“Muret e Portës” në Durrës u përfshinë në listën paraprake të “7 Monumenteve më të Rrezikuara” për 2024, nga organizata Europa Nostra.
Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” u shkatërrua pjesërisht dhe u rrethua nga kompania “Port MBM”, e cila përmes një koncensioni të dhënë në 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, po punon dhe administron portin e hidrokarbureve.
Përpjekja për të rritur ndjeshmërinë mbi gjendjen e monumentit në nivel ndërkombëtar erdhi nga Qendra Amfora, e përfaqësuar nga aktivisti i ri tek “Europa Nostra”, Heldi Kodra, që prej 30 shtatorit 2023.
Geri Emiri, drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, shpjegon se pavarësisht statusit Monument Kulture i kategorisë I që prej vitit 1948, e gjithashtu shpalljen Zonën e Mbrojtur përreth monumentit nga Ministria e Kulturës në 2016, kjo nuk e ndaloi kompaninë koncesionare që të rrafshonte sipas ekspertëve 78 metra nga muri perëndimor.
“ Institucionet e drejtësisë, të territorit dhe të kulturës dështuan të mbronin një nga monumentet me statusin më të plotë ligjor në vend, duke ekspozuar edhe Kuvendin e Shqipërisë, që lejoi një koncesion që të shkatërronte një pjesë të identitetit tonë kombëtar“- tha ai për Citizens Channel.
Në vitin 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi koncesionin e formës BOT për ndërtimin e një porti hidrokarburesh në Porto-Romano si dhe operimin e tij për një periudhë 35 vjeçare. Kontrata u amendua sërish në vitin 2020, kur kompanisë Porti MBM iu dha gjithashtu e drejta e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar.
Emiri shpreson që “Europa Nostra” ta përfshijë në listën e ngushtë me 7 monumentet më të rrezikuara në kontinent, që ptitet të shpallet me qëllim hartimin e projekteve dhe planeve për restaurimin dhe rikuperimin e pjesës së mbetur të monumentit.
“Ky vendim i jep tashmë monumentit rëndësi europiane. Përzgjedhja në listën paraprake të këtij programi dëshmon se fushata është në rrugën e duhur dhe njëkohësisht përforcohet thirrja për mbrojtjen e monumentit dhe reagimin e institucioneve“- thekson aktivisti Heldi Kodra.
Programi “ 7 monumenteve më të rrezikuara “ i shpallur nga organizata Europa Nostra identifikon monumentet dhe vendet e rrezikuara në Evropë dhe mobilizon partnerët publikë dhe privatë në nivel lokal, kombëtar dhe evropian për të gjetur një të ardhme të qëndrueshme për to. Lista përfundimtare përzgjidhet nga Bordi i Europa Nostra.
Kjo është hera e katërt që organizata ”Europa Nostra” ka mundësi të rendis një nga monumentet e Shqipërisë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara.
Ndër monumentet e rrezikuara ndër vite përmendim: Teatrin Kombtar, Kishat post bizantine në Voskopojë e Vithkuqi, dhe Urën e Zogut në Mat.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.