Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qeveria e planifikoi dhënien e zonave të mbrojtura për investime strategjike

Shtyrja për të katërtën herë e ligjit për investimet strategjike dhe drafti i ri për rishikimin e zonave të mbrojtura ngrenë pikëpyetje për një strategji të qeverisë në kurriz të territoreve që gëzojnë mbrojtje ligjore.

Në janar të këtij viti, qeveria shtyu sërish ligjin për investimet strategjike, këtë herë deri në vitin 2027.  I miratuar si një ligj i përkohshëm në vitin 2015, ai ka shërbyer për të betonizuar kryesisht bregdetin, duke u dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin.

Në të njëjtën kohë që ky ligj është shtyrë disa herë, qeveria po përgatiste terrenin për dhënien e zonave të mbrojtura për investime strategjike.

“Tkurrja e zonave të mbrojtura hodhi themelet”

Hapat e parë për t’i hapur rrugë investimeve strategjike në këto zona, kanë nisur me tkurrjen e tyre, përmes dy VKM-ve të janarit 2022, ku qeveria hoqi mijëra hektarë nga zonat e mbrojtura, duke i reduktuar ato me 20% të sipërfaqes që kishin.

Pas këtyre dy ndryshimeve, ju hoq statusi zonë e mbrojtur dhe iu hap rrugë investimeve, në zonën urbane të Ksamilit, plazhin e Manastirit, të Pasqyrave, Pulëbardhave, Gjirit të Hartës e deri në kufirin jugor si Gjiri i Marinës e gjiri i Pemës së Thatë.

Vendimi i 2022 tkurri 15 % të sipërfaqeve në bregdet, ku u prekën mijëra hektarë në zonën e Vjosë-Nartës Velipojës, Divjakë-Karavastasë si dhe në Kune.

Qeveria tha asokohe se i rriti sipërfaqet e zonave të mbrojtura me 27%, por në fakt në këtë përqindje futen zona të thella malore, dhe tek rikufizimi i zonave u hoqën mijëra hektare vijë bregdetare e zona me rëndësi strategjike, të cilat i hapën rrugë investimeve.

Ministri i Blendi Klosi deklaroi asokohe se “viti 2019 do të shënojë një projekt goxha ambicioz përsa i përket zonave të mbrojtura”, duke shtuar se do të ridimensionojnë të gjithë kufijtë e zonave të mbrojtura për t’u dhënë atyre vlerë.

“Vlera” që po u jepet në të vërtetë zonave të mbrojutra është ndërtimi në to.

Shqipëria numëron 12 parqe kombëtare, 23 parqe natyrore, 516 monumente, 5 Zona të Mbrojtura me Interes Ndërkombëtar, 5 Peizazhe të mbrojtura dhe 1 rezervat të biosferës, të cilat me ndryshimet e fundit në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” kërcënohen nga ndërtimet.

Ekspertët shprehen se cenimi i zonave të mbrojtura me urbanizim, rrit presionin negativ në gjithë zonën.

“Ndërtimi i resortit në zonën e Kepit të Stillos në Parkun Kombëtar Butrint, shkakton tjetërsimin e habitatit ku ndërtohet resorti, humbjen ose largimin e specieve të pranishme në zonën e ndërtimit, rrit presionin në gjithë zonën qëndrore të parkut, si dhe shton presionin e ndotjes nga zhurma, ndotjes së ajrit dhe ujërave”, thotë Kristi Bashmili studiues pranë AOS.

Ai thotë se ndikimet zinxhirë cënojnë ekzistencën e gjithë ekosistemit të Parkut Kombëtar Butrint në të ardhmen.

“Dy ndryshime ligjore për një qëllim të vetëm, ndërtimet”

Korrelacioni në vendimet e qeverisë për dy ligjet për “Zonat e Mbrojtura” dhe “Investimet Strategjike” pranohet edhe nga ekspertët e mjedisit dhe ekonomisë.

“Akumulimi i shumave të mëdha të parave informale dhe kriminale në ekonomi bën që ata që i zotërojnë këto para, të kërkojnë zona të tjera ku të mund të investojnë”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Studiuesi mejdisor pranë AOS, Kristi Bashmili thotë për Citizens se pas gjithë “zallamahisë” së ndryshimeve në zonat e mbrojtura, “është legjitimimi i ndërtimeve shkatërruese për këto zona dhe investimet strategjike që qeveria do të ndërmarrë në këto territore, të cilat për hirë të faktit rezultojnë të mbrojtura deri më tani”.

Ky synim i qeverisë ka dhënë sinjale që në 2021, kur nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike katër prej  tyre gjendeshin brenda ose afër zonave të mbrojtura natyrore.

Përmendim këtu Kepin e Stillos, që ndodhet poshtë fushës së Butrintit, në skajin më jugor të vendit, i cili pas një vendimi për investime strategjike, do të shndërrohet në një resort luks me plot 636 vila.

Gjiri i Manastirit, të cilin ministrja Mirela Kumbaro e cilësoi “një pikë e voçkël” po shndërrohet në një masiv betoni që do të marrë edhe plazhin.

Projekti kushton 28 milion euro dhe po ndërtohet nga kompanitë Albstar dhe Andi shpk. Opozita ka akuzuar Damian Gjiknurin se fshihet pas këtij projekti.

“Ky precedent zgjoi oreksin e investitorëve strategjik edhe për në brendësi të ZM-ve. Parku Kombëtar i Butrintit ilustron mjaft mirë këtë”, thotë Kristi Bashmili duke shtuar se Butrinti nuk është një rast i veçuar, por një ilustrim i asaj që mund të ndodhë me Zonat e Mbrojtura në të gjithë vendin.

Vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, tregojnë se bregdeti i jugut mbetet zona më e lakmuar për investitorët strategjikë. Edhe pse ky ligj kishte për qëllim thithjen e investitorëve të huaj, vetëm 2 nga projektet e miratuara kanë ardhur plotësisht nga jashtë. Investimet nga kompanitë vendase dhe njerëzit e afërt me pushtetin, kanë krijuar kantiere masive ndërtimi në kodrat e gjelbëruara të jugut, të cilat po kthehen në resorte ekskluzive vilash.

Kodër e betonizuar në jug/ Foto: Citizens Channel

Rreth 1.6 milionë metër katror sipërfaqe në bregdetin e jugut u është dhënë investitorëve strategjik nga qeveria përmes ligjit për investime strategjike.

Rruga drejt shkatërrimit të zonave të mbrojtura sikurse u tha më sipër ka nisur që më tkurrjen e tyre, e tani po finalizohet me ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, më dhënien e kompetencës për vendimmarrje Këshillit Kombëtar të Territorit dhe nenin 31 i cili e thotë qartë që u hapet rrugë investimeve strategjike në këto zona.

Organizatat e mjedisit i kanë kundërshtuar një zëri këto ndryshime si dhe mënyrën si u bënë ato.

“KKT kthehet në zot”, thanë ato në një deklaratë të përbashkët javës që shkoi teksa mënyrën si u bë ndryshimi e cilësuan “manovër hileqare”.

Ndërsa të hënën socialistët kaluan në komisionet parlamentare këto ndryshime, pavarësisht kundërshtimeve.

Eksperti Kristi Bashmili shprehet se procesi i nisur për ndryshimin e ligjit për ZM-të, nuk është një proces që lind nga nevoja për përmirësim, “por një akt shkatërrues për ZM-të i mirë menduar që në 2018, kohë kur u copëtuan sipërfaqe të konsiderueshme nga ZM-të”.

Edhe ai pohon se shtysa për këto ndryshime janë “investimet të ashtuquajtura strategjike të cilët nuk duken aspak strategjik në formën e paqëndrueshme që po ndërmerren”.

Zef Preçi tha për Citizens se meqenëse një pjesë e mirë e bregdetit e lumenjve janë pushtuar nga këto investime “kishin mbetur zonat e mbrojtura për shkak të një mbrojtje ligjore që kishin”. Ajo që po ndodh tani është “heqja e kësaj mbrojtjeje ligjore”.

“Kjo shpjegon faktin që gjenden deputetë dembelë që nënshkruajnë drafte ligjore të dyshmita, që zonat e mborjtura i bëjnë të pambrojtura”, tha ai.

Preçi thotë i shqetësuar se nëse ky ligj miratohet siç është propozuar, Shqipëria s’do të ketë më zona të mbrojtura.

“Frytet e para” të ndryshimeve ligjore kanë nisur të shihen, pasi Parku Kombëtar i Divjakë-Karavasta po përballet me sulmin e zhvillimit.

“Por kudo ku do të kenë interesa oligarkët, bizemsmenët e ndoshta dhe subjekte të krimit të organizuar, do të zgjedhin ku të investojnë”, shprehet Preçi.  Synimet e qeverisë për ndërtime në zonat e mbrojtura, sipas ekspertëve duken edhe në faktin që mjedisi “është strehuar në Ministrinë e Turizimit dhe Mjedisit.

Pedagogu Aleko Miho, shprehet se “duket qartë qasja që kanë ligjbërësit shqiptarë për mjedisin, kur çështjet e mjedisit janë një shtojcë në një Komision me spektër të gjerë çështjesh të tjera”.

“Pra Ujku dhe Qengji flenë nën një çati”, thotë ai duke shtuar se thuajse është hequr nga vëmendja koncepti ‘Mbrojtje’ dhe institucionet janë magjepsur nga turizmi.

Ai përmend tkurrjen e zonave të mbrojtura dy vite më parë, të cilën e cilëson aspak profesionale dhe shton se “menjëherë sa kjo ndodhi, në këto hapësira filluan ndërtime aspak miqësore me natyrën, por dhe me pasoja për mirëqenien dhe shëndetin”.

Pasojat në mjedis më këto ndërhyrje do jenë pa kthim thonë ekspertët. Ata bëjnë thirrje për një zhvillim të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, dhe të ndalohet kategorikisht ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Të gjitha së bashku, çojnë në uljen e integritetit ekologjik, fragmentimin e mëtejshëm të habitateve, humbjen e biodiversitetit dhe varfërimin e shërbimeve që ofron ekosistemi, duke ndikuar si në natyrë dhe te njeriu”, thotë Miho.

Ekspertët sugjerojnë se alternativat duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e natyrës dhe të ofrojnë mundësi të qëndrueshme për komunitetet lokale dhe vendin në përgjithësi.

Ndaj, zhvillime dhe ligje të cilat bien ndesh me këto parime, dëmtojnë jo vetëm ZM-të, qëndrueshmërinë e vendit dhe të ardhmen evropiane drejt ku jemi nisur”, thotë Bashmili.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *