Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: Kostoja e shëndetit menstrual rëndon vajzat dhe gratë

Foto ilustruese per ciklin menstrual dhe higjienen
Foto ilustruese për higjienën menstruale

Një gruaje me pagë mesatare prej 49.000 lekësh i duhet të punojë 3.4 muaj gjatë gjithë jetës së saj riprodhuese për të paguar koston e shëndetit menstrual.

Sipas një studimi të organizatës “Together for Life”, kjo barrë është më e rëndë për gratë, të cilat paguhen me pagë minimale. Atyre ju duhet të punojnë 4.5 muaj gjatë gjithë jetës së tyre për të përballuar koston e shëndetit menstrual.

“Grave në Shqipëri iu rëndon kostoja e shëndetit menstrual edhe për shkak të trajtimit të pabarabartë në pagë krahasuar me meshkujt, për të njëjtin aktivitet akonomik”,-thuhet në raport.

Raporti thekson se shpenzimet për higjienën menstruale janë të paevitueshme dhe jo domosdoshmërisht lidhet me mundësitë financiare të grave për ti përballuar ato. Statistikat e punësimit të grave në Shqipëri tregojnë se 53.8% e vajzave dhe grave të moshës 15-64 vjeç janë të punësuara. Nga gratë e punësuara 18,3% e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, ndërsa 7.6% e tyre janë të papuna dhe 38.6% janë jashtë forcës së punës.

“Pra rreth 46,2% e grave në Shqipëri nuk kanë një burim të ardhure nga puna për të financuar shpenzimet e tyre të domosdoshme ku përfshihen edhe shpenzimet për higjienën menstruale”,-thuhet në raport.

Sipas raportit, nga vajzat dhe gratë të moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo aktive, 28.1% janë nxënëse ose studente dhe 30.3% janë shtëpiake.

“Ekziston një lidhje e drejtë logjike ndërmjet pamundësisë financiare për të përballuar koston e pecetave higjienike dhe medikamenteve menstruale dhe përqindjes së femrave që janë ekonomikisht jo aktive. E kombinuar kjo dhe me faktin që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri banon në zonat rurale konkludojmë që një pjesë e konsiderueshme e grave dhe vajzave janë në vështirësi për të financuar nevojat e tyre minimale të kujdesit personal”,-citon raporti.

Burimi: Together for Life

Për një vit, një vajze dhe gruaje i duhet të shpenzojë 4200 lekë për higjienën menstruale.

“Gjatë gjithë kohëzgjatjes së menstruacioneve që zgjat mesatarisht deri në 40 vjet (12-52 vjeç), kjo kosto shkon në 168 000 lekë për grua/vajzë”,-citon raporti.

Burimi: Together for Life

Taksa mbi produktet e higjienës menstruale konsiderohet si faktor që thellon pabarazitë gjinore. Në nëntor të vitit 2023, deputeti socialist Erion Braçe solli në diskutim në Komisionin për Ekonominë dhe Financat rishikimin e politikës së taksimit të produkteve të higjienës menstruale, duke përjashtuar TVSH-në nga produktet higjieno-sanitare të vajzave dhe grave. Kjo nismë u rrëzua nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

“Në të gjithë botën, në një ditë, janë mbi 800 milionë vajza dhe gra që përjetojnë menstruacionet dhe që përballen me pengesa të ndryshme pikërisht për shkak të këtij procesi natyral. Stigma dhe tabutë sociale rreth menstruacioneve, shpeshherë ua bëjnë të pamundur grave dhe vajzave që të shkojnë në shkollë apo në punë”,-thuhet në raport.

Disa nga propozimet e raportit për reduktimin e kostos së higjienës menstruale për vajzat dhe gratë në Shqipëri janë heqja e TVSH-së për produktet si pecetat higjienike dhe tamponët; ofrimi falas i pecetave higjienike në shkollat e arsimit 9-vjecar dhe atij të mesëm; ofrimi falas i pecetave higjienikë në burgjet e vajzave dhe grave.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *