Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Episode të reja kërcënimesh ndaj gazetarëve, reagojnë organizatat e medias

Dy raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve janë regjistruar në dy ditët e fundit.

Ditën e enjte, 30 Maj, gjatë kohës që po zhvillohej seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, gazetarët po filmonin punimet si zakonisht, por Garda e Republikës tentoi të largonte gazetarët. 

Kjo ndërhyrje shkaktoi përplasje me gazetarët, të cilët kërkuan që të trajtohen me respekt nga punonjësit e gardës. 

“Ky incident nënvizoi tensionin e vazhdueshëm mes medias dhe autoriteteve, pasi gazetarët këmbëngulën në të drejtën e tyre për të qëndruar dhe për të raportuar mbi punimet parlamentare”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.

Ngjarja u përcoll me reagim dhe nga Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH, një shoqatë për të drejtat e gazetarëve e themeluar së fundmi.

AGSH ka për qëllim të dokumentojmë sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri dhe të bashkëpunojë me organizata ndërkombëtare.

“AGSH e cilëson këtë një revansh të rrezikshëm që pengon gazetarët të shikojnë/dëgjojnë/filmojnë në të vetmen hapësire Kuvendore që ju lejohet. Ne i kërkojmë Gardës së Republikës të bëjë një hap pas dhe të ristrukturojë ekipin që punon në Kuvend”, thuhet në reagimin e AGSH për rastin e sulmit nga Garda e Republikës.

Kjo nuk është hera e parë që gazetaret kanë përplasje fizike me punonjësit e gardës.

“Është koha që Kuvendi i Shqipërisë, bashkë me ne, të hartojë një set të qartë e transparent rregullash, që të tilla situata të mos përsëriten më”, thotë AGSH.

Po ashtu të enjten u regjistrua një tjetër rast sulmi ndaj gazetarëve. Noterja Anila Haxhiu ka kërcënuar gazetaren e emisionit “Stop”, Odeta Gjevori.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt i cilëson si alarmante për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri këto sulme. 

Programi STOP, ku Odeta Gjevori punon si gazetare, shfaqi disa regjistrime nga seanca gjyqësore mes noteres, Anila Haxhiu, e paditur dhe gazetares Gjevori, paditëse. 

Noterja Haxhiu përdor një gjuhë kërcënuese dhe denigruese ndaj gazetares Gjevori në këto regjistrime.

“Është e papranueshme që një funksionare publike të ketë një qasje të tillë ndaj medias, veçanërisht pa asnjë reflektim nga noterja, e cila më parë ishte paditur nga gazetarja pasi gjatë ushtrimit të detyrës u dhunua nga noterja”, thotë Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Mbi këtë rast ka reaguar dhe Asosacioni i gazetarëve të Shqipërisë. 

“AGSH e konsideron edhe më alarmant faktin kur deklarimet kërcënuese “o unë, o ti në këtë botë” janë bërë në sallën e gjykatës, në prani të prokurores së çështjes dhe avokates së të paditurës”, thuhet në reagim.

AGSH i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë të marrë masa të menjëhershme.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *