Citizens.al

13 mln euro tendera për “Tigri 1” dhe Tigri 3”, pa u vënë asnjë ditë në punë

Dy Termocentralet (TEC) lundruese në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” prej më shumë se një viti po lundrojnë në gjirin e Vlorës ende pa prodhuar energji.

Por pavarësisht kësaj, KESH ka paguar deri më tani 12.8 mln euro për katër tendera të ndryshëm. Më konkretisht KESH pagoi 1.2 milionë për ankorimin dhe 7.2 milionë për transportin e naftës, teksa ka hapur së fundmi një tender me vlerë 2 milion për sigurimin e TEC-it lundrues dhe një ofertë pr blerjen e 4 mijë ton lende djegëse HFO.

Referuar çmimit në bursë që është 555 dollarë/ ton, 4 mijë ton mund të kushtojnë 2 milionë e 220 mijë dollarë.

Fillimisht, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, u shpreh se ato do të nisnin prodhimin e energjisë në janar 2023, për të “shpëtuar” kështu vendin “nga kriza energjetike”, e cila nuk ndodhi. Por kontrata nuk u anulua.

specifikimet teknike në shpallje e tenderit, sqarohet se me sigurimi përfshin: sigurimin e anijeve, mbrojtjen dhe dëmshpërblimin, dëmet, kompensimi i punëtorëve në rast dëmtimesh, dhe sigurimi i pronës.

Vlera minimale për të siguruar infrastrukturat fikse është 10 milionë euro ndërsa për “Tigri 1” dhe “Tigri 3” është 20 milionë euro.

Në vitin 2022 qeveria vendosi shpalljen e një tenderi me procedure emergjente për marrjen me qira të dy anijeve gjenerator, me justifikimin që Shqipëria ishte në krizë energjetike.

TEC-et u morën me qira për dy vite për prodhim energjie. Pas më shumë se një viti që kur anijet u ankoruan në Vlorë, dy tecet nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji.

Deklaratat se do të nisin punë “shumë shpejt” janë shkelur disa herë. Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).

Kosto ditore sipas marrëveshjes dypalëshe është 63 mijë$ /ditë +31.500 $ /ditë, në total 94 mijë dollarë në ditë për qiranë dhe mirëmbajtjen.

KESH ka thënë më herët në një përgjigje për Citizens Channel se: “Zbatimi i kontratës mes palëve, për periudhën 2 vjeçare, fillon vetëm pas realizimit me sukses të komisionimit të njësive gjeneruese, moment ky nga i cili fillojnë edhe detyrimet financiare për palën KESH sh.a”. KESH theksoi se aktualisht nuk është realizuar asnjë pagesë për qira e mirëmbajtje.

Në tetor të 2023 u shpall fituesi i tenderit për depozitimin dhe ngarkimin e lëndës djegëse, që kushton 7.2 milion euro. Kompania “Petrofileria” fitoi pa garë tenderin.

Në total për dy vite nga taksat e qytetarëve do të merren mbi 72 milion euro.  Vlera e karburantit që është parashikuar të blihet nga KESH i kalon 100 milionë euro.

Për të prodhuar 1 Mëh duhen rreth 230 Kg lëndë djegëse e kategorisë së dytë që do të thotë se, në rastin e shfrytëzimit me kapacitet të plotë të impiantit, nevoja për furnizim është 500 ton lëndë djegëse në ditë.

Eksperti Azmer Duleviç sqaron se çmimi i një Mëh në bursë është rreth 100 euro. “Nëse Tecet prodhojnë sot energji çmimi që do e prodhojnë 1 Mëh është mbi 290 euro. Me pak fjalë nga ana ekonomike nuk na hyjnë në punë”, thotë ai.

Teksa ekspertët e mjedisit kanë ngritur alarmin për impaktin mjedisor që këto TEC-e do kenë nëse vihen në punë, përpos kostove të madhe ekonomike.

Ambientalistët kanë depozituar edhe një padi në gjykatë për TEC-et lundruese, ku kërkojnë anulimin e qiramarrjes.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW