Autor: Artan Rama | Citizens Channel
Në një postim të pazakontë në Platformën X (ish-Twitter), Silvio Gonzato, ambasadori i sapoardhur i Bashkimit Evropian në Shqipëri, reagoi për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të propozuara nga Kuvendi. Ai kërkoi që “çdo ndryshim në ligjin aktual, t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte, ku të përfshihen të gjithë aktorët”. Ai ngriti shqetësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, gjatë një takimi në selinë e kryesisë së Kuvendit, të mërkurën e shkuar (31 janar), me kryetarin e Komisionit Parlamentar të Mjedisit Arben Pëllumbi,.
Reagimi pasoi shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile (kryesisht me fokus mbrojtjen e mjedisit) për mënyrën dhe procedurën e ndjekur nga Kuvendi për konsultimet publike lidhur me ndryshimet e legjislacionit të zonave të mbrojtura. Në dhjetor (2023), administrata e Kuvendit njoftoi se sistemi i të dhënave digjitale u godit nga një sulm kibernetik; faqja e Internetit të Kuvendit ra, ndërkohë që një pjesë e të dhënave u fshi përgjithmonë e bashkë me to edhe platforma e konsultimeve, në të cilën sapo ishin hedhur komentet e qytetarëve për ndryshimet në fjalë.
Përfshirja e Gonzatos për zonat e mbrojtura është nga çështjet e para të diskutuara me autoritetet shqiptare, ndërkohë që faza e prezantimeve, si i sapoemëruar, nuk ka përfunduar ende.
Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë po tregon një interes të shtuar. Delegacioni po mbështet dukshëm mbrojtjen e mjedisit. Tre projekte disa milionëshe, sapo kanë filluar zbatimin (EU4Rivers 9ml; EU4Green 10ml; EU for Circular Economy 19ml). Një projekt i mëhershëm i financuar nga Bashkimi Evropian, ka identifikuar një numër zonash “Natyra 2000”, potencialisht si territore që duhen mbrojtur, pasi vendi të jetë bërë, zyrtarisht, pjesë e BE-së. Por shumë prej tyre rrezikojnë që të preken sot nga ndryshimet e kërkuara.
Një reagim i ngjashëm u bë, njëkohësisht, në faqen e Facebook-ut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku megjithëse me një gjuhë diplomatike, postimi përcjell një mesazh të qartë për autoritetet: Shqipëria rrezikon integrimin, nëse nuk mbron mjedisin!
Të mos harrojmë se veprimet e qeverisë shqiptare ranë nën radarët e gjelbër të Këshillit të Evropës qëkur Konventa e Bernës kërkoi pezullimin e punimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, nëntorin e shkuar, për shkak të rrezikut potencial që mund të shkaktonte në peizazhin e mbrojtur rreth Lagunës së Nartës, vijimi i punimeve. Por me ndryshimet e fundit ligjore, shtohet rreziku i shkatërrimit të të gjithë peizazheve të mbrojtura kombëtare.
Kuvendi ka programuar 15 shkurt-in për kalimin e ndryshimeve ligjore në seancë plenare, ndonëse Pëllumbi deklaroi së data edhe mund të shtyhej. Tensioni i krijuar ka rritur gadishmërinë dhe vigjilencën mes palëve. Javën që vjen pritet që të mbërrijë në Kuvend mendimi i Këshillit të Ministrave. Sesioni i dëgjesave nuk është mbyllur ende.
Kujtojmë se nisma për ndryshimin e ligjit të zonave të mbrojtura nisi me vrull në fund të 2023-shit, kur opozita kishte braktisur Kuvendin dhe kur vendi i ambasadorit të BE-së kishte mbetur bosh. U kuptua se autoritet po nxitonin që të shtronin rrugën ligjore gjatë stinës së ftohtë për të mundësuar zbatimin e investimeve të mëdha në turizmëm në stinën e ngrohtë. Por organizatat mjedisore dhe aktorë të tjerë që mbrojnë mjedisin i denoncuan këto përpjekje, si një rrezik i mundshëm për shkatërrimin e burimeve dhe të parqeve natyrore të vendit.