Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”- Paola Qendraj: Teknologjia të jep liri, vështirë ta kesh në profesione të tjera

Paola Qendraj, mori kompjuterin e saj të parë në moshën 10-vjeçare. Prej asokohe ajo nisi te eksploronte secilin program që mbante kompjuteri i saj.

“Në gjimnaz gjithmonë më pëlqente që të dëgjoja lëndën e informatikës, ndërsa shumë studentë apo nxënës nuk kanë qenë shumë të fokusuar te këto lëndë. Trajtoheshin si lëndë jo shumë të rëndësishme, sidomos në vitet 2014-2015, pasi nuk zhvilloheshin të plota”,-rrëfen Paola, pjesë e serisë së bisedave të realizuara me gratë në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji) nga SCiDEV.

E diplomuar në degën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tanimë Paola punon si programuese në gjuhën “python”. Megjithatë, deri në momentin që zgjodhi degën e studimit ishte mes një dyzimi të lehtë për drejtimin që do të merrte profesionalisht.

“Nuk ishte dega kryesore që unë zgjodha pasi kisha edhe një degë tjetër të preferuar, por vendosa të ndiqja këtë fushë. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, duke qenë se është një nga fushat më të kërkuara kohët e fundit edhe në Shqipëri. Ka shumë treg për të rinjtë që përfundojnë studimet në këtë fushë dhe nuk është e nevojshme që pasi të përfundosh studimet të largohesh”,-rrëfen Paola.

Integrimi në fushën e STEM të krijon edhe një liri që vështirë ta kesh në profesione të tjera. Ndja shumë të rinj që punojnë në këtë fushë kanë eksploruar edhe si “freelancer”.

“Ti mund të punosh kudo ku ndodhesh online, mjafton të kesh një portofol shumë të mirë të punëve të tua, të kesh njohuri shumë të mira. Të organizosh punët e tua shumë mirë, të gjesh klientë dhe pse jo mund të punosh edhe si “freelancer online” apo për kompani të tjera në Shqipëri”,- shpjegon Paola, e cila pas një eksperience si “freelancer”, vendosi të përfshihet më pas në një kompani shqiptare.

Njëjtë si shumë të tjerë të rinj që kanë studiuar në Shqipëri në fushën e STEM, Paola kujton se mënyra e përcjelljes së dijes në këtë fushë ka qenë me metoda të vjetra, pavarësisht zhvillimeve teknologjike.

“Lëndet që kishin lidhje tamam me programimin shpjegoheshin në dërrasë. Ky ishte një nga problemet më të mëdha që studentët kishin. Sepse duhej që jo vetëm të kuptoje një gjuhë të re që se kishe njohurinë fare, se vije direkt nga gjimnazi, po duhet që të deshifroje pastaj edhe çfarë shkruante profesori në dërrasë. Duke filluar që nga kjo, pastaj edhe mënyrat e vjetra të të shpjeguarit, projektet të cilat ishin thjesht për të bërë një projekt dhe jo projekte që ty do të të hynin vërtet në punë”,-ndan Paola në bisedë.

Ndaj për këtë arsye i është dashur të ndjekë trajnime online për të kuptuar më shumë nga fusha për të cilën po studionte.

Së fundmi, Paola ka krijuar edhe një nismë virtuale të quajtur “Code with Paola”, ku ndan me të tjerë të apasionuar pas teknologjisë ditën e saj të punës.

“Një ditë vendosa të krijoja një video ku tregohej fokusi te puna që unë bëj, pasi ajo zë dhe një pjesë shumë të madhe të ditës sime. Dhe mendova pse mos ta ndaj këtë video apo gjëra të tjera që unë bëj gjatë ditës, apo njohuritë e mia, sfidat e ndryshme me njerëzit apo miqtë e mi virtualë, ndaj vendosa që të krijoja këtë hapësirën time virtuale”.

Sfidat për këtë projekt personal të saj lidhen veçanërisht me kohën.

“Sfida më e madhe mund të them që është koha, se sigurisht që një gjë të eci dhe të arrijë atje ku ti do, duhet që ti fokusohesh, duhet të angazhohesh, duhet të kesh një disiplinë”.

Prej dy vitesh tanimë, ajo është edhe mentore në Qendrën XSmart Center, ku mentoron të tjerë të rinj që duan të futen në fushën e teknologjisë dhe programimit. Ndërsa, tërheq në vëmendje rritjen e numrit të vajzave të interesuara në këtë fushë.

“Ajo që vë re është se më shumë janë vajza, ka më tepër studente vajza, sidomos kohët e fundit. Dhe kjo është një gjë e mirë mendoj sepse ekziston edhe ai stereotipi që vajzat nuk janë shumë të futura te pjesa e teknologjisë. Mendoj se gjërat kanë ndryshuar pak dhe po balancohet gjëja”,- shprehet Paola.

Podcast: Paola Qendraj në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *