Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: Tregjet kriminale lulëzojnë në Shqipëri, krimi u ul me vetëm 0.46 pikë

Tregjet kriminale vijojnë të kenë aktivitet të lartë në Shqipëri, por Indeksi i Iniciativës Globale vlerëson se ka një ulje të tij krahasuar me vitet e kaluara. Për vitin 2023, ulja e nivelit të kriminalitetit është me 0.46 pikë që nga vitit 2021.

“Megjithatë, vendi ka ende tregje kriminale me rezultate të larta, duke përfshirë tregtinë e kokainës dhe kanabisit, krimet financiare, krimet kibernetike, kontrabandën e qenieve njerëzore dhe tregtinë e heorinës”, -thuhet në Indeksin e Iniciativës Globale.

Burimi: Global Initiative

Indeksi i Iniciativës Globale vlerëson dy çështje që janë kriminaliteti, ku bëjnë pjesë tregjet kriminale dhe aktorët kriminalë dhe qëndrueshmërinë.

Sipas raportit, përmirësime të vogla janë kryer në disa prej tregjeve kriminale.

“Në 14 tregjet kriminale të analizuara, Shqipëria ka bërë përmirësim për 0.5 pikë në këto tregje: tregtia me kokainë, tregtia me kanabis, kontrabandimi me migrantë dhe krimet e burimeve jo të rinovueshme. Tregjet tjera kanë ngecur të njëjta ndërsa është rritur vetëm tregtia me drogat sintetike për 0.5 pikë”.

Niveli i kriminalitetit vlerësohet nga shkalla 1-10, ku sa më e madhe vlera, aq më i madh edhe niveli i krimit. Shqipëria rezultoi me 5,17 pikë për nivelin e kriminalitetit sipas raportit të 2023.

Sipas raportit, në vitin 2023 ka pasur rritje të konfiskimit të produkteve kriminale, por ende nuk ka një qasje strategjike për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale të vendosura jashtë vendit.

“Sa i përket aktorëve kriminal, ku vlerësohen pesë kategori, Shqipëria ka bërë progres për 0.5 pikë në përgjithësi. Më saktësisht, progres prej 0.5 pikëve është bërë tek grupet e stilit mafioz, rrjetet kriminale, dhe aktorët e vendosur brenda shtetit. Ndërsa, është keqësuar gjendja për 0.5 pikë te aktorët e huaj”, – saktëson raporti.

Burimi: Global Initiative

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022, Shqipëria renditet në vendin e 101 nga 180 vende, me një rezultat 36 nga 100.

“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz në vend dhe përbën një rrezik të përgjithshëm të pastrimit të parave. Numri i hetimeve për korrupsion po rritet, por shkalla përfundimtare e dënimeve mbetet e ulët”,- thuhet në raport.

Raporti thekson se tre fusha ku është bërë progres nga Shqipëria janë ai gjyqësor, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe aktorët jo-shtetërorë. Këtu nuk përfshihet progresi me pastrimin e parave, ku Shqipëria u largua nga lista gri e FAFT, pasi raporti mbledh të dhënat e vitit 2022.

“Sistemi gjyqësor me 1 pikë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar dhe aktorët jo-shtetërorë me 0.5 pikë secila. Sfidat kryesore, apo blloqet me pikët më të ulëta janë: kapacitetet rregullatore ekonomike, pastrimi i parave, mbështetja e viktimave dhe dëshmitarëve dhe transparenca dhe llogaridhënia e qeverisë”.

Sa i takon qëndrueshmërisë, vlerësohet njëjtë nga shkalla 1-10, mirëpo sa më e madhe të jetë vlera, aq më e fortë është qëndrueshmëria ndaj kriminalitetit. Në këtë rast, Shqipëria ka një qëndrueshmëri mesatare, duke u vlerësuar me 5.13 pikë.

Burimi: Global Initiative

Shqipëria në raport me vendet e Ballkanit

Ulje e nivelit të kriminalitetit vihet re edhe në vendet e tjera të Ballkanit, por krahasuar me Shqipërisë, kjo është një ulje më e vogël.

“Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë ulur kriminalitetin nga 0.04 pikë -Bosnja dhe Hercegovina deri në 0.28 pikë -Maqedonia e Veriut. Përderisa ndryshimi në pikë mund të duket i vogël, në realitet kjo paraqet një ndryshim të theksuar duke marrë parasysh se ndryshimi i pikëve zakonisht është në vlera mjaft të vogla”, -thekson raporti.

Në nivel global, Shqipëria ka përmirësuar pozitën për 26 vende ndërsa në nivel të Evropës për 6 vende.

Nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor e ka Kosova, me 4,97 pikë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 5.03 pikë, Shqipëria me 5,17 pikë, Bosnja dhe Hercegovina me 5.85 pikë, Mali i Zi me 5.90 pikë dhe Serbia me 6.22 pikë.

Burimi: Global Initiative

Ndërsa sa i përket qëndrueshmërisë ndaj kriminalitetit qëndrueshmëri më të fortë ka Maqedonia e Veriut me 5.29 pikë, ndjekur nga Shqipëria me 5.13 pikë, nga Kosova me 5.08 pikë, Serbia me 4.96 pikë, Mali i Zi me 4.75 pikë dhe me qëndrueshmërinë më të dobët nga Bosnja dhe Hercegovina me 3.88 pikë.

Burimi: Global Initiative

Roli i shoqërisë civile mbi flukset e paligjshme financiare

Sipas raportit, roli i shoqërisë civile në trajtimin e flukseve të paligjshme financiare (IFF) është i rëndësishëm.

“Në përgjithësi, ka përfaqësim aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, por ndonjëherë është i kufizuar për shkak të kufizimeve të financimit. Kjo gjithashtu kufizon kapacitetin e shoqërisë civile për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e IFF-ve, për të advokuar për ndryshime politikash dhe për të mbajtur qeverinë dhe sektorin privat përgjegjës për veprimet e tyre. Qeveria shqiptare dhe donatorët duhet të ofrojnë më shumë mundësi financimi dhe mbështetje për ngritjen e kapaciteteve për shoqërinë civile për të rritur ekspertizën e tyre në fushën e IFF-ve”,-thuhet në raport.

Sipas tij, shoqëria civile, gazetarët, qytetarët e angazhuar mund të luajnë rol jetik në ndërgjegjësimin për ndikimet negative që kanë flukset e paligjshme financiare në zhvillimin, qeverisjen dhe mirëqenien sociale të Shqipërisë; në hartimin e vlerësimit të politikave të rrezikut si dhe propozimin e zgjidhjeve; miratimin e përfshirjes së trajtimit të fluksese të paligjshme financiare në kurrikulat e arsimit, duke përfshirë edhe tekstet shkollore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *