Ngritja dhe rënia e pashmangshme e një sindikate
Vitin e shkuar, Mira Shega, një rrobaqepëse e kualifikuar fasonerie, së bashku me dy-tre punëtore të tjera, doli në grevë kundër kompanisë “Toni Oil” në Bilisht të Devollit. Orët e gjata të punës, leja jo e plotë, rroga e ulët, mjaft poshtë asaj minimale, i detyroi që t’i kërkonin pronarit të kompanisë përmirësimin e kushteve të punës. Shumë shpejt u bashkuan me to edhe gratë e tjera. Puna ndaloi dhe çështja u bë publike.
Të parët që u paraqitën ishin drejtuesit e një prej dy grupimeve më të mëdha të sindikatave shqiptare: Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSh), të cilët kërkuan që palët të negocionin me njëra-tjetrën. Por pas disa përpjekjeve nuk u arrit asgjë. Madje gratë kundërshtuan edhe draft kontratën e propozuar nga KSSh, e cila, në një nga pikat, i detyronte që të paguanin materialet e dëmtuara gjatë punës me turne.
Konfederata u largua, por jo Mira, e cila zgjodhi një tjetër rrugë, më të vështirë. E ndihmuar edhe nga aktivistët e “Lëvizja Bashkë”, Mira ia doli që të formonte një sindikatë të pavarur, jashtë bashkimeve sindikaliste tradicionale.
Por në Shqipëri, organizimi i punëtorëve nuk është një mision i lehtë. Nisma për të organizuar punëtorët në mënyrë të pavarur nuk gëzon mbrojtje të posaçme ligjore.
Edison Hoxha, një ish-përfaqësues i punëmarrësve në KSSh, pohon se nuk ka mbrojtje për ata që iniciojnë aksionin për t’u organizuar në sindikatë. “Mbrojtje gëzojnë sindikatat dhe përfaqësuesit kryesorë që janë regjistruar dhe që janë njohur si partnerë nga punëdhënësit, – thotë eksperti Hoxha.
Por gratë në Bilisht ishin të vendosura. Ato u kthyen në repart, vetëm pasi e detyruan pronarin që të nënshkruante kontratën e punës me secilin prej punonjësve të fasonerisë. Puna rifilloi në maj (2023) dhe gjërat shkuan mbarë deri në dhjetor, kur “Toni Oil” e mbylli rrobaqepësinë dhe i pushoi punonjësit, që të gjithë.
“Aksesi ynë në fabrikë është i kufizuar”
Industria fason ka njoftuar se po has vështirësi të mëdha. Në 2023, EURO u zhvlerësua më shumë se 12% kundrejt lekut, çka sipas ekspertëve, dobësoi aftësinë likuiduese të kompanive; dollari akoma më shumë.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), rënia e peshës së bizneseve fason në ekonominë vendase, gjatë vitit 2023, vlerësohet, rreth 18,000,000 Euro. Një tjetër vështirësi erdhi nga rënia e fuqisë punëtore, kryesisht prej flukseve emigratore.
“ProExport Albania” ka raportuar për 20,000 punonjës më pak, vetëm në dy vjet. Por ajo mbron interesat e punëdhënësve fason. Të dhënat zyrtare nuk përputhen. Statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) rezultojnë më të përmbajtura. Në tremujorin e parë të 2023 (T1) u deklaruan në administratën tatimore vetëm 4,350 punonjës fason më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë, në 2022.
Ndryshe nga sa mendohet, edhe numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve (tekstile, veshje dhe këpucë), të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) ruan një shifër të qëndrueshme: 847 (prill 2024). Nëse e krahasojmë me numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve në fund të 2019, vit në të cilin urdhrat e punës u pakësuan për shkak të Pandemisë, rezulton një rënie, por jo më shumë se 4%.
Megjithëkëtë, negociatat për zbutjen e krizës, përfunduan në favor të biznesit. Qeveria miratoi në prill 4,000,000,000 Lekë, si garanci (sovrane) në favor të bankave tregtare, për t’ju dhënë mundësi subjekteve të industrisë përpunuese marrjen e kredive.
Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, rrëfen se negociatat mes palëve kishin nisur qershorin e shkuar, por u desh, së pari, kryerja e një vlerësimi më të gjerë mbi tregun e punës, për marrjen e një vendimi. “Ne kuptuam se veprimtaria e këtyre bizneseve shtrihej në territore administrative, në të cilat nuk mundësohej riintegrimin i punonjësve në të tjera industri. Ndaj filluam të përfshiheshim seriozisht për t’i ndihmuar, në rast se rrezikonin që të mbeteshin pa punë”, – shpjegon ai
“Ndihma” erdhi edhe falë lobimit të punëdhënësve fason, ndërkohë që nuk ka asnjë garanci për punëmarrësit. “Dhënia e kredisë mund të kushtëzohej me respektimin e standardeve të kushteve të punës së punonjësve nga kompania”, shprehet Edison Hoxha.
Në Tiranë, dialogu social ka ngecur në letër.
Këshilli Kombëtar i Punës (KKP) që bashkon partnerët socialë nën një çati, po bëhet gjithmonë e më shumë i parëndësishëm. Diskutimet mbi tregun e punës janë shndërruar në një formalitet burokratik ku shfletohen dokumente dhe strategji punësimi, por pa adresuar ndonjë ndihmë konkrete për punëtorët në terren.
Suzana Lulaj, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave Fason, u caktua një vit më parë, si një prej përfaqësuesve të punëmarrësve në këtë këshill, por deri tani nuk është thirrur ende në ndonjë takim. “Numri i punëtorëve në sindikata është i vogël dhe vetëm një pjesë e kontratave kolektive kanë mbetur aktive”, – tregon Lulaj. “Në Shkodër janë mbyllur disa kompani, ndërkohë që disa të tjera kanë shkurtuar punonjësit”, – raporton më tej.
Grupimet e mëdha sindikale në vend, Konfederata e Sindikatave (KSSh) dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPSh) pohojnë se aksioni sindikalist në sektorin fason është tkurrur. Por Lulaj (KSSh) thotë se organizimi në sektorin privat paraqet vështirësi më të mëdha, krahasuar me atë publik. “Aksesi ynë në fabrikë është i kufizuar nga pronari dhe përfaqësuesit tanë nuk lejohen që të takohen me punëtorët brenda mjediseve të punës, pa lejen e tij”, – përfundon ajo.
Për drejtuesen e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, kontratat kolektive zbatohen vetëm në kompani, të cilat funksionojnë si nënkompani të kompanive të huaja jashtë Shqipërisë, të lidhura ngushtësisht mes tyre, përmes porosive. “Janë këto të fundit të cilat nxisin dhe kërkojnë nënshkrimin e kontratave kolektive, si një mënyrë për të ushtruar përgjegjësitë e porositësit përtej tregut të shitjes, por edhe si një kërkesë prej autoritetit vendor, ku këto kompani janë regjistruar”, – tregon ajo.
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit (AKPA) konfirmojnë një numër të ulët të kompanive shqiptare që kanë kontrata kolektive aktive për punonjësit, vetëm 16. Sidoqoftë, asnjë prej këtyre kontratave nuk ofron më shumë të drejta për punëtorët nga sa parashikon vetë Kodi i Punës, i përditësuar para tetë viteve.
Të humbësh në të dhëna
Ekzistojnë shumë mënyra për të rrëfyer të njëjtën histori punësimi, por ka një mënyrë të mirë për ta fshehur atë: nëpërmjet të dhënave publike që ofron Inspektorati Shtetëror i Punës. Paradoksi qëndron në faktin se çdokush që zhytet virtualisht në këtë pishinë të thellë të dhënash, nuk arrin që të përjetojë ndjesinë e të qënit i informuar mbi kushtet dhe gjendjen e punonjësve të sektorit fason. Sepse Inspektorati nuk raporton, specifikisht, për sektorin fason, por i klasifikon kompanitë e veshjeve dhe të këpucëve brenda një industrie më të madhe: asaj përpunuese. E dimë, që mënyra më e mirë për të fshehur detajin, është ta trazojmë atë në një lumë të dhënash, të parëndësishme dhe sa më të përgjithshme. Por sa mundësi dhe sa kapacitete ka Inspektorati për ofrimin e të dhënave fason? Përgjigjja do të ishe: shumë! Mirëpo Inspektorati nuk e bën dhe nuk do ta bëjë, për aq kohë që askush nuk ia kërkon…
Organizatat që mbrojnë të drejtat e punës nuk e kanë adresuar me seriozitetin e duhur mungesën e të dhënave në tregun e punës fason. Në morinë e raporteve dhe të dokumentacionit, të dhënat mbi të drejtat në punë vijojnë që të trajtohen në mënyrë të përgjithshme, si statistika, e jo konkretisht e si çështje përmbajtësore.
Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Komisioneri) refuzon që të ndihmojë. Prej kohësh ai ka refuzuar që të merret më cilësinë e të dhënave që ofrojnë autoritetet publike, duke u fokusuar në formalitete burokratike që favorizojnë produktin sasior, por që nuk arrijnë të përcjellin ngjarje, apo dëshmi konkrete në interes të publikut.
Të folurit në përgjithësi mbetet një rrezik i përhershëm, që zbeh përgjegjësinë e nëpunësve dhe ushqen korrupsionin në administratën publike.
Konkretisht, në përgjigje të një kërkese nga ana e redaksisë, Inspektorati konstatoi vetëm 140 punonjës informalë në ndërmarrjet Fason, të inspektuara gjatë vitit 2022, por nuk u përgjigj se në cilat kompani u konstatuan punonjësit; as nuk ofroi të dhëna të përditësuara për 2023 e në vazhdim. E njëjta gjë me aksidentet në punë. Inspektorati nuk ishte në gjendje që të ofronte të dhëna mbi numrin e punëtorëve të aksidentuar në sektorin fason; mbi pasojat, apo trajtimin e mëtejshëm të tyre. Në vijim, sipas inspektimeve, në çdo tri kompani të inspektuara, në njërën prej tyre ishte ngritur Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, por (megjithëse iu kërkua) Inspektorati nuk ofroi asnjë dokument, si provë për këtë.
“Ç’të duhet ty moj sindikata!”
Mira Shega, punëtorja që ngriti sindikatën e pavarur në rrobaqepësinë e Bilishtit, u pushua nga puna në dhjetor të 2023. Brenda pak ditëve, pronari i “Toni Oil” njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve të punës edhe për gratë e tjera të rrobaqepësisë. “Për 2024 reduktohet furnizimi. Në këto kushte, një numër i caktuar punonjësit do të largohen nga puna!”, – njoftoi kompania. Për rastin mund të jetë postuar në Facebook, por vështirë që të jetë raportuar në media.
Mira nuk pati mbështetje as nga sindikatat e tjera, sepse nuk e konsideruan si një çështje të tyre. Ajo mbeti e vetme edhe nga gratë, pasi një pjesë e tyre u dorëzua. Sa herë që e tregon këtë histori, ajo nuk harron që të kujtojë se çfarë i thoshte nëpunësi i zyrës së punës ato ditë: “Ç’të duhet ty moj sindikata!”. E gjendur në rrugë, nënë e tre të rinjve, Mira filloi shpejt një punë të re në Supermarket. Ende pa u mbushur java, ia shkurtuan vendin. Të nesërmen pronari mori të tjerë njerëz. Thjesht, e kishin zëvendësuar…
Lart në Tiranë, autoritetet po sigurohen për zbatimin e Garancinë Sovrane. “Zhvillimi i turizmit, po zhvillon një fason të ri: mbulesat e krevateve”, – nënvizon zëvendësministri Yzeiraj. Me zellin e sinqertë të një eksperti, ai tregon se popullsia fason po plaket dhe se vajzat e grave të viteve ’90 nuk po e ndjekin traditën. “Modeli i krahut të lirë të punës po vdes”, – konstaton ai. “Sot kemi më shumë fason se Made in Albania”, – vijon më tej, “ndaj dhe vendosëm që të investojmë në teknologji, jo në likuiditete. Garancia Sovrane nuk është për të mbajtur gjallë modelin, por për të nxitur ndryshimin e tij”, përfundon zyrtari.
Në fakt, për ndryshimin flitet kudo, ndonëse ka plot pasiguri për të ardhmen. Qeveria po punon për hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Tregtisë. Drafti parashikon përfshirjen e të gjitha ndërmarrjeve brenda dhomave. Kjo mund t’i organizojë punëdhënësit; sikurse mund t’i kontrollojë me shumë. Ende nuk dimë se çfarë do të ndodhë me punëmarrësit; si do të ndryshojnë ata; ose më mirë, si do të përshtaten.
Poshtë në Bilisht, në skajin më lindor të vendit, nuk kaloi shumë dhe “Toni Oil” e rihapi rrobaqepsinë, po aq papritur sa edhe e mbylli. Në Janar, riktheu një pjesë të grave dhe gradualisht, brenda dy-tre muajve, i riktheu që të gjitha, por jo Mirën.. “Nëse gratë nuk do të ishin dorëzuar edhe unë do të isha rikthyer”, – thotë Mira, e cila sapo ka filluar si ndihmëse në një klinikë dentare. “U lodha nga tërë kjo përpjekje dhe nuk fitova asgjë”. Janë fjalët e saj në fund të betejës.
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.