Citizens.al

“Liria e medias nën sulm”, gazetarët protestojnë para Parlamentit

Ndësa zhvillohej seanca plenare e së enjtes, gazetarët protestuan sot përballë Parlamentit si shenjë revolte për kërcënimet që ju vijnë nga politika. 3 Maji është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias, ndaj gazetaret dhe gazetarët i paraprinë duke shprehur indinjatën e tyre për situatën e medias në Shqipëri.

“Të bësh sot gazetari në Shqipëri nuk është dita më e mirë. Mund të them që gjatë eksperiencës time prej 15-16 vitesh në media situata është përkeqësuar”, – tha për Citizens gazetarja Ola Xama.

Ola Xama, gazetare MCN

Ola Xama është përballur personalisht me sulme për shkak të punës së saj.  Xama tha se fushata të tilla dizinformuese që i janë bërë asaj, janë të turpshme, por kjo nuk e ka ndalur të vazhdojë punën e saj.

Rasti i saj është regjistruar dhe nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, të cilët kanë shprehur shqetësimin “për fushatën e vazhdueshme dhe të intensifikuar të shpifjeve kundër Ola Xama”.

Pas publikimit të një artikulli në Birn për inceneratorin e Tiranës, Xama u sulmua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, sulm që u ndoq më pas me seri shkrimesh me përmbajte të rreme për të shantazhuar gazetaren. Platforma si DITA dhe Prapaskena.com kanë publikuar artikuj me informacion të rreme për Xamën.

Gazetari Isa Myzyraj në një reagim për Citizens tha se “gazetarët sot janë të pasigurt, janë të dhunuar, janë të keqtrajtuar, janë të keqpaguar, dhe sulmi ndaj tyre është në disa fronte”.

Isa Myzyraj, gazetar Ora News

Ai tha se ata sulmohen nga politikanët dhe nga pushteti, por janë edhe të pambrojtur nga redaksitë ku punojnë.

Myzyraj po ashtu ka pasur disa raste sulmesh për shkak të punës së tij si gazetar.

Më 12 mars 2024, në adresën e medias ku Myzyraj punon, mbërriti një email nga një llogari e dyshimtë, ku kërcënohej me jetë gazetari.

“Mesazhi përmbante një gjuhë të rrezikshme dhe diskriminuese, duke shpërndarë jo vetëm mesazhe kërcënuese në lidhje me integritetin profesional të gazetarit Myzyraj, por edhe duke përdorur narrativa të bazuara në orientimin seksual”, – thuhet në reagimin e Rrjetit për rastin e Myzyrajt. 

Gazetarja Esiona Konomi u shpreh për Citizens se ajo dhe kolegët e saj ndihen të kërcënuar për të kryer profesionin e tyre, por po ashtu theksoi se janë të pambështetur.

“Ata nuk kanë vëmendjen e institucioneve dhe as të faktorëve të tjerë shoqërorë që mund të garantojnë siguri në punë”, – tha ajo.

Shqipëria renditet e fundit në Ballkan për lirinë e medias në raportet ndërkombëtare. 

Nga 2014 në vend janë regjistruar 172 raste kërcënimesh, sulmesh apo dhunës ndaj gazetarëve.

“Vetëm gjatë një viti janë 30 raste të dhunës dhe intimidimit ndaj gazetarëve. Unë sot mbaj në dorë këtë lajm të publikuar nga 30 rastet që ne kemi evidentuar gjatë këtij viti, ku kolegët e Citizens Channel janë sulmuar në një sulm të paprecedentë”, – tha Renaldo Salianji, gazetar i News 24.

Ai përmendi dhe rastet e tjera të gazetarëve, të cilët janë sulmuar dhe fizikisht. 

“Në ambientet e kryesisë së Kuvendit siç është Ardit Hoxha, në ambientet e Kryeministrisë siç është Ambrozia Meta, apo edhe kolegë të tjerë që janë përballur, jo vetëm me intimidime, por edhe me dhunë drejtpërdrejt fizike”, – tha më tej Salianji.

Raporti i fundit i Bashkimit Evropian nënvizon se Shqipëria ka probleme sa i përket lirisë së medias dhe nuk ka bërë përparime në këtë drejtim.

“Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë”, – thuhet në raport. 

Raporti thekson se atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatat e shpifjeve dhe paditë për frikësim kundër gazetarëve nuk janë përmirësuar.

Këtë situatë e pohuan dhe gazetarët sot në protestë. “Situata me median është shumë kritike, këtë e kanë treguar edhe raportet ndërkombëtare, por edhe përditshmëria jonë si gazetar”, – tha gazetarja Fjona Çela.

Gazetari Kelvi Muka i tha Citizens se ndjehet i keqardhur që gazetarët “që janë në ndihmë të publikut nuk ngrenë dot zërin për veten”.

“Një media e dobët do të thotë gjithashtu një demokraci më e dobët, e vëzhguar më keq, ose e keqvëzhguar”, tha Muka.

Problem i përsëritur nga disa prej gazetarëve është mungesa e mbështetjes nga redaksitë e tyre në rastet e sulmeve.

“Gazetarërt jo vetëm që nuk kanë bashkëpunimin e politikës, por përballen me sulmet e tyre dhe shpesh herë nuk kanë as bashkëpunimin e redaksive të tyre”, tha Klesiana Omeri.

I tillë ka qenë rasti i gazetarit Klevi Muka, i cili u sulmua nga kryeministri Edi Rama për shkak të pyetjes që drejtoi ndaj ministres Olta Xhaçka. Ai e ndaloi të merrte pjesë në konferencat e kryeministrit. Më pas ai u ndalua nga redaksia e tij të dilte në terren, duke e zhvendosur si gazetar në web, si formë e tërthotë që ai të largohej nga puna.

“Gazetarët  kanë dy armiq do thoja unë, kanë dy fronte, fronti përballë që është pushteti, por është dhe fronti mbrapa që janë pronarët që ndonjëherë ka po aq presion”, tha gazetari Edvin Parruca për Citizens.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *