Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

1 Maj, mësuesit në protestë: “Nuk ka arsim cilësor pa paga dinjitoze”

Dhjetëra arsimtarë dhe sindikata protestuan para Ministrisë së Arsimit për rritje të pagave dhe vemendje më të shtuar drejt arsimit.
Foto nga protesta e arsimtarëve

Dhjetëra mësues dhe përfaqësues të sindikatave të arsimit në vend protestuan sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve për të kërkuar më shumë të drejta në vendin e punës.

Mes thirrjeve “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, arsimtarët marshuan nga sheshi ‘Skënderbej” drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku kërkuan rritje të pagave.

“Ashtu si gjithë kolegët e tjerë unë kam dalë për një rritje dinjitoze të pagës, sepse nga qeveria është investuar gjithë këto kohë për infrastrukturën, ndërtim shkollash, kopshtesh, çerdhesh për të cilat ne jemi falënderues, por investimi tek pagat e mësuesve akoma nuk është i mjaftueshëm”,- u shpreh Majlinda Jupasi, mësuese fizike në Kamëz.

Për Nevila Koplikun, mësuese e historisë dhe gjeografisë, Vau i Dejës, zona prej nga ajo vjen është prekur masivisht nga emigrimi. Duke sjellë kësisoj edhe ndikim te puna e saj si mësuese. Mes të tjerash Nevila rendit një sërë vështirësish me të cilat përballet cdo ditë.

“Duke qenë se distancat janë të largëta dhe të ndryshme mësuesit përballen me vështirësi të transportit. Një vështirësi tjetër është edhe SMIP-i, ku mungojnë mjetet për ta zhvilluar dhe mësuesit e zhvillojnë në shtëpi, pasi nuk kemi pajisjet, kompjuterë, s’kemi internet nëpër zona të ndryshme. Kjo është një punë e shtuar sa i përket mësuesve në shtëpi. Mjetet didaktike pothuajse janë shumë, shumë të pakta, ndërsa pagat e mësuesve janë të pamjaftueshme për të bërë një jetë sa më normale”,-rendit Nevila Kopliku.

Përfaqësues të sindikatave të arsimit kërkuan me ngulm rritjen e buxhetimit për arsimin në vend.

“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin të jetë 5% e PBB-së, pasi vetëm me një buxhet të tillë mund të realizohen kërkesat e domosdoshme që ka arsimi publik sot për të dyfishuar pagat e mësuesve, në mënyrë që profesioni i mësuesit të bëhet një profesion i kërkuar nga të rinjtë. Vitet e fundit në degët e mësuesisë po shkojnë maturantët me rezultatet më të ulëta në mësime duke rrezikuar që e ardhmja e arsimit është një e ardhme që askush nuk do ta dëshironte”, -shprehet Nevruz Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.

Në 30 janar të këtij viti, kryeministri Rama gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesiona ltë Mësuesve premtoi se paga mesatare për mësuesit do të shkonte në 950 euro brenda pak muajsh.

Sipas përfaqësuesve të sindikatave, për këtë profesion është e dinjitetshme dyfishimi i pagave ekzistuese.

“Ne nuk kemi paga dinjitoze për mësuesit. Do të ketë rritje pagash në korrik, por në qoftë se kjo rritje nuk do të jetë sipas parametrave që ka premtuar qeveria ne nuk do ti pranojmë. Ne nuk kemi mjete mësimore cilësore për mësimdhënie, nuk kemi mjetet e nevojshme për të zbatuar teknologjinë e orëve të mësimit, nuk kemi internet në klasat ku zhvillohet mësim, nuk kemi ambiente të përshtatshme pune në të gjithë territorin e vendit”,- deklaroi Isa Rekaj, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës.

Për Alma Laman, përfaqësuese e një sindikate të re të krijuar në fushën e arsimit shqetësim janë shkollat bosh për shkak të emigrimit.

“Ne sot jemi përpara ministrisë për të kërkuar dyfishimin e pagës së mësuesit, motivimin e mësuesit dhe ndal emigracionit. Shkollat po ngelen pa nxënës, shkollat po rrisin muret, por shkollat sot e në vazhdim do të ngelen pa mësues dhe pa nxënës. Nga ana tjetër ne kërkojmë ambiente bashkëkohore mësimdhënëse. Ne kërkojmë infrastrukturë për të realizuar vlerësimin, si një proces shumë të rëndësishëm në arsimin shqiptar”,-u shpreh Alma Lama nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar.

 Mësuesit po ashtu sollën në vëmendje edhe mungesën e internetit në shkolla, duke e bërë të pamundur procesin e hedhjes së të dhënave të nxënësve në sistemin online “SMIP”.

Video:

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *