Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Denoncimet për plagjiaturë, Universitetet nuk kanë nisur ende verifikimin e titujve akademikë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirli dhe rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha. Foto ilustrim nga Facebook
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha. Foto ilustrim nga Facebook

Kandidatët për rektor dhe dekan në universitetet publike do të shkojnë në zgjedhjet e 21 qershorit për drejtuesit e rinj, mes akuzave për plagjiaturë.

Studiuesi Taulant Muka, ka bërë publike dy kallëzime, sipas të cilit rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe dekania e Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha, nuk i kanë origjinale temat e doktoraturës, por plagjiaturë.

“Kur bëjmë fjalë për punimin e doktoraturës së Artan Hoxhës dhe Dorina Hoxhës, nuk kemi të bëjmë me një plagjiaturë apo një kopje të fragmenteve apo edhe një faqe, por të faqeve të tëra, të cilat sigurisht tregojnë për një kopjim masiv me doktoraturat që ata kanë bërë. I mbetet Komisionit të Etikës për të nisur një hetim të thelluar, për të shikuar edhe kapituj të tjerë, pasi ka indikatorë se dhe kapituj të tjerë janë kopjuar dhe për të bërë një vlerësim të situatës”,- u shpreh Taulant Muka për Citizens.

Sipas Mukës, për rektorin e UT-së, materiali i kopjuar i përket gjuhës rumune, gjuhë të cilën ai nuk e njeh.

“Në rastin e zotit Hoxha rëndesa është akoma më e madhe për faktin se materiali ishte i kopjuar nga një publikim në gjuhën rumune, një gjuhë të cilën zoti Hoxha nuk e njeh dhe sigurisht që ngrihet dyshim se kush ka qenë autori, pra përkthyesi i atij materiali”,- u shpreh më tej Muka.

Ndërsa për dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Muka shprehet se teza e saj përmban strukturë dhe fjalë nga dy studiues italianë.

Muka thekson se e ka dorëzuar kallëzimin në formë institucionale përmes postës.

Taulant Muka, studiues

“Unë personalisht kallëzimin e kam nisur në Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës, Komisionit të Promovimit të personelit akademik dhe përkatësisht drejtueses zonja Mirela Lika, rektorit vetë të Universitetit të Tiranës dhe sigurisht edhe dekanes dhe drejtuesve të Departamentit të së Drejtës Penale. Ia kam nisur po ashtu edhe Ministrisë së Arsimit, Presidentit të Republikës pasi ai ka në dorë edhe shkarkimin e rektorit dhe sigurisht edhe Avokates së Popullit. Pra të gjitha këto kallëzime janë nisur ditën e premte me postë dhe besoj dhe shpresoj që sot, ose brenda kësaj jave do të kenë shkuar te institucionet përkatëse”,- u shpreh Muka.

Mihallaq Qirjo, kryetar i Këshillit të Etikës në Universitetin e Tiranës u shpreh për Citizens se deri më tani nuk ka asnjë denoncim të paraqitur pranë këtij institucioni.

Mihallaq Qirjo, Këshilli i Etikës në Universitetin e Tiranës

“Këshillit të Etikës nuk i është paraqitur asnjë denoncim apo praktikë të lidhur me çështjen që përmendni ju, nga Senati i UT apo persona të tretë. Për çdo rast, në mandatin e këtij Këshilli nuk parashikohet fillimi i proceseve kryesisht”,-deklaroi Mihallaq Qirjo.

Denoncimet për plagjiaturë në rrethin akademik në Shqipëri kanë qenë të shpeshta. Së fundmi, studiuesi Taulant Muka ka denoncuar për plagjiaturë edhe kandidatin për rektor në Universitetin e Durrësit, aktualisht dekan i Fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzin si dhe kandidatin e vetëm për dekan në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Bernard Dostin.

Megjithatë, deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga ana e universiteteve sa i takon verifikimit të plagjiaturave apo titujve akademikë.

“Deri më sot nuk kemi marrë asnjë reagim. Në botën akademike, plagjiatura është krimi më i rëndë akademik dhe për shumë veta shënon, në varësi se sa masive është plagjiatura, edhe fundin e karrierës së akademikut”,-shton më tej Taulant Muka.

Sipas Rigels Xhemollarit nga Qëndresa Qytetare kjo situatë është reflektim i mungesës së demokracisë së brendshme në universitete.

“Në universitetin e Tiranës ka Këshill Etike, ka Senat Akademik, ka komisione të tjera të posaçme që merren me tituj akademikë, por edhe me verifikimin e plagjiaturave, e cila duhet të ishte tashmë një procedurë ligjore mëse normale, pas urdhrit të ministres në vitin 2019, ku çdo kandidat i cili do të konkurrojë për një post në universitet duhet që të ketë kaluar filtrin antiplagjiturë”,- u shpreh Xhemollari për Citizens.

Rigels Xhemollari, Qëndres Qytetare

 Sipas Xhemollarit, në këto zgjedhje universitare po ndodh e njëjta gjë sikurse në zgjedhjet e 2020-ës.

“Ajo që ndodhi me zgjedhjet e 2020 ishte që kandidatët thjesht plotësuan një formular vetëdeklarimi dhe në katër vite askujt nga kandidatëve, të cilët u bënë rektorë dhe dekanë, nuk ju vërtetua ky deklarim që bënë në këto formularë”.

Pedagogët: Plagjiatura shkelje e rëndë, por “një ndër mëkatet” në sistemin universitar

Arlind Qori, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale e konsideron plagjiaturën si shkeljen më të rëndë dhe të padenjë që një pedagog apo drejtues universitar mund të bëjë.

“Është vjedhje e punës shkencore të një tjetri dhe përfitim i një statusi dhe page të pamerituar. Fatkeqësisht herë pas here bëhen denoncime të plagjiaturës, por organet vlerësuese të këtyre rasteve, si p.sh., Këshilli i Etikës, nuk i merr në shqyrtim”,– tha Qori për Citizens.

Arlind Qori, pedagog

Sipas tij, kjo ndodh pasi janë konsoliduar marrëdhëniet klienteliste mes drejtuesve universitarë dhe trupës akademike.

“Në këto kushte, ata mbulojnë shkeljet e njëri-tjetrit dhe rregullojnë informalisht shpërndarjen e privilegjeve”,-deklaron Arlind Qori.

Për Endri Shabanin, pedagog dhe studiues, në kushtet në të cilat ndodhet sistemi universitar në vend, plagjiatura është një nga mëkatet më të vogla.

“Plagjiatura tregon se ata janë njerëz që janë ngjitur në pozicione drejtuese pa e merituar nga pikëpamja akademike. Ata janë njerëz të cilët duhet të shkojnë në burg. Pra, abuzojnë me fondet publike, të cilat janë për universitetet publike shqiptare. Janë për studentët, janë për këto institucione që praktikisht përgatisin inxhinierët, gazetarët, mjekët, profesionistët e rinj”,-u shpreh Shabani për Citizens.

Endri Shabani, pedagog

Sipas tij, në vend është bllokuar progresi i institucionit.

“Këtu në Shqipëri universitetet publike janë zaptuar nga një grup njerëzish, të cilët janë të lidhur me politikën, por në disa raste edhe me grupe kriminale që kanë kapur sistemin nga lart-poshtë. Një pjesë shesin vendet e punës për pedagogë. E kupton se çfarë mund ti bësh universitetit kur vendi shitet, është ai që blen atë vend punë që fillon të shesë provimet”,-deklaroi Shabani.

Shabani argumenton se plagjiatura është problem serioz në një ambient akademik, por në një ambient të tillë të kriminalizuar nuk ka kuptim.

“Plagjiatura është problem në Angli, ku shoqëria atje nuk e mendon dot që dekani i universitetit të ketë lidhje me grupet kriminale. Për shembull, universiteti i Elbasanit paguan më shumë para për të mbrojtur nga pikëpamja e përqindjes së buxhetit të universitetit seç paguan Shqipëria për të marrë pjesë në NATO. Universiteti i Tiranës paguan më shumë para për të mbajtur gardhin rreth e përqark seç i duhet SHBA-së për të mirëmbajtur gardhin që mban SHBA-në me Meksikën”.

A ka zgjidhje?

Sipas pedagogut Arlind Qori dhe njëkohësisht përfaqësues i Lëvizjes Bashkë, problemi kërkon dy hapa të guximshëm.

“Së pari, ndryshimin me themeli të ligjit të arsimit të lartë, duke rritur peshën e votës dhe ndikimit të studentëve në strukturat drejtuese të universitetit. Së dyti, plagjiatura duhet shpallur me ligj cenim i rëndë i etikës akademike. dhe kur them plagjiatura e kam fjalën për çdo fjali të vjedhur apo të pacituar qëllimisht në punimet shkencore e pedagogjike. Si shkelje e rëndë, e provuar nga një këshill etike vërtet i pavarur dhe kompetent, masa që duhet marrë ndaj plagjiatorëve është minimalisht heqja e gradës shkencore ose titullit akademik”,- deklaroi Qori.

Sipas tij, të gjitha këto ndryshime vijnë vetëm nëse kemi një ligj të ri të arsimit të lartë.

“Jo si aktuali që sheh me përparësi fitimet e pronarëve të universiteteve private dhe privilegjet e bajraktarëve të universiteteve publike”,-përfundon Qori.

Për Endri Shabanin kjo situatë ka ardhur nga kapja lart-poshtë, pasi për pushtetin rreziku më i madh janë studentët e lirë. Ndaj, duke qenë edhe përfaqësues i një nisme politike sikurse “Nisma Thurje”, një ndër propozimet që do të dërgojnë në Kuvend në të ardhmen është kufizimi i mandatit të rektorit.

“Nuk mund të jesh rektor dhe dekan më shumë se sa një mandat. Unë kam parë se si ziheshin njerëzit në Oxford për të mos u bërë shef departamenti, sepse nëse ti bëhesh shef departamenti ti nuk ke kohë për tu marrë me kërkim shkencor. Në Shqipëri unë kam parë se si kacafyten për tu bërë shef departamenti.  Ti kupton që këtu qëllimi nuk është akademik, një pjesë e tyre janë biznesmenë, por nga ata biznesmenët që nuk i sjellin asgjë shoqërisë”.

Shabani argumenton se po ashtu më e rëndësishmja është edhe fuqizimi i studentëve.

“Ai që e vuan gjithë këtë strukturë është studenti. Pa fuqizuar studentin është e pamundur të reformojmë arsimin”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *