Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivisti mjedisor fiton gjyqin kundër kompanisë së TEC-eve lundruese në Vlorë

Aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni ka fituar betejën ligjore me kompaninë italiane Renco, e cila e kishte paditur për shpifje.

Në 2022, Ferruni publikoi një artikull ku ngriti shqetësimet e tij për lidhjet mafioze të kompanisë Renco,  një kompani italiane e nënkontraktuar për zbatimin dhe ndërtimin e projektit madhor të gazsjellësit TAP në Shqipëri. 

Ai e bazonte argumentin e tij në një raport të organizatës prestigjoze Bakwatch si dhe në investigime të tjera.

Sipas kompanisë, Ferruni kishte ngritur akuza të pabaza mbi kompaninë dhe lidhjen e saj me mafian italiane dhe raste të provuara ryshfeti në Afrikë.
Ferruni është një zë aktiv në mborjtjen e natyrës dhe ka denoncuar për një kohë të gjatë ardhjen e dy TEC-eve lundruese në Vlorë. 

Qendra Respublica që ka përfaqësuar ligjërisht Ferrunin në këtë gjyq, shprehet se “aksioni ligjor ndaj aktivistit Ferrunaj ngjan më shumë me një padi SLAPP, padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Më shumë se fitoren në gjyq, ata synojnë të frikësojnë, konsumojë kohën dhe mjetet monetare të të akuzuarve, pikërisht sepse ata marrin pjesë aktive në ngritjen e ndërgjegjësimit për debate me interes publik”.

Këto lloj padish përdoren shpesh ndaj gazetarëve, por dhe aktivistëve për t’i heshtur ata.

Ferruni në një reagim për mediat pas vendimit, shprehet se ishte i bindur që vendimi ndaj tij do të ishte pafajësi. Por ai mendon se kjo “ndërhyrje prej 1 viti është një përpjekje për të ndaluar dikë që flet për një kauzë të frikshme”.

Mjedisorët kanë pasur një betejë të gjatë kundër ndezjes së dy Tec-eve lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. 

Dy Termocentralet lundruese në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” prej më shumë se një viti po lundrojnë në gjirin e Vlorës ende pa prodhuar energji. Fillimisht, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se ato do të nisnin prodhimin e energjisë në janar 2023, për të “shpëtuar” kështu vendin “nga kriza energjetike”, e cila nuk ndodhi. TEC-et nuk kanë nisur ende prodhimin, por Ferruni shprehet se nëse ato nisin të prodhojnë do “të jetë një masakër mjedisore”.

Një grup qytetarësh dhe organizatash mjedisore kanë dorëzuar një padi kundër TEC-it lundrues të Vlorës. 

Ata kërkojnë rrëzimin e kontratës së qiramarrjes të TEC-it lundrues të instaluar tek porti i peshkimit në Vlorë, të sjellë nga Bangladeshi për të prodhuar energji duke djegur naftë të rëndë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *