Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndërtimi i hekurudhës Vorë- Hani i Hotit, miratohen 98 milionë euro kredi

Të martën Komisioni i Ligjeve miratoi me 13 vota pro projektligjin për marrjen e kredisë prej 98 milionë e 750 mijë euro nga BERZH, për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. 

Në 26 shkurt u firmos në Londër marrëveshja e financimit për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore. Marrëveshja është nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe BERZH.

Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, por një pjesë e kostos mbulohet nga BERZH  dhe BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë nga buxhetit i shtetit. 

Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore, e cila do të shërbejë për transport udhëtarësh, mallrash, por edhe për qëllime ushtarake.

Për këtë linjë hekurudhore është vendosur si afat përfundimi viti 2030. 

Kompanitë që do të vijojnë në fazën e dytë të procedurës, janë: ALTINOK – RITES Joint Venture,Turqi; COwI A/S. Danimarkë; IRD Engineering S.r.l.  Itali; Italferr S.p.A.  Itali; NET Engineering / IDOM CONSULTING ENGINEERING ARCHITECTURE SAU. Itali si dhe SALFO AND ASSOCIATES S.A. – HILL INTERNATIONAL S.A. – SYSTEMA CONSULTING S.A. Greqi.

Projekti është pjesë e zgjatimit të “Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor”, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut. 

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm, por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët.

Ky është projekti i dytë që Qeveria Shqiptare po zhvillon në sektorin hekurudhor pas asaj Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila është ende larg realizimit dhe ka shkelur disa herë afatet e vendosura.

Shqipëria është ndër të vetmet vende në Evropë që nuk ka linja hekurudhore funksionale, pasi ato ekzistueset u lanë të degradohen.

Projekti i parë që ka nisur është ai  i linjës Tiranë-Durrës-Rinas, i cili po ecën më ritme të ngadalta dhe nuk dihet nëse do ta shkelë sërish afatin e vendosur në vitin 2025.  

Citizens ka realizuar një seri dokumentarësh për linjat hekurudhore në Shqipëri, ku hedh dritë mbi arsyet pse janë lënë të degradojnë këto linja si dhe nevojën për të pasur linja funksionale. “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, trajton boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik.

 Hekur është dokumentari i parë i këtij cikli. Hekuri i shinave që dikur lidhnin njerëzit sot është kthyer në ndryshk. Më shumë se gjysma e 447 kilometrave hekurudhë është tërësisht jashtë funksionit, e ajo që ka mbetur është thuajse e pa përdorshme. Dokumentari i parë i këtij cikli trajton “Rrugën e gjatë nga Tirana për në Durrës” duke sjellë histori nga sytë e ekspertëve, përdoruesve dhe ish-punonjësve të hekurudhës. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.

“Pluhur” është dokumentari i dytë, i këtij cikli. “Pluhur” është një rrugëtim në këtë infrastrukturë të harruar dhe një bisedë me njerëzit që e ndërtuan atë. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.


Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *