Thirra vijon të thërrasë në gjykatë kundër ndërtimit të hidrocentralit dhe fabrikës së ujit të pijshëm.
Në fund të muajit maj, tre gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Apelit u tërhoqën nga gjykimi i çështjes së Thirrës dhe marrjes së masës së sigurimit të padisë për të ndaluar punimet për ndërtimin e HEC-it Thirrë dhe fabrikës së ujit.
Sipas avokatit të çështjes, Franc Terihati, tanimë janë në pritje të vendimmarrjes nga kjo gjykatë, nëse do të pranohet apo jo dorëheqja.
“Me shumë mundësi shkak për dorëheqjen është se ata (gjyqtarët) janë shprehur një herë për këtë çështje. Dorëheqja e tyre nuk duhet pranuar, sepse Gjykata e Lartë, kur e ka sjellë për rigjykim çështjen në Apel është shprehur që çështja duhet të shqyrtohet nga i njëjti trup gjykues, jo nga një tjetër trup gjykues”,- u shpreh Terihati për Citizens.
Deri më tani, sipas banorëve kompania “Sang 1’ ka futur në tubacione e HEC-it burimet ujore të dy përrenjve, atë të Runjës dhe Kumbullës, duke tharë shtratin e lumenjve dhe duke i lenë banorët pa ujë për bagëtitë e tyre dhe për kultivimin e produkteve bujqësore.
Me një vendim të Këshillit të Basenit Ujor Mat të vitit 2022, përcaktohet qartë që të mos kufizohet furnizimi me ujë të pijshëm apo për nevojat e bujqësisë në zonë. Mirëpo, banorët shprehen se prej muajit prill e deri më sot, përrenjtë nuk kanë pasur ujë.
‘Sang 1″ lidh kontratë shitblerjeje të energjisë elektrike
Ndonëse, punimet ende nuk kanë përfunduar në terren, për shkak të rezistencës së banorëve, hidrocentrali i Thirrës është testuar për funksionimin e tij.
“Pas testimit me sukses të Hec “Thirrë”, me kërkesë të shoqërisë “SANG 1” i është dhënë tension përfundimtar më datë 27.03.2024, duke u lidhur në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike bazuar në rregulloren e lidhjeve të reja në sistemin e shpërndarjes”,- u shpreh Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për Citizens.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE) HEC-i Thirrë nuk ka nisur ende punë.
“Nga të dhënat e raportuara dhe të monitoruara nga raportimet e OSSH dhe FTL sha/ OSHEE deri në datën 31.03.2024, rezulton se HEC “Thirrë” i shoqërisë “SANG 1”, nuk ka hyrë akoma në operim dhe nuk ka filluar akoma shitblerjen e energjisë elektrike”,-iu përgjigje ERE, Citizens.
Megjithatë, ka një kontratë të lidhur për shitblerje energjie.
“Në 19 Prill 2024, ndërmjet shoqërive “SANG 1” dhe “Furnizuesi i Tregut të Lirë” është lidhur kontrata e shitblerjes së energjisë elektrike, kontratë tip e miratuar me vendimin e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Nr. 101, datë 23.06.2016, i ndryshuar”,- u shpreh OSHEE.
Si ka shkuar procesi gjyqësor për Thirrën?
Në shkurt të vitit 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit dhe fabrikës së ujit në Thirrë. Vendim ky i cili u ankimua në Gjykatën Administrative të Apelit nga kompania “Sang 1”.
“Pra VNM-të paraprake të dyja që janë miratuar, për këto dy projekte, janë konstatuar të pavlefshme. Kundër këtij vendimi ka bërë ankim pala tjetër në Gjykatën Administrative të Apelit. Në momentin që çështja ankimohet, vendimi i shkallës së parë, nuk bëhet i ekzekutueshëm dhe kompania si rregull ka të drejtë të bëjë punimet, ta zbatojë projektin derisa të ketë një vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit”,- argumenton avokati Franc Terihati.
Njëkohësisht, asokohe avokatët e banorëve kanë bërë edhe një kërkesë për sigurim padie, për të pezulluar të gjithë aktet administrative që janë miratuar dhe për të kërkuar pezullim të punimeve.
“Kërkesën për sigurim padie gjykata e shkallës së parë nuk e ka pranuar. Dhe për rrjedhojë se gjykata nuk e ka pranuar atë kërkesë që kemi bërë ne, pavarësisht se kemi marrë një vendim të favorshëm, nuk kemi mundur dot ti pezullojmë punimet”, -deklaron Terihati.
Për këtë arsye, avokatët e banorëve kanë bërë ankim kundër vendimit për refuzimin e marrjes së masës për sigurimin e padisë. Mirëpo, për shkak se çështja tanimë ishte në Gjykatën e Apelit dhe në terren kishin nisur punimet nga kompania, u paraqit një kërkese e re për sigurim padie në Gjykatën e Apelit.
“Kjo kërkesë për sigurim padie u paraqit aty sepse çështja ishte në apel dhe nëse çështja është në apel kërkesa paraqitet në gjykatën ku është regjistruar çështja, në apel. Aty kërkesa kishte një objekt të ndryshëm dhe kishim paraqitur edhe shkaqe të reja”-u shpreh Terihati për Citizens.
Gjykata e Apelit pranoi pezullimin e punimeve, duke mos lejuar punën në terren të kompanisë “Sang 1” për disa muaj, derisa kompania dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Lartë e prishi vendimin e Gjykatës së Apelit për shkak se gjykata e Apelit nuk kishte ndjekur procedurë të rregullt njoftimi, vlerësoi Gjykata e Lartë. Nuk kishte njoftuar palën tjetër. Çështja u prish dhe erdhi prapë në Gjykatën e Apelit që ishte gjyqi para disa ditësh që u zhvillua”,-shtjellon Terihati.
Tanimë, është rinovuar ng kompania ndërtuese edhe leja për përdorimin e ujit në vitin 2022, për të cilën është dërguar një tjetër kërkesë padie në Gjykatën Administrative nga avokatët e banorëve.
Ndërhyrja e pushtetit vendor
Ditët e para të muajit shkurt të këtij viti, makineritë e rënda të kompanisë “Sang 1”u kthyen në terren në Thirrë të Mirditës. Përpos pezullimit të punimeve në qershor të vitit 2023 nga Gjykata Administrative e Apelit dhe zbatimit të vendimit më 7 shtator 2023 nga Zyra e Përmbarimit Lezhë, rikthimi i punimeve lidhej me faktin se Gjykata e Lartë riktheu për rishqyrtim vendimin e gjykatës së Apelit.
Mirëpo, banorët u shprehën se nuk kanë asnjë vendim të zbardhur të venë në dispozicion të tyre apo të Zyrës Përmbarimore Lezhë.
Përpos, kësaj, Bashkia Mirditë pas kontrollit të dokumentacionit të kompanisë vuri re se nuk ishte dorëzuar pranë saj asnjë dokument ligjor, duke e gjobitur kompaninë “Lajthiza sh.p.k” me 300 mijë lek dhe pezulloi punimet për dy muaj.
Përgjatë këtyre muajve pezullimi, i lihej kohë kompanisë të dorëzonte dokumentacionin ligjor. Kohë e cila nuk u shfrytëzuar nga kompania, pasi nuk dorëzoi asnjë dokumentacion pranë bashkisë Mirditë. Ndërsa punimet vijonin përpos pezullimit nga bashkia Mirditë.
Me kalimin e afatit të venë nga bashkia, banorët i janë drejtuar sërish bashkisë Mirditë për ti kërkuar monitorim të situatës. Bashkia Mirditë u shpreh në përgjigjen e saj se i është drejtuar IKMT-së Tiranë dhe asaj të Drejtorisë Rajonale Lezhë monitorim, pasi IMT-ja vendore nuk ka kompetencë apo bazë ligjore për kryerje procedurash shtesë.
Rezistenca e banorëve ndër vite
Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të ndodhura në afërsi të “Rrugës së Kombit”, si pjesë e Njësisë Administrative Fan në bashkinë Mirditë, protestuan në prill të vitit 2021 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve dhe një fabrike uji.
Kompania që po ndërtonte HEC-in në Thirrë të Mirditës, “Sang 1” SH.P.K mori licencën me një vendim të 26 qershorit të vitit 2019 për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.
Banorët nuk u thirrën në dëgjesa publike asokohe nga kompania. Mes të tjerash ata denoncuan edhe faktin se kompania kishte falsifikuar firmat e tyre.
Në shkurt të 2023-it, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës.
Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.
Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi.
Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë Prefektit të Qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, Bashkisë Mirditë dhe Njësisë Administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e Njësisë Administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori.
Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim.
Në shtator të 2023-it, Zyra e Përmbarimit në Lezhë zbatoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 15 qershor të 2023 për pezullimin e punimeve për HEC-in dhe për fabrikën e përpunimit të ujit.
Në shkurt 2024, kompania rifillon punimet me arsyetimin se ka një vendim të Gjykatës së Lartë për të kthyer për rishqyrtim vendimin e gjykatës së Apelit që pezulloi punimet. Por ky vendim, ashtu sikurse të tjera dokumente ligjore nuk i janë venë në dispozicion bashkisë Mirditë, banorëve dhe Zyrës Përmbarimore Lezhë.
Në mars 2024, banorët ngritën një çadër në formë proteste për të kundërshtuar vijimin e punimeve për këtë hidrocentral.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).