Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Restaurimi “me llaç industrial” i Xhamisë së Plumbit shqetëson ekspertët

Pamje nga "Xhamia e e Plumbit", Shkodër

Projekti për restaurimin e xhamisë së Plumbit në Shkodër “me llac të bardhë industrial” ka ngjallur kundërshtinë e ekspertëve.

janar të 2018 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, paralajmëroi nisjen e projektit “për të shpëtuar Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga përmbytjet”.

Sot pas gjashtë vitesh, teksa ky projekt po implementohet, resturatorë dhe ekspertë bëjnë thirrje se punimet restauruese po i humbasin moshën dhe formën objektit.

Zef Çuni, i cili ka bërë disa punime restauruese në këtë objekt në vitet 90-të i konsideron të gabuara ndërhyjet, ndërsa shton se askush nuk është konsultuar me të për ndërhyrjen aktuale.

“Ndërhyrjet restauruese të xhamisë janë të gabuara dhe nuk kanë të bëjnë fare me restaurimin. Fugimi i panevojshëm me llac industrial të bardhë i ka humbur objektit vjetërsinë duke e bërë në dukje si të ishte një objekt i ndërtuar me blloqe betoni” – analizon restauratori dhe arkitekti Çuni.

Ai shpjegon për Citizens.al se kjo xhami është e vetmja ndërtesë që ka një portik. Besimtarët futen brenda dhe janë brenda një portiku, mbuluar me kupola të veshura me plumb dhe nuk qëndrojnë në shi. Po ashtu ajo ka edhe një oborr të brendshëm që nuk e kanë xhamiat e tjera, pra është tipike për zonën.

Por drejtuesja e DRTK-së Shkodër, Besara Podgorica sqaron se bëhet fjalë për një proces teknik të papërfunduar.

“Nuk ka të bëjë me fugatimin në tërësi, thjeshtë është bërë e mundur mikro – injektimi i mureve me llac gëlqere. Procesi fugatimit po realizohet, por nuk është i realizuar në fazën përfundimtare, do ketë një tjetër pamje” – shpjegon ajo.

Megjithatë, nisur nga shqetësimet e ekspertëve, Podgorica pohon se i është kërkuar firmës kontraktore që të bëhet një rishikim i punimeve.

“ Ishim të merakosur, por ata na siguruan që nuk është fuga përfundimtare”- përfundon ajo.

I kontaktuar nga Citizens.al, restauratori Aleksandër Meksi thotë se kushti themeltar është që pamja e monumentit nuk duhet të ndryshojë.

“Muret i ka të forta, mund të bëhej në mënyra të tjera. E shoh që nuk reagon asnjëri për këtë rast, as nga ministria, me mendimin se do kalojë” – shprehet Meksi.

Miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit me vendim nr. 05 datë 16.03.2022 projekti parashikon gjithashtu realizimin e një dige mbrojtëse për xhaminë dhe ambientin përreth saj, rindërtimin e minares së rrëzuar si dhe përforcimin strukturor të saj.

Ne mars të 2021 gjatë inspektimeve të punimeve për Xhaminë e Plumbit kryeministri Edi Rama, si dhe ish – Ministrja e Kulturës Elva Margariti thanë se nuk do të ketë tjetërsime.

Restaurimi i kësaj xhamie po realizohet në bashkëpunim me palën turke, pas një marrëveshjeje të arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke në vizitën që Erdogan bëri në 6 janar të 2021.

Zef Çuni përmend raste të tjera flagrante sipas tij, me probleme në restaurim, si p.sh. te Ura e Mesit, ku restaurohet me fadromë, apo fugat pastrohen me matrapikë.

Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu. Ajo u shpall Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane. Ndërhyrja e fundit në këtë xhami është bërë në vitin 1865, pas përmbytjes së madhe të Shkodrës.

Fugimi – Mbushja e boshllëqeve midis gurëve*

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *