Ashtu sikurse çdo vit, maji është një muaj krenarie, si vetë parada e sotme, për të folur, për të treguar që komuniteti LGBTI është aty, në shoqëri, për të kërkuar liri e siguri.
Të udhëhequr nga thirrja “Çdo ngjyrë, një familje” ata marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa përsëritën njëzëri thirrjet për të qenë krenarë për identitetin e tyre.
Situata e ditëve të fundit, ku një mori komentesh, diskutimesh në televizione e hapësira publike, të përmbyllura me një protestë ditën e djeshme për të mbrojtur familjen tradicionale, e duke i konsideruar anëtarët e komunitetit LGBT si kërcënim, kishin marrë përgjigje edhe në fjalën që mbajtën aktivistët.
“Ata nxisin dhunë përmes urrejtjes së tyre, por thonë se e bëjnë këtë për të mbrojtur familjen. Po nga kush e mbrojnë ata familjen? Nga dy njerëz që duhen? Nga dy njerëz që respektohen? Nga dy njerëz që kujdesen për njëri-tjetrin? Ne nuk jemi kërcënim”,-shkruhej në fletët e lagura nga shiu e të thirrura fort me megafon nga aktivistja Xheni Karaj.
Në marshim, ata theksuan se janë qytetarë të këtij vendi e si rrjedhojë janë kudo, në familje e profesione nga më të ndryshmet.
“Ne jemi bija, jemi bij, jemi prindër, jemi motra, jemi vëllezër. Jemi fqinj. Jemi mësues, jemi artistë. Jemi shitësja e bukës në marketin e lagjes. Jemi rrobaqepës afër shtëpisë që qëndis rrobat e shkurton pantallonat. Jemi shoferi i taksisë, kamarieri dhe kamarieria që servirin kafen e mëngjesit. Jemi parukieret dhe make-up artistët. Ne jemi qytetarë e ne jemi kudo!”
Në këtë paradë, ata kërkuan nga vetë komuniteti vetëpranim dhe dashuri për veten. E po ashtu edhe angazhim më shumë nga ana e institucioneve për të siguruara të drejtat dhe sigurinë e jetës.
“Incidentet e fundit tregojnë që komuniteti nuk është i sigurt dhe i mbrojtur. Nëse incidentet i ndodhin Xhenit dhe Livias që janë të njohur edhe kanë dalë hapur, bën që njerëzit të kenë frikë të dalin hapur, sepse ja çfarë i pret. Mendoj që ligjet, diskutimet, tryezat thonë që komuniteti është i pranuar, por në fakt ja i shohim, 200 veta – 300 veta, nuk besoj se kaq mjafton për të ndryshuar mentalitetin dhe cilësitë e jetës së komunitetit”, – u shpreh Sidita Zaja, aktiviste.
Diversiteti dhe larmishmëria u dukën jo vetëm nga veshjet, ngjyrat, mesazhet e përcjella, por edhe nga gjuhët e folura në shesh. Shumë qytetarë kishin udhëtuar nga vende të ndryshme për të shprehur solidaritet me komunitetin në Shqipëri, por njëkohësisht edhe për të festuar.
“Është hera ime e parë në paradën në Shqipëri. Jam për të mbështetur të drejtat LGBT në Shqipëri, por edhe në Ballkan, për të dhënë një mesazh kurajoje personave që jetojnë këtu, për të qenë vetvetja dhe që të mos kenë frikë dhe ta mposhtin atë”,– u shpreh Domenico Marinelli nga Italia.
Ky është viti i 12-të radhazi që Parada e Krenarisë mbahet në Shqipëri. Ndër vite mesazhet kanë qenë të ndryshme, ku mbizotëruese ishin siguria, aksesi në edukim e shëndetësi dhe njohja e familjeve LGBT.
Një ceremoni martesore e të njëjtës gjini
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara vendosën të kurorëzojnë dashurinë e tyre një javë më parë në një ceremoni martesore. Te veshura nën petkun e fustaneve të bardha dhe të shoqëruara nga dy vajzat e tyre, ato bënë një hap simbolik, përpos faktit se në Shqipëri martesat e së njëjtës gjini nuk janë ende të lejuara me ligj.
Për këtë arsye ato patën celebrues të dashurisë së tyre në tarracën e bashkisë Tiranë dy pastorë britanikë.
“Donim ti tregonim atyre që na qeverisin që jemi akoma këtu. Që familjet LGBT janë të pranishme në shoqërinë shqiptare, qofshin ato të zgjeruara si familja jone ose jo. Familjet LGBT janë realitet dhe realiteti mund të harrohet, por nuk mund të zhduket. Ne duam te drejta të barabarta më të gjithë qytetarët e tjerë të kësaj republike dhe do luftojmë fort për ti arritur ato. Gjithashtu donim ti tregonim edhe komunitetit LGBTQ+ që të jesh queer dhe besimtar është e mundur, dhe se ka njerëz që na mbështesin”,- tha për “Citizens” Alba Ahmetaj.
Kjo martesë u shoqërua me një reagim të menjëhershëm në rrjete sociale,ku mbizotëroi gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet. Reagime këto, të cilat u materializuan edhe pasditen e së premtes në një protestë të thirrur nga përfaqësues të besimeve fetare për “të mbrojtur familjen”.
“Sigurisht nuk kanë qenë të lehta, por e kishim marrë parasysh edhe gjithë këtë fortunë që do krijonte kjo ceremoni. I kishim marrë parasysh edhe gjithë gënjeshtrat që do të shpërndaheshin nga ata të zakonshmit me të cilët jemi mësuar tashmë dhe ua njohim strategjinë. Më vjen keq që kanë kaq pak imagjinatë”,– ndau Alba si përjetim nga java pas ceremonisë martesore.
Sipas Albës, rastet e dhunës dhe narrativa diskriminuese kanë qenë të përhershme që prej momentit që bashkë me Edën vendosën të dalin publikisht si partnere.
“Rastet diskriminuese, intimiduese apo edhe dhuna do vazhdojnë të jenë prezente në jetën tonë, por kjo vetëm na bën më kokëforta për të ecur përpara”.
Për të Parada e Krenarisë e mbajtur sot do të jetë gjithmonë një protestë e komunitetit LGBT.
“Do të vazhdojë të jetë një protestë e komunitetit LGBTQ+ deri sa të arrihen të drejta të barabarta. Kur këto të drejta të arrihen, atëherë Pride do kthehet në një festë të diversitetit dhe pikërisht për këtë arsye, për ne është shumë i rëndësishëm”,- përfundon Alba.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).