Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Konventa e Bernës” mbërrin në Parlament

Sot në Ditën e Evropës, kryeministri Rama e cilësoi Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër evropiane. Ndërkohë një grup aktivistësh mjedisorë i dorëzuan çdo deputeti në Parlament kërkesat e “Konventës së Bernës”, organi i Këshillit të Europës për konservimin e natyrës.

Konventa e Bernës i ka bërë tre herë thirrje qeverisë shqiptare për ndalimin e punimeve për aeroportin e Vlorës, të cilat duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Për këtë arsye aktivistët dorëzuan sot 140 kopje të kërkesës së konventës së Bernës, nën dyshimin se shumë nga deputetët as nuk e kanë lexuar këtë vendim.

“Është e pashpjegueshme se pse ekzekutimi i kësaj kërkese nuk është prioritet i parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe nuk është në qendër të diskutimeve të 140 deputetëve që përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi” – tha Joni Vorpsi nga organizata mjedisore “PPNEA” në një deklaratë për mediat.

Ai thekson se prej kohësh Bashkimi Evropian “po shpërfillet në mënyrë tinzare” nga Kryeministri i vendit por edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

“Autoritetet po lejojnë kompaninë të vijojë punimet pas kërkesës së shteteve te Bashkimit Evropian, duke thyer kështu marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke dhënë mesazhin se Shqipëria nuk aspiron vërtetë të integrohet në bashkimin evropian” – shpjegon Vorpsi.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni vë theksin te proceset gjyqësore për shumë çështje të mjedisit, të cilat sipas tij tërhiqen zvarrë me kast derisa publiku të përballet me veprën e përfunduar.

“Kjo është që po ndodh edhe me aeroportin e Vlorës fatkeqësisht. Edhe pse është një proces gjyqësor, është një arrogancë e madhe të kundërshtosh Konventën e Bernës” – shprehet ai.

Në lidhje me proceset gjyqësore Vorpsi kujton shpërfilljen e kërkesave të ambientalistëve mbi ligjin për zonat e mbrojtura, për të cilin po konsultohet dërgimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Përsa i përket çështjes konkrete të Aeroportit të Vlorës është në gjykatë dhe gjykata prej dy vitesh ende nuk ka filluar procesin, por i vonon të gjitha hapat duke bërë më shumë një lojë ping – pongu ndërmjet tyre në bazë proceduarve” – përfundon ai.

Indiferenca e qeverisë shqiptare ndër vite ndaj “tërheqjes së veshit“

Më datë 29 nëntor – 03 dhjetor 2021, Komiteti i Konventës së Bernës zhvilloi mbledhjen e përvitshme në Strasburg. Në fokus të këtij takimi, sa i përket Shqipërisë, ishte çështja e  Vjosës, aeroporti Vlorës dhe ligji që synon të rishikojë kufijtë e zonave të mbrojtura.

Komiteti i Konventës e Bernës shprehu shqetësimin e mos shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

Takimi vjetor i Komitetit të Bernës në Strasburg, gjatë ditëve të para të dhjetorit 2022, i kërkoi qeverisë shqiptare ndalimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë. Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë në janar të vitit 1999.

Më 14 shtator 2023, në një deklaratë për shtyp nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile u komunikua kërkesa e radhës e Konventës së Bernës, për pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve. Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *