Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pro dhe kundër projektligjit mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

Projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues, të cilin e ka hedhur për konsultim ministria e Shëndetësisë është pritur me kritika. Ekspertët dhe grupet e interesit kanë paqartësi se si do të rregullohen disa nga proceset më delikate të parashikuara në këtë draft siç janë surrogacia, fertilizimi invitro si dhe ndërprerja e shtatzanisë.

Ekspertja ligjore Dea Nini shprehet për Citizens se problematika më e madhe është se cënohet shumë autonomia trupore e gruas.

“Është e vërtetë që rritet afati i përgjithshëm i lejimit të ndërprerjes së shtatzënisë nga ligji vjetër, që ka qenë 12 javëshe, por parashikimi tjetër që ka hequr të gjitha rrethanat e tjera sociale, i ka penguar gratë që janë në situata dhune, të vështira ekonomike etj., që të kryejnë abort pas javës së 14” – analizon ajo.

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për funksionimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarive qe zhvillohen ne fushën e shëndetit riprodhues, përfshirë teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar dhe ndërprerjen e shtatzënisë.

Më 15 maj, pra nesër është edhe dita e fundit, në të cilën mbyllet afati i konsultimeve.

Nëse ky draft – propozimi miratohet atëherë i hap rrugë mëmësisë surrogate, me kusht që nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.

“Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë,  duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, në rast se mbetet shtatzënë”- citohet në draft.

Ndërprerja e shtatzënisë, apo neni 12 ka shkaktuar debate të shumta, përsa i përket kohës se kur mund të ndodh kjo ndërprerje.

“Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë”, – citohet në propozim.

Kujtojmë se aktualisht ndërprerja e shtatzënisë në formë vullnetare mund të ndodh deri në javën e 12 të procesit. Ndërsa ndërprerja për arsye shëndetësore, ku për shembull shëndeti i gruas është në rrezik serioz, ndërprerja e shtatzënisë mund të ndodh deri në javën e e njëzet e dytë të shtatzënisë.

“Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje”- citohet në draft.

Ndërsa, lejohet ndërprerja deri në javën e njëzet e dytë të shtatzënisë, kur shtatzënia është rezultat i përdhunimit, marrëdhënieve seksuale me dhunë ose një krimi tjetër seksual, sipas vlerësimit të kryer nga Komisioni i Posaçëm.

Ministria e Shëndetësisë kërkon gjithashtu që nëpërmjet ligjit të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes.

Pro dhe kundër projekt – ligjit të shëndetit seksual dhe riprodhues

Në nenin ku renditen arsyet që mund të merren në konsideratë për të ndërprerë një shtatzani në javën e 22-të, ekspertja Dea Nini e sheh me shqetësim heqjen e togfjalëshin “për arsye të tjera sociale”, që sipas saj, është shumë i rëndësishëm.

“Surrogacia është krejtësisht e parregulluar. Ne nuk jemi që të kalojë ligji, sepse krijon hapësirë abuzimi, hapësirë shfrytëzimi për gratë, nuk është përcaktuar nëse do të jetë me shpërblim apo jo, nuk është përcaktuar si do bëhet marrëveshja, edhe gjuha që është aq e përgjithshme…”- përfundon Nini.

Gjinekologia Xheni Omeri thekson se Ministria e Shëndetësisë e cila ka publikuar projektligjin, nuk ka bërë transparente cili ka qenë bordi që e ka përpiluar.

“Mbetet akoma mister për të gjithë ne!”- shprehet Omeri.

Omeri gjithashtu ngre pikëpyetje nëse ky projektligj do të jetë i aksesueshëm vetëm për shqiptarët vendas apo edhe për të huajt, që mund ti drejtohen vendit tonë vetëm për këto shërbime, duke qenë se për shembull vende si Italia, Franca, Spanja e kanë të ndaluar surrogacinë.

“Surrogacia bëhet fjalë në kushte private sepse shteti nuk e mundëson fertilizimin invitro. Nuk kemi asnjë statistikë për fertilizmin invitro që bëhet në Shqipëri, asnjë lloj pasqyre, sepse çdo klinikë private ka të dhënat e veta”- analizon Omeri.

Në një deklaratë për shtyp, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare.

Gjithashtu edhe Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës dorëzoi një relacion të plotë me argumentet dhe arsyetimet pse jemi kundër këtij pr/ligji i cili është antifamilje dhe kundër jetës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *