Citizens.al

Anëtarët e rinj te Akademia e Shkencave priten me replika: Po favorizohen

Pamje nga mbledhja e Asamblese gjate votimit

Zgjerimi i anëtarësisë së Akademisë së Shkencave ka sjellë replika mes këtij Institucioni dhe akademikëve.

Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave e ka konsideruar “atentat” mbledhjen e datës 22 prill ku u votuan katër kandidatura si akademikë të asociuar dhe pesë kandidatura si anëtarë të jashtëm. Adrian Civici, Kristina Jorgaqi, Mimoza Hafizi, Rajmonda Buhaljoti, u votuan dhe u pranuan me shumicë vote nga Asambleja për titullin “akademik”, ndërsa Angjelin Preljocaj, Ermira Murati, Gëzim Alpion, Lea Ypi, Lulzim Tafa, u votuan e pranuan nga Asambleja si anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Duke i cilësuar në shkelje flagrante të ligjit, akademiku Artan Fuga replikoi për mënyrën sesi u realizuan këto zgjedhje me anë të një postimi në Facebook.

“Shtimi i asamblesë me anëtarë të rinj infektohet me parregullsi, me shkelje të ligjit në fuqi, të Statutit të Akademisë së Shkencave, duke krijuar pabarazi, privilegje, trajtime të diferencuara për trupën profesorale të mbarë vendit!” – thekson Fuga.

Duke analizuar mënyrën se si u zhvillua mbledhja, ai akuzon se nuk kishte përzgjedhje por “votime me 98 për qind për të kaluar dhe anashkaluar, shkelur, marrë nëpër këmbë me ligje, me statute, me gjithçka që përbëjnë norma të shtetit ligjor!!! Ky është mentaliteti që drejton sot akademinë e shkencave!”

Sipas tij nuk ka vendim të asamblesë për hapjen e vendeve për akademikë, nuk janë njoftuar Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), në dosjet e kandidatëve mungojnë mbështetjet nga ana e dy akademikëve, nuk ka ekspertizë për arritjet e kandidatëve, etj.

I kontaktuar nga Citizens Channel, kryetari i Akademisë së Shkencave (ASh) Skënder Gjinushi iu përgjigj akuzave te Fugës duke thënë se “nuk ka koment në procedura, në procedura ka fakte”.

“Kur zgjedh figura të tilla të gjithë pranuara, që i plotësojnë kriteret shkencore, nga institucioni që ka legjimitetin e plotë që ti zgjedh dhe i zgjedh me shumicë absolute, është budallallëku më i madh të thuash që nuk janë zbatuar procedurat” – kundërpërgjigjet ai.

Fuga e ka konsideruar absurde edhe faktin që Akademia e Shkencave ka vendosur të refuzojë auditimet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por Gjinushi thotë se shkenca nuk mund të auditohet, por ka vetë – korrigjim.

“Vetë kontrollohet se një faktor i jashtëm nuk mund të kontrollojë shkencën. Por me globalizimin mund të ballafaqohet në nivel ndërkombëtarë” – shton ai.

Kujtojmë se më 20 tetor 2023 Skënder Gjinushi, u rikonfirmua në detyrë si kryetar i Akademisë së Shkencave, pa praninë e medias, i vetëm në garë, me 51 vota pro dhe vetëm dy kundër.

Qeveria më 31 maj 2023 zyrtarizoi vendimin për shkrirjen Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Projekt vendimi u denoncua si jo-transparent jo vetëm nga akademikët, por edhe nga studentë, dhe grupe aktivistësh të përfshirë në hapësirën publike.

Ata nënshkruan një letër të hapur ku theksohet se ky vendim është i dëmshëm për të ardhmen e Studimeve Albanologjike, cënues për lirinë akademike dhe zhvillimin e mendimit teorik dhe kritik.

Ky rast u përmend edhe në raportin e “Freedom House” të këtij viti.

“… Disa organizata të shoqërisë civile kundërshtuan ndryshimet në kuadrin ligjor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2023, me arsyetimin se ndryshimet do të politizonin më tej institucionin dhe do të minonin lirinë akademike. Më vonë doli në dritë se kreu aktual i Akademisë i kishte shkruar vetë ndryshimet për përfitimin e tij personal. Megjithatë, parlamenti miratoi ndryshimet dhe presidenti i nënshkroi ato në ligj”,- thekson raporti.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW