Liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, duke rënë me tre vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, që publikohet çdo vit nga Reporterët pa Kufij.
Reporterët pa Kufij nënvizojnë se liria e shtypit dhe pavarësia e medias në Shqipëri “janë të kërcënuara nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe politikës, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake”.
Raporti vëren se gazetarët janë viktima e veprimeve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Ndërhyjet e politikës, ekonomia, faktori social, kuadri legjislativ dhe siguria e gazetarëve janë 5 indikatorët që monitoron çdo vit Rerporterët pa Kufinj për mënyrën se si influencojnë në lirinë e medias.
Vetëm në një vit, sipas Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt janë shënuar 30 raste të dhunës, intimidimit dhe formave të tjera të kërcënimit ndaj medias dhe gazetarëve.
Kjo situatë i ka shtyrë gazetarët që të dalin në protestë ditën e djeshme, në shenjë simbolike me Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypet, që shënohet sot më 3 Maj.
Raporti vendos theksin tek pronësia e medias si një ndër problemet kryesore të lirisë së medias dhe mungesës së sigurisë për gazetarët.
RSF nënvizon se mediat private në Shqipëri zotërohen nga një grusht njerëzish me interesa politike dhe ekonomike.
“Ndërsa ekzistojnë qindra media online në vend, vetëm një numër i vogël kanë një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent”, thuhet në raport.
Nga ana tjetër raporti thekson së financimi shtetëror përfaqëson një burim kryesor të të ardhurave për median, por shpërndarja e tij në mënyrë jo transparente nxit dyshime për ndikime të mundshme.
Sa i përket kontekstit politik, RSF thotë se gazetarët përballen me presion politik “veçanërisht gjatë zgjedhjeve”.
Raporti përmend me shqetësim emërimin e Alfred Pezës në krye të RTSH duke shtuar më tej se “politikanët kufizojnë pavarësinë redaksionale duke politizuar rregullatorët e medias”.
“Gazetarët kritikë shpesh janë objekt i sulmeve të organizuara për t’i diskredituar ata, nga qeveria dhe opozita”, thotë më tej raporti.
Gazetarët janë përballur me sulme online, fushata dizinformuese, me sulme fizike apo dhe kërcënime përmes pronarit të medias për të minuar punën e tyre kritike.
Këtë situatë e përcjell edhe raporti i RSF-së, duke nënvizuar se gazetarët hasin vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet, të cilat kanë mungesë të theksuar transparence.
“Edhe pse kushtetuta e Shqipërisë dhe zotimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja për konfidencialitetin e burimeve është e pamjaftueshme”, thotë raporti duke sjell në vëmendje rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit ju sekuestruar materiale hetimore.
Raporti thekson se gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht objekt i kërcënimeve, veçuarit gazetaret gra.
“Gazetarët femra, të cilat përbëjnë shumicën e profesionit, ballafaqohen me përndjekje online dhe në disa raste diskriminim të bazuar në gjininë brenda organizatave të lajmeve, megjithatë ka pasur përparim në këtë drejtim”, përcjell RSF.
Vetë-censura vijon të mbetet një problematikë në aspektin e lirisë së gazetarëve, që sillet në vëmendje edhe nga raporti i RSF.
Së fundmi, raporti ndalet tek “Siguria e Gazetarëve”, ku thekson sërish krimin e organizuar si një ndër sektorët me risk më të lartë.
“Gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe operacionet e policisë ndonjëherë bëhen viktima të dhunës policore. Por krimi i organizuar paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në raport i cili sjell në vëmendje me tej rastin e sulmit ndaj televizionit kombëtar Top Channel.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.