Citizens.al

Rënia e euros, prodhuesit dhe eksportuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme

Foto ilustruese nga takimi i prodhuesve dhe eksportuesve ne Tirane
Foto ilustruese nga takimi i prodhuesve dhe eksportuesve

Rënia e euros po rëndon bizneset prodhuese, ato të turizmit, tregtisë dhe industrisë, përfaqësues të të cilëve u mblodhën në një tryezë diskutimi .

Ata shprehën shqetësim për situatën në të cilën ndodhen, e cila përsëritet sa herë nis sezoni turistik në vend. Monedha euro shënoi sërish ulje, duke u barazuar me monedhën vendase.

Sipas Edvin Prençe, nga shoqata ‘Pro-Export’, ka një rënie të konsiderueshme të eksporteve, ndërsa importet janë rritur në mënyrë të papërfillshme.

“Duke pasur të dhënat e INSTAT për katër mujorin e këtij viti, e cila ka një rënie vetëm për eksportet me minus 17%. Ka një rritje të importeve me plus 0.4% dhe po ashtu edhe deficiti tregtar ka pasur një rritje dyshifrore. Në rast se këto të dhëna janë të pakta, duke pasur parasysh edhe humbjen e shumë vendeve të punës, tashmë në sektorin tonë manifakturë dhe të këpucës, do të thotë që këtu ka një gjë që nuk shkon”,-deklaroi Prençe.

Sipas tyre, tanimë vija e kuqe është kaluar, ndërsa shqetësim mbetet edhe paraja informale.

“Në çdo përqindje dhe në çdo cent të lekut shqiptar që forcohet, është përqindje e humbjeve të të gjithë bizneseve, jo vetëm eksportues, por edhe të prodhuesit vendas. Ka humbur konkurrueshmëria e bizneseve, ka humbur likuiditeti i nevojshëm. Nuk po flasim këtu për humbje të fitimit sepse është një gjë që tashmë bizneset e kanë mbajtur në kurriz me muaj të tërë, por të paktën të shikohet dhe të dëgjohet reagimi i institucioneve përgjegjëse”,-deklaroi Edvin Prençe.

Sipas përfaqësuesve të sektorit të turizmit, rënia e euros ka një ndikim negativ edhe për turizmin.

“Mos harrojmë që turizmi siguron 43.6% të të gjithë eksporteve të Shqipërisë sipas INSTAT dhe Eurostat. Sigurisht rritja e kostove të shërbimit është një pikë tjetër që shqetëson këtë industri. Të gjithë e kuptojnë që gjatë këtyre dy vjetëve pothuajse janë dyfishuar pagat në sektorin e turizmit dhe sigurisht rënia gati 27% , ndërkohë që është e pamundur të rritet çmimi pasi Shqipëria është shitur si vend low cost, ka sjellë këtë disbalancim”,-theksoi në fjalën e tij Zak Topuzi, nga Shoqata e Operatorëve Turistikë.

Sipas tij, promovimi i Shqipërisë për turizmin “low cost” (me çmim të ulët), ka ndikuar te bizneset e mëdha apo më serioze.

“Rënia e të ardhurave po përballohet duke përdorur amortizimin, i cili në fakt për hotelet është gati 15% në vit. Dhe duket sikur ti arrin të mbijetosh, po të kesh një fitim minimal. Por mos harrojmë që mbas 7-8 vjetësh ti duhet të rikonstruktosh pothuajse të gjithë ambientet dhe kjo do të ndikojë në cilësinë dhe standardet e turizmit sot”, -përfundoi Topuzi.

Artan Luku nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit u shpreh se sektori që goditet më shumë është ai i bujqësisë.

“Janë kontrata që lidhen një vit përpara dhe sidomos kur flasim për bujqësinë eksportuese. Të gjitha kontratat e eksportit pësojnë një humbje 10-15%, kur vjen koha që ti duhet të aplikosh, duhet të marrësh të ardhura, dhe vetëm kjo është si rrjedhojë e paqëndrueshmërisë që leku ka”,-deklaroi Luku.

Sipas tij, rreziku që bizneset të kalojnë drejt shërbimit është i afërt nëse do vijohet me këto ritme.

“Kjo situatë po përsëritet çdo vit dhe nga gjithë ai sukses që industria pati deri në vitin 2022, po shënon një rënie goxha të madhe. Dhe ka sinjale për një kalim të biznesit drejt shërbimeve, që do të ketë pasoja në ekonominë shqiptare dhe sidomos për sa i përket punësimeve sepse këto dy sektorë që unë përmenda janë edhe dy punëdhënësit më të mëdhenj të vendit”,- argumentoi Artan Luku.

Në tavolinën e diskutimit nuk pati asnjë përfaqësues të institucioneve qeveritare apo publike, për të adresuar këto shqetësime.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj tanimë jemi në një situatë që i takon përgjegjshmërisë të qeverisë.

“Qeveria është tashmë e mirë informuar, ka pasur seanca qoftë individuale, qoftë në grup, qoftë ato takimet që u bënë te shtëpia e biznesit, të cilat problemin e kanë identifikuar. Thënë ndryshe edhe me fjalët e fundit të guvernatorit , paraja informale ka ndikuar. Tashmë i takon qeverisë që nëpërmjet institucioneve të saja, të ketë përgjegjshmërinë dhe sinqeritetin për të thënë që ne do të mbajmë detyrat tona, do të krijojmë një ambient të tillë që ju të punoni të qetë dhe do të ndërhyjmë sa më pak në lirinë e të bërit biznes”,-deklaroi Gjokutaj.

Për Valbona Sakollarin, përfaqësuese e “Eurotech Cement”, kompani në sektorin e materialeve të para të ndërtimit, ndërhyrja duhet të vijë nga Banka e Shqipërisë dhe jo nga shteti.

“Unë jam për një ndërhyrje sa më të vogël të qeverive. Në Shqipëri rregullimi i tregut valutor është treg i lirë dhe është në bazë të kërkesës dhe ofertës, por padyshim që Banka e Shqipërisë në situata të caktuara mund të ndërhyjë për ta stabilizuar këtë treg. Qëllimi i rënies së euros ka qenë mbajtja e inflacionit nën kontroll”,– argumentoi Sakollari.

 Në prill të 2024, përmes një vendimi qeveria miratoi garancinë sovrane prej 4 miliardë lekësh, ku përmes bankave tregtare ju jep mundësinë bizneseve përpunuese të marrin kredi.

Mirëpo, sipas përfaqësuesve të “Pro-Export”, kjo procedurë nuk ka nisur ende dhe është mjaft burokratike.

“Aktualisht që ne flasim, që u bë gati rreth 25 ditë që është bërë aktive ajo vkm, kemi zero. Domethënë që është akoma në pikën që është detyrim i bankave të nivelit të dytë që tashmë të përpilohen kontratat apo të gjitha procedurat. Por e shohim shumë burokratike, shumë të ngadaltë dhe mos të harrojmë që ka një afat skadence, deri në tetor për të aplikuar. Merreni me mend se si do të jetë kjo”,- argumentoi Edvin Prençe.

Në fund të janarit të këtij viti, kryeministri Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatës së industrisë fason. Ai u shpreh se do të ndërmerren një sërë masash mbështetëse për sektorin, me qëllim kapërcimin e sfidave.

Disa prej këtyre ndërhyrjeve përfshijnë rimbursimin e shpejtë të TVSH-së, ofrimin e një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion dhe transformim në teknologji e inovacion.

Mirëpo, sipas ekspertëve të ekonomisë, këto masa janë sipërfaqësore. Eksperti Elvin Meka e quajti këtë një ndërhyrje “kozmetike” dhe me një efekt thuajse zero.

Është njëlloj si të kurosh infeksionin me aspirina! Industria vuan nga probleme strukturore dhe nga qasje aspak koherente në tregun ndërkombëtar. Në kushte të tilla, këto masa të propozuara vetëm mund të “ulin temperaturën”, por nuk shërojnë sëmundjen”, -argumenton Elvin Meka nga “Tirana Business University”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW