Citizens.al

Universiteti i Tiranës refuzoi të bëjë transparente shpenzimet, Qëndresa Qytetare fiton gjyqin

Foto ilustruese nga prezantimi i monitorimit të Universiteteve në 2023 nga Qëndresa Qytetare
Foto ilustruese nga prezantimi i monitorimit të Universiteteve në 2023

Gjykata Administrative e ka konsideruar të padrejtë mungesën e transparencës së Universitetit të Tiranës për fondet publike, ndaj vendosi në favor të organizatës “Qëndresa Qytetare” dhe i ka kërkuar UT-së që ti vërë në dispozicion kontratat dhe shpenzimet e kryera me paratë publike.

Sipas Qëndresës Qytetare, kjo betejë për të marrë informacion për kontratat ka dy vite që vijon.

“Universiteti i Tiranës refuzoi të japë informacionin edhe pasi QQ e fitoi këtë të drejtë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, me argumentin se informacioni do të dëmtonte sekretin tregtar të kompanive me të cilat janë lidhur kontratat e blerjeve apo shërbimeve, pavarësisht se paratë e shpenzuara ishin para publike të tarifave të studentëve”,- thuhet në reagimin e Qëndresës Qytetare.

Edhe pse çështja u ndoq edhe përmes Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Komisioneri nuk vendosi gjobë sikurse parashikon ligji për të drejtën e informimit në nenin 18 të tij.

“Beteja ka nisur që para dy vitesh. Kemi dy vite që nuk na japin informacion dhe ne vitin e kaluar e lamë deri te Komisioneri për të Drejtën për Informim. Pastaj e ripërsëritëm procesin edhe njëherë vitin e kaluar. Ata prapë nuk na e jepnin. Komisioneri nuk vendoi gjobë, pra doli me vendim që duhet dhënë informacioni, por nuk vendosi gjobë për institucionin“,-shpjegon Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.

Në nëntor 2023, Qëndresa e dërgoi çështjen në Gjykatën Administrative.

“E kemi çuar në Gjykatë në nëntor të 2023-it, pasi bëmë transparencën për universitetet. Janë bërë 3 seanca gjyqësore. Ky është vendim i shkallës së parë, që pranohet padia jonë dhe detyrohet Universiteti të verë në dispozicion informacionin e kërkuar nga Qëndresa”,-shtjellon Qiraxhi.

Qëndresa Qytetare kryen çdo vit monitorim të universiteteve publike në vend sa i takon shpenzimeve të tyre dhe transparencës. Kërkesa ndaj Universitetit të Tiranës për të vendosur në dispozicion kontratat e blerjeve të 380 000 euro mobilje, 283 800 euro mirëmbajtje ndërtese dhe gardhit rrethues, 170 000 euro rikualifikim të oborrit dhe 103 000 detergjentë, nuk mori përgjigje nga universiteti, duke i konsideruar sekret tregtar.

Sipas Qiraxhit, ky rast shërben si precedent edhe për të tjerë, ndërsa i shërben transparencës së institucioneve publike në vend ndaj qytetarëve.

“Fitorja është te precedenti sepse ata nuk jepnin informacion sepse thonin që kontratat nuk jepen sepse ruajnë sekretin tregtar. Këtë e bëjnë edhe bashkitë dhe ky është precedent edhe për institucionet e tjera që do të thotë asnjë kontratë në Republikën e Shqipërisë nuk mundet të mos i jepet një qytetari me kërkesën për informacion sepse pretendon se është sekret tregtar”,-përfundon Qiraxhi.

Qëndresa Qytetare i ka kërkuar rektorit të Universitetit të Tiranës të zbatojë vendimin e gjykatës dhe të zbardhë për publikun dhe studentët kontratat e mbajtura sekret në këto dy vite.

Sipas monitorimit të kryer në vitin 2023, universitetet vijojnë të shpenzojnë shuma të konsiderueshme për ruajtjen e godinave, honorareve dhe shpërblimeve, si dhe shpenzimeve për karburant. Ndërsa një pjesë më e vogël e buxhetit ka shkuar për kërkim shkencor dhe studime.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW