Vota e diasporës për zgjedhjet e vitit 2025 ka “mbërritur” sot në parlament. Kanë qenë një grup aktivistësh, të cilët shpalosën gjatë seancës plenare të së enjtes në Kuvend banderolën “Dua të votoj më 2025, nga Diaspora”. Aksioni i sotëm vjen në vazhdë të fushatës online ku të rinj nga vende të ndryshme të botës kanë postuar foto në rrjetet sociale me hashtagun #duatëvotoj2025.
“Përveç fushatë online, kemi ndërmarrë dy marshime deri tani në Mynih dhe Vienë, kemi bërë disa protesta përpara konsullatave tona atje dhe në vijim menduam ta sillnim deri në parlament kërkesën tonë” – tregon për Citizens Julian Kraja, një nga protestuesit e sotëm.
Ai shton se protestat do të vazhdojnë edhe në konsullata të tjerë si Hagë, Milano, Bruksel e me radhe. Kraja rrëfen se ai jeton prej 12 vitesh në Milano, Itali dhe nuk ka pasur kurrë të drejtë vote.
“Kam jetuar në mesin e qytetërimit perëndimor ku thuhet shpesh se demokracia është gjithëpërfshirëse etj. etj., por unë personalisht nuk kam pasur të drejtë vote, as në Itali se jam shqiptar dhe as në Shqipëri sepse jam pjesë e diasporës“ – analizon Kraja.
Më 9 janar 2024 përfundoi afati ligjor që Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Shqipërisë për plotësimin e boshllëkut ligjor, që pengonte votën e emigrantëve.
“Donim ti kujtonim parlamentit që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës, që ka kaluar me 111 ditë afat dhe duket që nuk ka vullnet politik për ta mundësuar këtë as në zgjedhjet e ardhshme”- tha njëra nga aktivistet e aksionit të sotëm, Arilda Lleshi.
Aktivistët rrëfyen se mundën të hyjnë në Kuvend me anë të një leje vizitorësh.
“Dëgjuam ca “bravo”, thuajini të ulen në sallë, ose komente “pse i hodhët nga ana jonë” sepse kaluam nga ana e opozitës se nga ana tjetër ishin vendosur kamerat“- sqaron Arilda.
Sipas saj nëse në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë votë diaspore zgjedhjet duhet të cilësohen antikushtetuese.
Më herët Kuvendi konfirmoi për Citizens se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka zhvilluar disa seanca dëgjimore me OJF, grupe interesi, parti politike, por duket se ende nuk ka një zgjidhje.
Për votën e diasporës janë ndërmarrë disa nisma nga grupe të ndryshme politike apo interesi, por duket se deri më tani asnjëra nuk është finalizuar.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë“ ka dorëzuar projektligjin elektronikisht për votën e diasporës në shtator 2023, i cili është protokolluar në parlament në tetor dhe dorëzuar me firma deputetësh në nëntë dhjetor 2023.
Por edhe lëvizja politike ”Shqipëria Bëhet” më shtatë dhjetor dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft-propozim për votën e emigrantëve.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.