Komisioni i Ekonomisë dhe Financës miratoi pas 18 minutash diskutim, pa debat, ndryshimet në ligjin për Prokurimet Publike.
Megjithatë, Organizata Open Data Albania (ODA), që merret me monitorimin e transparencës dhe të dhënave në lidhje me Prokurimet Publike, ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj këtyre ndryshimeve ligjore.
Drejtuesja e ODA, Aranita Brahaj, i cilëson ndryshimet si të parakohshme dhe të rrezikshme, duke shtuar se ato mund të përdoren si mjet korruptiv nga qeveria.
“Ligji ka rrisk potencial për t’u aplikuar si Ligj Korruptiv”, – thotë Brahaj, duke shtuar se kjo mund të hapë rrugën për abuzime me fonde publike nga ana e qeverisë.
Jonaid Myzyri, përfaqësuesi i Komisionit të Prokurimeve Publike, përgëzoi ndryshimet duke argumentuar se ato përafrohen me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i përgjigjen sfidave të së ardhmes.
Megjithatë, ODA ka dërguar një oponencë në Kuvend, duke theksuar se neni 48/2 i propozuar është në kundërshtim me nenin 74 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Neni 48 lejon negociata dhe marrëveshje konsulence ndërkombëtare në fushat e interesit strategjik, përfshirë inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike.
Neni 48/2 Brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore/publike në nivel qendror të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje konsulence ndërkombëtare brenda fushës së kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik, në drejtim të aplikimit të inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, infrastrukturës kritike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në oponencën dërguar Kuvendit, ODA nënvizon se ky nen e bën ligjin potencialisht korruptiv.
Brahaj shprehet se “parlamenti me këtë ligj i jep qeverisë një çek të bardhë të paguajë sa do e kë të dojë në emër të inovacionit”.
Brahaj thotë se ndryshimet ligjore krijojnë hapësira që në 3 vite, qeveria të bëjë kontraktime pa procedurë negocimi.
Sipas ODA, ky nen është shqetësues pasi mund të zbatohet për përdorimin e kontratave në mënyrë arbitrare.
“Nga ana tjetër ky ligj i jep të drejtë qeverisë të bëjë ndërhyrje inovative, por nuk ka referencë sa është kosto e kësaj ndërhyrje”, – thotë Brahaj sa i përket ndryshimeve dhe futjes se inteligjencës artificiale si pjesë e procesit të prokurimeve.
Ajo thekson se relacioni i ligjit duhet të kishte edhe vlerën sa kushton sistemi elektronik i integruar dhe si do të buxhetohet.
Qeveria propozon themelimin e një Sistemi Elektronik të Prokurimeve (EPS) që do të jetë i aksesueshëm vetëm kundrejt pagesës. Meqenëse aktualisht ekziston një sistem pa pagesë për prokurimet publike që funksionon mirë, ODA vlerëson se ky hap është pas mbrapa në fushën e prokurimeve.
Open Data Albania ka kundërshtuar disa pika, të cilat janë propozuar për ndryshim:
Së pari tenderat mund të zhvillohen nga kompani private. ODA shprehet se ky është një koncept i propozuar për herë të parë në projektligj dhe është i paqartë përshkrimi dhe roli i tij.
Po ashtu nuk janë specifikuar nën cilat rrethana një Autoritet Kontraktues do të zgjedhë një “Ofrues të Shërbimit të Prokurimit me Pagesë”.
Së dyti është krijimi i sistemit të ri elektronik me pagesë.
Së treti, Inteligjenca Artificiale. Sipas ODA është një koncept i paformuar, në mungesë të ligjeve që rregullojnë zbatimin e saj në praktikë.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.