Citizens.al

Centralet fotovoltaike, kush po përfiton nga biznesi i ri i diellit

*Nga Esmeralda Keta dhe Arbjona Çibuku

Miliona metra katrorë pyje dhe tokë bujqësore janë shitur nëpër ankande ose janë dhënë me kontrata favorizuese për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, të cilët nuk prodhojnë as 1% të energjisë që ka nevojë sot vendi.

I konsideruar një biznes me fitim të garantuar, për shkak se qeveria merr përsipër t’u blejë energjinë për një periudhë 15 vjeçare, sektori i centraleve fotovoltaike po njeh lulëzim.

Edhe pas ndryshimit të ligjit “Për energjinë e rinovueshme” në vitin 2023 bashkitë kanë nxjerrë në ankand miliona metra katrorë tokë publike që do të shndërrohen në parqe fotovoltaike.

Energjia e rinovueshme dhe sidomos ajo e gjelbër është një sektor që rekomandohet të mbështetet edhe nga BE.  Nëpërmjet një kontrate preferenciale, në vitin 2018, qeveria përcaktoi një paketë masash mbështetëse për bizneset në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku përveç garantimit të tregut, iu vu në dispozicion tokë publike si dhe lehtësi në tejkalimin e burokracive të dokumentacionit.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, kleçka qëndron tek marrëveshjet e nënshkruara.

“Janë marrëveshje individuale që përcakton sa është çmimi, sa do shitet, ku do të kalojë dhe si do të futet në transmetim. Pra janë me çmim të fiksuar”, – thotë ai.

Për ekspertin e mjedisit Kristi Bashmilli, investimet në energjinë e rinovueshme janë të mirëpritura, por ai sugjeron që institucionet përgjegjëse duhet të tregohen të matura në drejtim të dhënies së lejeve për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.

“Mbetet jetik studimi dhe krijimi i hartës potenciale se ku mund të ndërtohen këto infrastruktura, duke marrë në konsideratë mbrojtjen e natyrës, burimeve natyrore, tokës. Në këtë mënyrë, vendimmarrja mund të jetë me e qartë dhe ndikimi negativ më i ulët i mundshëm”, shpjegon Bashmilli.

Sipas Ministrisë së Energjisë deri në fillim të muajit prill të këtij viti, 37 subjekte kanë marrë licencat për ngritjen dhe operimin e centraleve fotovoltaike, shumica me një kapacitet 2 MW por ka nga ata që shkojnë deri në 140 MW.  Një pjesë e tyre kanë nisur tashmë të prodhojnë energji.

“Centralet e prodhimit të energjisë elektrike janë të lidhura si në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike ashtu dhe në rrjetin e shpërndarjes. Kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e transmetimit gjatë vitit 2023 është rreth 2,288 MW dhe prodhimi neto i tyre ka rezultuar të jetë 7,709 127 MWh. Kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e shpërndarjes përgjatë vitit 2023 është rreth 382 MW dhe prodhimi neto i tyre ka rezultuar të jetë 1,086,510 Mwh”, – i tha Citizens.al, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një përgjigje me shkrim.

Përgjatë vitit 2023, prodhuesit fotovoltaikë me përparësi, të lidhur në rrjetin e OSSH kanë realizuar një prodhim vjetor prej 61,989 MWh, ndërsa prodhuesit e pavarur fotovoltaikë të lidhur në rrjetin e OSSH, kanë realizuar 18,885 MWh.

Pano Soko, ekspert i ekonomisë e konsideron hap pozitiv investimin në energjinë e gjelbër, por sugjeron që ky treg të rregullohet dhe ndryshimet të vijnë me sa më pak kosto.

Ky është një biznes që siguron fitim. Unë nuk jam dakord që po shkojnë tek toka bujqësore. Shumica janë vendosur në Darzezë dhe në Seman, në toka bujqësore të cilësie shumë të mirë” – thotë Soko.

Ai ngre shqetësimin se me këtë biznes po spekulohet me licencat, duke iu referuar atyre që e kanë marrë lejen, por nuk kanë nisur ende punimet. 

 “Në këto marrëveshjet e energjisë dy janë profilet e investitorëve: janë investitorët seriozë dhe të dytët janë spekulantet dhe të dy janë në përmasa të barabarta 50% me 50%. Spekulantët janë ata që marrin licencën dhe më pas e shesin”, – thotë Soko.

Kulla dhe energji. Kush qëndron pas bizneseve të centraleve fotovoltaike?

Nga analizimi i databazës së vënë në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, vihet re se fotovoltaikët janë përqendruar në një grusht biznesesh që kanë lidhje me njëri-tjetrin.  

  • Në krye të listës qëndron biznesmeni Ilir Shtufi, që po ndërton kullën 64 katëshe pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletik TKOB. Kompania e tij ka marrë lejë për ndërtimin e 8 parqeve fotovoltaike, shtatë prej të cilëve në zonën e Korçës dhe një në zonën e Fierit. Në këtë zonë nëpërmjet kompanisë “Nova Solar System” do të ndërtohet një ndër parqet voltaike më të mëdha, me kapacitet 50 MW. “Nova Solar System” zotërohet 20% nga Agim Zeqo dhe 80% nga “Nova Konstruktion” që është në pronësi të të Ilir Shtufit. Këta dy biznesmenë, në vitin 2023 kanë marrë statusin e investitorit strategjik në Korçë. Së bashku me biznesmenin tjetër Gerian Kuke, nëpërmjet  kompanisë “Investment and Development Albania”,  përfituan 10 mijë m2 tokë publike për ndërtimin e një resorti turistik në Korçë.
  • Edhe biznesmeni Gerian Kuke, që po hetohet nga SPAK nën dyshimin se ka ndihmuar bashkëjetuesen e ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj për të përfituar një vilë në bregdet, i ka kthyer sytë nga centralet voltaike. Ai do të ndërtojë tre parqe të tillë, nëpërmjet kompanive “AGE SUNPOWER”, “SONNE” dhe “AED SOLAR”.
  • Edhe Lulzim Kapllanaj ka marrë tre licenca për investime në energjinë e rinovueshme, nëpërmjet tre kompanive “CONSTRUCTION ENERGY PARTS (C.E.P)”; “HYDROPOWER” dhe “DIMAX ALBANIA” që janë në pronësi të plotë të tij.
  • “STATKRAFT RENEWABLES ALBANIA” mori leje në vitin 2020 për ndërtimin e një centrali fotovoltaik lundrues mbi rezervuarin e HEC Banjës.
  • “KARAVASTA SOLAR” që zotërohet nga Joao Manuel Da Silva Boavida Malcata; Gustavo Manuel Ferreira Fernandes, ndërsa sipas Open Data ALbania 25% e zotëruesve janë të padekraluar, kompania do të ndërtojë një central voltaik me kapacitet 140 MW në Karavasta. 
  • “SPV BLUE 1” që zotërohet nga Besnik dhe Arian Leskaj, djemtë e ish deputetes socialiste Valentina Leskaj, do të ndërtojnë një central voltaik me kapacitet 50 MW në Sheq të Fierit.
  • Edhe kreu i dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka ka marrë licencë për ndërtim parku fotovoltaik nëpërmjet kompanisë “ALB SUN ENERGY”. Lista e kompanive që e shikojnë me interes investimin në centrale voltaike dhe kanë marrë tashmë një licencë na u vu në dispozicion nga Ministria e Energjitikës.

Ndonëse konsiderohet si një mënyrë e pastër për prodhimin e energjisë, mjedisorët e shohin me shqetësim ndikimin që panelet fotovoltaike do të kenë në natyrë.

Mund të shkaktojë fragmentim te habitatit, ndryshimin e tij dhe shkatërrimin e habitatit për disa lloje speciesh. Ajo mund të dëmtojë ekosistemet vendase dhe të shkaktojë humbje të biodiversitetit lokal, veçanërisht të specieve bimore”, - thotë Kristi Bashmilli nga AOS.

Ndërtimi i parqeve fotovoltaikë kërkon hapësira të mëdha të tokës, që sipas ekspertëve mund të shkaktojë humbje të tokës për aktivitete të tjera si bujqësia apo pylltaria. Ata sugjerojnë që të tregohet kujdes kur zgjidhen ngastrat që do të jepen për fotovoltaikët.

Në jo pak raste, parqet fotovoltaike janë planifikuar të ndërtohen në brendësi të fondit pyjor, apo duke përdorur tokat bujqësore. Në një vend si Shqipëria, me sipërfaqe toke produktive relativisht të ulët, kjo sugjeron një problem të madh në sfond”, thotë me tej Bashmilli.

Jo më pak i rëndësishëm për të është edhe ndikimi në peizazh.

 “Parqet fotovoltaikë mund të ndryshojnë pamjen e mjedisit duke i dhënë një aspekt industrial, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e bukurisë së natyrës nga njerëzit. Gjithashtu, bie ndesh me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe natyror që Shqipëria po promovon prej vitesh”, - përfundon ai.

Bashkitë japin me qira miliona m2 tokë

Të dhënat e përpënuara nga Open Data Albania për parqet fotovoltaike, tregojnë se janë
15 558 312 metra katror sipërfaqe toke, të dhëna me qira nga bashkitë për ndërtimin e
centraleve fotovoltaike, ose rreth 1 550 hektarë. Open Data thekson se të gjithë tenderët rezultojnë me risk për mungesë konkurrence “RedFlag”.

1 550 hektarët janë dhënë me qira përmes 42 procedurave prokurimi. Bashkia që ka dhënë më shumë sipërfaqe për ndërtim të centraleve është ajo e Poliçanit, e cila ka lidhur 4 kontrata me sipërfaqe totale 5.5 milionë m2.

Kompania “X One” është ajo që ka përfituar sipërfaqen më të madhe në Polican, 3.41 milion
m2 kundrejt qirasë 60,117,600 lekë/vit pa TVSh. “ E njejta kompani ka përfituar 600 mijë m2 të tjera kundrejt qirasë 10.560.000 lekë/vit pa TVSh.

Bashkia Kolonjë renditet e dyta me 12 procedura qiraje me 4.3 milion metër katror. Kompania që ka përfituar më shumë metër katror është “Kail Energy”. Kjo kompani është shpallur fituese për dy procedura, njëra me sipërfaqe 1 milion m2 me 17.6 milion lekë/vit qira dhe e dyta 697 mijë m2 me qira rreth 12.3 milion lekë/vit.

Kontratat e tjera janë lidhur me Bashkinë Elbasan, e cila zë vendin e tretë për sipërfaqen më
të madhe të dhënë për fotovoltaikët.

Bashkia ka dhënë me qira 3.29 milion m2 tokë publike, si dhe ka të shpallur 400 qind m2 të tjera sipërfaqe toke për panele fotovoltaike për të cilat nuk është fituar ende fituesi. Bashkia e Vaut të Dejës ka dhënë plot 1.4 milion m2 pasuri shtetërore përmes 10 procedurave prokurimi, për 5 nga të cilat është shpallur fituesi.

Kompania që ka përfituar më shumë sipërfaqe toke, plot 507.8 mijë m2 është Larti-shpk. Në Bashkinë Devoll janë dhënë 210 mijë m2 sipërfaqe toke për kompaninë Devolli Sun Power. Po ashtu janë dhënë qira të tjera në Bashkinë Cërrik, Tepelenë, Lushnjë, dhe Mat. Secila ka dhënë me qira përmes vetëm një procedure prokurimi sipërfaqet përkatësisht 140 mijë, 77.4 mijë, 47.49 mijë dhe 25.5 mijë metra katrorë.

Në Bashkinë Pogradec janë dhënë 409.2 mijë m2 tokë publike përmes 3 procedurave. Në Bashkinë Kukës jane dhënë 150 mijë m2 dhe në Librazhd dy procedura me sipërfaqe totale 19 mijë m2. Të dhënat e përpunuara nga Open Data, nxjërrin në pah se 57.1% e procedurave (apo 24 procedura) për dhënie me qira të pronave publike, oferta fituese e qirasë është e njëjtë me vlerën minimale të përllogaritur dokumentet e shpalljes së procedurës.

Ndërsa në tetëmbëdhjetë procedurat e tjera (apo 42.9%) oferta fituese e qirasë është fare pak mbi kufirin minimal të përllogaritur nga autoriteti prokurues. Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se ndër vite sasia e energjisë së prodhuar nga panelet fotovoltaike është rritur.

Prodhimi total neto i energjisë elektrike në Shqipëri për vitin 2023 është 8,795,637 Mwh, nga të cilat 0.9% është energji e prodhuar nga energjia diellore.

Në 5 vitet e fundit kemi një rritje të energjisë së prodhuar nga energjia diellore me rreth 3.5 herë. Në vitin 2019 kapaciteti prodhues i energjisë nga panelet fotovoltaike ishte 22’196 Mwh, ndërkohë që për vitin 2023 ka arritur 80’874 Mwh.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW