Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Premtimi bëhet fakt”, mediat shpërndanë tituj dezinformues mbi kurset falas tek Piramida

“20 mijë të rinj dhe të reja ndjekin kurset në teknologji dhe kodim nëpërmjet TUMO-s”. Ky ishte titulli i përsëritur në shumë kronika televizive dhe artikuj në mediat online pak ditë më parë, që riprodhuan në mënyrë jo të saktë një deklaratë të kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 1 qershor.

Nga një kërkim i thjeshtë në “Google” rezulton se më shumë se 20 media kanë përdorur një titull që tregon aspiratën e kryetarit të bashkisë, por jo numrin real të të rinjve që aktualisht trajnon kjo qendër. Pasi sipas vetë kryebashkiakut Veliaj, aktualisht qendra ka vetëm 1680 nxënës.

Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, kryetari bashkisë Erjon Veliaj theksoi se vetëm 14% të hapësirës së Piramidës është dhënë me qira. Por Veliaj “harroi” të përmendte edhe një sërë shërbimesh të tjera tregtare që ushtrojnë veprimtarinë tek Piramida, pasi sipas të dhënave të Citizens, kjo shifër korrespondon vetëm me siperfaqen që shfrytëzohen si kafene.

“Këto 14% paguajnë që të gjithë fëmijët e Tiranës, të majtë dhe të djathtë ti kenë falas kurset, se kursi vetë kushton 150” – tha Veliaj.

Organizata jo fitimprurëse që menaxhon Piramidën, e krijuar nga Bashkia Tiranë dhe AADF, në një përgjigje për Citizens pohon se shërbime të mikpritjes dhe ushqimit zënë 16% të hapësirës, zyra të ndryshme/shërbime bankare 7% dhe njësi tregtare teknologjike: 6%, pra në total 29% e hapësirës është dhënë me qira.

Për edukim teknologjik shkon 41% e sipërfaqes, hapësira për aktivitete inovacioni dhe teknologjie 19%, ndërsa për Art/Kulturë 11%.

Për Citizens, drejtoresha e qendrës Tumo Tiranë, Shqipe Berisha, shpjegon se shifra prej 150 euro që i është referuar Veliaj lidhet me koston, pasi çmimi i kurseve aktualisht është falas.

“Me kosto nënkuptojmë pagesën e profesorëve, pagesën e menaxhimit të qendrës, hardware, softwaret” – shpjegon ajo.

Kur qendra Tumo funksiononte jashtë Piramidës, të rinjtë paguanin një shumë prej 2500 lekë në muaj, ndërsa tani më edhe drejtuesi i AADF Michael Granoff, edhe kryetari i bashkisë Veliaj janë shprehur se qiratë e bizneseve të dhëna nga piramida përdoren për të mbuluar kostot e kurseve të të rinjve në TUMO.

“Që nga 1 janari është falas, por edhe më përpara kosto ka qenë njësoj, ka qenë 140 euro në muaj për studentë” – vijon Berisha.

Ajo shton se ndryshe nga më përpara, nga tetë disiplina, tashmë janë shtuar dy disiplina të reja për të rinjtë që marrin wokshopet mbi teknologjinë dhe informacionin.

Me të vetmin ndryshim se më përpara kur kosto ishte 140 euro, pra nga vitet 2020 deri më 2023 kostoja mbulohej nga Bashkia Tiranë dhe AADF, ndërsa tashmë është zgjedhur shfrytëzimi i hapësirës publike, për tju dhënë me qira bizneseve të ndryshme, për të siguruar pagesën e kurseve të të rinjve.

“Çmimi për m² përcaktohet nga vendndodhja, aksesi, vizibiliteti dhe madhësia e ambientit dhe varion nga 15 në 50€/m²”- citohet në përgjigjen e kërkesës për informacion nga ojf drejtuese.

Duke pasur parasysh që piramida ka një hapësirë prej 6 mijë metra katrorë dhe momentalisht 29% jepet për biznes, me një mesatare 30 euro metër katrorë, fitimet deri më tani variojnë rreth 52,200 euro në muaj.

Rikujtojmë se momentalisht fondacioni amerikan AADF është palë në menaxhimin e aseteve publike si Amfiteatri në Durrës, Parku i Butrintit dhe Piramida e Tiranës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *