Mes thirrjeve “Duam parkun tonë”, dhjetëra fëmijë dhe banorë të rrugës “Llambi Bonata” protestuan pasditen e djeshme kundër shkatërrimit të lulishtes së lagjes së tyre në Kombinat. Ata shprehen se prej më shumë se 20 vitesh, kjo hapësirë publike është e vetmja që kanë për të kaluar kohën e lirë si dhe për të luajtur fëmijët.
Me një vendim të bashkisë Tiranë, të janarit të 2024, i është dhënë leja ndërtimit të një pallati me 5 dhe 7 kate si dhe 2 kate parkim nëntokësor.
“Kjo fushë është pjesë e jona, është shtëpia jonë. Fëmijët tanë kalojnë kohë duke luajtur. Kjo është lagjja jonë, ky është sheshi jonë. Nuk duhet të na i vjedhin dhe nuk duhet të na i shkatërrojnë. Është me e rëndësishme dhe është gjëja më e çmuar që kemi.”,-shprehet Isida Rrapi, banore e lagjes.
Për Meteo Kopo, lindur dhe rritur në këtë lagje, tregon se e kanë marr vesh se mbi lulishte do të ngrihet një pallat, vetëm kur vendos tabela e projektit, rreth dy javë më parë. Por në tabelë nuk përcaktohet ende as nisja dhe as përfundimi i punimeve. Ata ngrenë dyshime edhe për tjetërsim pronësie.
“Kjo leje ndërtimi ka shumë pikëpyetje. Kjo është një pronë shtetërore dhe çuditërisht dy djem të rinj kanë dalë pronarë, ndërkohë që është miratuar edhe një leje ndërtimi. ”,-shprehet Meteo Kopo.
Sipas tabelës së projektit, e cila tanimë është rrëzuar nga banorët në shenjë proteste, lulishtes i kanë dalë pronarë, përkatësisht Keid Kalaja dhe Brugen Strati, ndërsa ndërtues është shoqëria “Fidalba” sh.p.k.
Në tabelën informuese të projektit thuhet se leja është dhënë për rrugën “Sabaudin Gabrani”, e cila ndodhet në afërsi të Misto Mames. Ndërkohë që pallati do të ndërtohet në rrugën “Llambi Bonata”.
Banorët, të cilët u mblodhën në lulishte u shprehën se në këtë zonë nuk ka vende të tjera çlodhjeje dhe argëtimi.
“Është e ardhmja këtu që po rritet, pavarësisht që mungojë kopshtet dhe lodrat dhe çdo gjë. Dhe e vetmja gjë që ka ngelur këtu duan të na e rrëmbejnë. Edhe ajrin që kemi pa lek duan të na e vjedhin. Të mendojmë për filizat që po rriten, për pensionistët që s’kanë ku të çlodhen edhe pse dy stola kanë tentuar të na venë, duke na injoruar gjithë kohës. As nuk na kanë begenisur duke ardhur të na shohin për asnjë problem që kemi ngritur zërin. Qoftë edhe për ujin edhe për çdo gjë”,- u shpreh një nga zonjat e pranishme në protestë.
Banorët mes të tjerash denoncuan edhe faktin se Kombinati është lenë me gërmadhat e pallateve të shembura për shkak të tërmetit.
“Kombinati është bërë si gërmadhë. E vetmja lulishte që ka mbetur në Kombinat duan ta prishin, ta bëjnë sic janë bërë të gjitha pallatet që janë shembur. Le të japin leje ndërtimi ku janë shembur pallatet e tjera. Pse duhet të prishin një lulishte. Ka thënë që do mbjellim 2 milionë pemë. Hajde ti shkulim njëherë 100 pemë këtu në Kombinat dhe ti mbjellin me ndonjë vend tjetër që të bëhen 3 milionë”,- deklaroi një nga banorët.
Për të tjerë banorë, mbledhja për të protestuar për të drejtat e tyre ishte një rast për tu shënuar në Kombinat.
“Para dy ditësh në emër të banorëve të këtyre pallateve ne dorëzuam në minibashkinë e Kombinatit, një kërkesë ku i kërkonim të ndërmerrte të gjitha veprimet që kërkohet për verifikimin e kësaj leje fantazmë, të parregullt, si dhe informimin e banorëve për hapat që ata kanë ndërmarrë. Do të presim çfarë do të ndodhë me minibashkinë, si do të reagojë”, deklaroi Edmond Çata, banor i zonës e njëkohësisht përfaqësues i Grupimit për Kombinatit që ka advokuar për çështjet e tërmetit në këtë zonë.
Banorët argumentojnë se pranë kësaj lulishteje është shembur një pallat me arsyetimin e tërmetit, ndërsa prej kohësh nuk ka asnjë plan për rindërtimin e tij, me pretendimin se toka është e papërshtatshme.
“Hipokrizi të mendosh se në një tokë të papërshtatshme, disa centimetra më tutje ti mund të ndërtosh”,- shprehet Meteo Kopo.
Në mbështetje të banorëve ishin edhe aktivistë dhe përfaqësues të Lëvizjes Bashkë, të cilët shprehën me shqetësim zaptimin e hapësirave publike në qytet.
“Kudo ku ka një hapësirë publike, kudo ku ka një lulishte, detyra e pushtetit vendor është ta përmirësojë dhe jo ta zhdukë. Kudo ku ka një komunitet, i cili jeton aty prej vitesh të tëra, sidomos kur jeton prej vitesh të tëra, duhet ti pyesim çfarë i shqetëson dhe të bëjmë të mundur që atyre shqetësimeve t’u jepte zgjidhje. Pse është më e lehtë të jepet leje ndërtimi për një pallat dhe kulla se sa të shtrohet një lagje? Sepse kemi të bëjmë me institucione që janë të korruptuara”,- deklaroi Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë u kërkoi banorëve të rezistojnë ta mbrojnë këtë park, pasi bashkë me ta do të përfitojnë të gjithë fëmijët e Tiranës. Ndërsa theksoi se humbja e hapësirave publike vjen për shkak të korrupsionit në qeveritë vendore e qendrore.
“Fëmijët do ta ëndërronin një hapësirë të tillë, një hapësirë ku mund të dalësh nga pallati me top e mos të të shtypë makina 50 centimetra nga dera e pallatit. Shumica dërrmuese e fëmijëve të Tiranës tashmë e kanë humbur hapësirat publike, tashmë i kanë humbur parqet. Sepse politikanët e korruptuar në bashkinë e Tiranës dhe në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, politikanë si Erion Veliaj dhe Edi Rama përfitojnë miliona, bashkë me oligarkët e ndërtimit duke e kthyer qytetin në një shesh të përhershëm ndërtimi”, -deklaroi Arlind Qori.
Banorët i janë drejtuar njësisë administrative nr.6 si dhe komisariatit përmes kërkesave përkatëse për të kundërshtuar projektin si dhe duke kërkuar informacion plotësues të origjinës së pronës.
Shiko më shumë:
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).