqetësimi i përputhshmërisë së këtij procesi dhe të këtij projektligji me direktivat evropiane“- tha Trajçe gjatë fjalës së tij.

Fadil Nasufi, një nga deputetët pjesëmarrës në komision, shpjegoi se gjatë viteve të tranzicionit në zonat e mbrojtura ka pasur shumë ndërtime dhe ndërhyrje të cilat mbeten të pa trajtuara.

“Bëjmë promovim mbi bukuritë natyrore, por e dimë që udhëtimet janë konsum, pra duan dhe shërbime. Këto zona të mbrojtura të mos jene thjesht zona të konservuara, por që të prodhojnë turizëm të kontrolluar. Këto komunitete brenda zonave të mbrojtura privohen nga mungesa e infrastrukturës dhe e shërbimeve, mungesa e lejeve etj., që i kemi marrë si ankesa nga kryetarët e bashkive“- tha Nasufi gjatë fjalës së tij.

Zydjon Vorpsi nga PPNEA tha se ka shumë paqartësi në ligjin e ri, si për shembull në draft thuhet do lejohen impiantet e naftës, ndërsa në dëgjesë dje u tha që nuk do të lejohen.

“Të hapet procesi të thirren ekspertët, mund të kërkojmë asistencë edhe gjetkë! “- përfundoi fjalën e tij Olsi Nika.

56 organizata kërkojnë tërheqjen nga projektligji

56 organizata i kërkuan dje qeverisë shqiptare tërheqjen e projektligjit për zonat e mbrojtura nga seanca plenar e planifikuar më 15 shkurt 2024. Në letrën e dërguar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, grupi i organizatave theksoi se përgjatë periudhës së konsultimit publik, shumë prej të interesuarve nuk kanë patur mundësi dhe akses të dërgojnë komentet e tyre.

“Ndryshe nga sa parashikon legjislacioni në fuqi, deri tani nuk kemi marrë asnjë komunikim/reagim për komentet tona dhe për kërkesat e përcjella së bashku me to. Nuk kemi arritur të marrim asnjë informacion të plotë dhe dokumentacionin respektiv në lidhje me procedurat e ndjekura të shqyrtimit të projektligjit, por mbi të gjitha të pjesëmarrjes së publikut dhe aktorëve të interesit për konsultimin e këtij projektligji“- citohet në letër.

Gjatë seancës së sotme të diskutimit kryetari i komisionit Arben Pëllumbi shpjegoi se faqja për konsultim zyrtar rri një periudhë të caktuar dhe pastaj çaktivizohet, nuk mund të rri gjithë kohës aktive.

Qeveria shqiptare deri më tani e ka mbështetur hapur projektligjin në prezantimin e ideve finaliste për konkursin ndërkombëtar për Qendrën Multifunksonale për Parkun Kombëtar të Vjosës.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW