Citizens.al

Fermerët: I shesim prodhimet nën kosto, grumbulluesit po na falimentojnë

Foto nga protesta e fermerëve në aksin rrugor Berat-Lushnjë

Çmimet e ulëta me të cilat grumbulluesit u marrin prodhimet bujqësore, ka bërë që dhjetëra fermerë të Lushnjës, Beratit e Fierit të protestonin sot te ura e Kuçit, në aksin rrugor Berat-Lushnjë.

Mes thirrjeve “Stop abuzimit me çmimet”, “Stop masakrimit të fermerëve” ata akuzuan pikat e grumbullimit për marrje të produkteve të tyre nën kosto dhe pa faturë tatimore.

“E grumbullojnë prodhimin tonë pa faturë tatimore dhe pa çmim. Ndërkohë, pastaj kur e grumbullojnë këtu, ata japin ofertat jashtë, i vendosin çmimet vetë pastaj si t’ju dojë qejfi atyre”, – shprehet për “Citizens” Mariglen Ziu, fermer nga Berati.

Marigleni ka një hektar sera, ku punon me familjen e tij prej 14 vitesh.

Ulja e çmimit me të cilat jua blejnë pikat grumbulluese sipas tij, ndikojnë në mundin e përditshëm të fermerëve.

“Ka dy-tre vitet e fundit që është bërë shumë problem çmimi se është ulur. Vjet në këtë kohë ka qenë me 1 mijë lek kilja e domates, sot e shesim me 300 lek”,– deklaron Mariglen Ziu.

Fermerët bllokuan për disa minuta aksin Berat-Lushnjë dhe hodhën në rrugë në shenjë proteste produktet e tyre.

Sipas fermerëve, ata e kanë të pamundur të nxjerrin shpenzimet e kultivimit të prodhimit apo të pesticideve, për aq kohë sa mundi i tyre blihet lirë dhe nuk ka kontroll nga ana e shtetit të pikave të grumbullimit.

“Disa pika serioze na mbështesin, por problemi është se këtu mjafton një pikë e vetme që të mos lëshojë faturë tatimore çmimi e prish komplet zinxhirin. Janë të pakontrolluar nga shteti”,-argumenton Marigleni.

Ai shprehet se fermerët ndjehen të kërcënuar edhe nga importet.

“E ndjejmë veten të kërcënuar edhe nga importet pasi në Shqipëri futen produkte që janë të bllokuara nëpër doganat e Evropës dhe vijnë e shiten në Shqipëri”,– akuzon fermeri Ziu.

Fermerët deklarojnë se hapat e tjerë që do të ndërmarrin është protesta para Kryeministrisë, duke kërkuar zgjidhje të situatës.

“Dikush pikat e grumbullimit po i mbron. Ose ndonjë deputet apo kush ka dorë në këtë pjesë le ta zgjidhin ata. Se nuk mund të grumbullosh ti 300 mijë euro produkt në një pikë grumbullimi dhe të mos lëshosh një faturë tatimore, kjo është çmenduri. E marrim të gjitha ne me fatura fiktive, me letra bakalli”,-përfundon Ziu.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW