“Ngjan si një vezë e abortuar, flokët i ka katastrofë, është për turp të zotit. Nëse do të vetëftohesh në sallone duhet të marrësh mundimin të rregullohesh” – shkruajti kritiku A.A. Grill në hapësirën e tij “Sunday Times” për shkrimtaren Mary Beard, në 2012.
Mary Beard, e para grua kërkuese shkencore dhe e para profesoreshë e plotë në Cambridge, çuditërisht përdori tabloidin Dayli Mail për t’ju përgjigjur kritikut.
“Jam saktësisht gruaja, mami dhe akademikja, 57- vjeçare, gjysmë krenare për rrudhat, rrathët e syve dhe shpatullat e kërrusura nga të gjitha ato vite të kaluara në tryezat e bibliotekës”- ishte një pjesë e kundërpërgjigjes së Beard.
Botimi i parë në shqip i Mary Beard “Gratë dhe Pushteti: Një manifest”, i botuar nga Shtëpia e Librit dhe përkthyer nga Anna Shkreli, u prezantua përpara pak ditësh në qendrën Berk.
Botuesi Gjergj Erebara e lidhi nxitjen që pati për publikimin e librit me rastin e sulmit që mori një kolege e tij gazetare, jo duke u sulmuar mbi faktet, por mbi gjininë e saj.
“E konstatova kur një kolege në përballje me kryetarin e bashkisë dhe sulmet që mori ajo ishin të tmerrshme. Po ashtu dhe lehtësia me të cilin publiku pajtoheshin dhe nuk reagonin ndaj atij lloj sulmi. Ti japim fund dhe ta botojmë këtë libër sa më përpara, mendova!” – tha Erebara gjatë prezantimit të librit.
Përkthyesja Anna Shkreli u ndal te një keqkuptim që ka krijuar Mary Beard nëpërmjet një formule që të pakësojë burrat në parlament dhe të shtojë numrin e grave.
“Në fakt Mary Beard nuk e kërkon një gjë të tillë dhe e parashtron si argument për të thënë që nuk është kjo zgjidhja. Pra çështja e kuotës nuk është zgjidhja. Dhe në parlament kur mandatet mund të jenë 50 me 50 prapë mund të ketë më shumë çështje grash të ngritura, por boll fakti që etiketohen si çështje të grave tregon që struktura e pushtetit dhe gjithë mënyra sesi ne e organizojmë shoqërinë vazhdon të mbetet ajo që është, pra e kornizuar nga një logjikë patriarkale dhe mashkullore” – shpjegon Anna.
Studiuesi Alen Bejko tha se roli gjithmonë e më i madh që i jepet së paku formalisht në publik grave është në thelb akt performativ.
“Ti sot ke më shumë gra në qeverinë e Shqipërisë seç ke pasur ndonjëherë, por si përkthehet kjo për avancimin e të drejtave të grave në shoqëri. Zero!”- pohoi Bejko.
Bejko thekson se ky libër është i vyer për të kuptuar sesa ndikon mos prania e zërit të grave në diskursin publik.
“Nuk njoh një debat publik ku ka dominuar zëri i grave, përfshirë edhe debatin e fundit për ligjin e surrogacisë, të gjithë njerëzit që dëgjoj që flasin, janë 80% burra, mjek, klerikë, lloj e soj burrash”- përfundon ai.
Një librari feministe në Tiranë
Kur Zhaklin Lekatari gjatë diskutimit mbi librin “Gratë dhe Pushteti: Një manifest” pyeti sesi mund të fitohej kjo betejë e grave në kushtet e sulmeve të vazhdueshme, Rea Nepravishta iu përgjigj : “me anë të mbledhjeve dhe diskurseve në ambiente të tilla”.
“Librat na vënë në kontakt me një shumësi zërash, shpesh të largët në kohë dhe hapësirë, që shërbejnë si mbështetje dhe burim solidariteti, të cilat na e bëjnë më të lehtë luftën e përditshme me patriarkatin që vazhdon te përpëlitet në shoqërinë tonë” – analizon Rea Nepravishta.
Biblioteka feministe në Berk nisi si një projekt mes Anna Shkrelit, Rea Nepravishtes dhe Alen Bejkos. Nëpërmjet aplikimit te “Europe Challenge”, një thirrje e cila synon të fuqizojë proceset demokratike përmes ndërtimit dhe rikonceptimit të bibliotekave, propozimi i tre të rinjve u shpall fitues, mes 85 aplikime nga biblioteka të ndryshme të Evropës.
“Në Shqipëri është shumë e vështirë që njerëzit të askesojnë çfarëdolloj titujsh që nuk janë të botuara në Shqipëri. Bibliotekat nuk funksionojnë dhe atëherë kur janë, janë në nivel infrastrukture, por nuk ka furnizime me fonde të reja, aq më pak libra ndërkombëtarë etj.” – sqaron Shkreli për arsyet e nisjes së këtij projekti.
Anna shton se gjithashtu porositë me Amazon pothuajse janë të pamundura. Shpesh nuk vijnë fare sepse nuk e njohin Shqipërinë si destinacion mbërritës, plus që ka një taksë prej 20% e vlerës së mallit, në momentin që çmimi është diku mbi 20 euro.
“Biblioteka feministe e Tiranës vjen si një nismë jo vetëm kulturore, por edhe shoqërore për adresimin e mungesës së literaturës feministe që është e qasshme për publikun e gjerë”’ – thotë Alen Bejko.
Ai përmbledh se biblioteka feministe e Tiranës është konceptuar sipas parimit të skenës social-kulturore si ekosistem i gjallë, ku aktorët e ndryshëm duhet të bashkëpunojnë e të mbështesin njëri-tjetrin, pasi suksesi i secilit syresh përkthehet në suksesin e mbarë ekosistemit.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe ccështjet e migrimit.