Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

”TEC fosil largohu” – thirrja e protestuesve në Portin e Vlorës

Një grup aktivistësh mjedisorë dhe ekspertësh shpalosën dje në Portin e Peshkimit të Vlorës banderolën:”TEC fosil largohu”.

“Në 1 janar ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike”- shprehej Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku më gusht të 2022.

Edhe pse këto dy anije u ankoruan në port përpara dy vitesh, deri më sot ato nuk janë ndezur asnjë ditë.

“Vlora ka diell, ka ujë, ka gjithçka! Perse ne duhet të sjellim hekurishtet e Bangladeshit, kur mund të kishte të tjera versione për energjinë që mund të jetë energji e diellit dhe e rinovueshme?” – ngre pyetjen inxhinieria hidroteknike Laureta Petoshati.

Me pretendimin se do të na shpëtonin nga kriza energjitike që nuk ndodhi kurrë, ajo që nuk do të shpëtojë është qeveria shqiptare, e cila, ndizen apo jo këto TEC-e do të duhet të paguajë rreth 46 milionë dollarë për qiranë e dy anijeve.

Sa i përket kësaj pagese për qiranë e dy anijeve, KESH tha: “zbatimi i kontratës mes palëve, për periudhën 2 vjeçare, fillon vetëm pas realizimit me sukses të komisionimit të njësive gjeneruese, moment ky nga i cili fillojnë edhe detyrimet financiare për palën KESH sh.a”. Por KESH përmbyll se aktualisht nuk është realizuar asnjë pagesë për qira e mirëmbajtje.

Kontrata parashikon që qiradhënësi konsorciumi Excelerate Energy + Renco paguhet me 94 000 euro në ditë për shërbimin e prodhimit të energjisë.

Përveç kostos së qirasë, ambientalistët ngrenë alarmin se edhe në rast demontimi, kostoja do të jetë shumë e lartë.

“Anijet turistike që nisen për Sazan, për Karaburun janë ngjeshur aty për arsye se i kanë zënë hapësirën kjo gërdalla këtu, që normalisht do një kosto jo të vogël, rreth 2 – 3 milionë euro që të demontohet” – analizon ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Qytetarët mbeten të paqartë për shumë pikëpyetje që ngre kjo sipërmarrje.

“Nuk është marrë në konsideratë se në ç’gjendje teknologjike janë këto dy anije? Nuk janë marrë në konsideratë se cila është kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga këto dy anije dhe sa është çmimi i energjisë në treg?” – shprehet për Citizens eksperti i mjedisit Niko Dumani.

Të paqartë janë edhe antarët e këshillit bashkiak, të cilët iu bashkuan protestës së djeshme, duke pretenduar se nuk kanë asnjë përgjigjë për kërkesat që i kanë dërguar bashkisë.

“Kemi të drejtë të pyesim çfarë bëhet në territorin tonë, të bashkisë sonë, çfarë është kjo sipërmarrje, deri kur ka arritur ky projekt” – thekson Klodian Xhyheri nga lëvizja “Mundësia”.

Por dy TEC-et lundruese nuk janë të vetmit që nuk janë funksional në atë port. Përballë tyre është i vendosur një tjetër TEC, i cili është ndërtuar në vitin 2011 e gjithashtu nuk është ndezur asnjë ditë të vetme.

“Nuk ka filluar ende nga puna dhe ka kushtuar 106 milionë dollarë dhe paguhet çdo vit rreth shtatë milionë për stand by, për ta mbajtur në punë. Nuk ka filluar ende nga puna. Është një varr i hapur për nja 50 hektarë pyll të prerë” – përfundon për Citizens, aktivisti Gëzim Zilja.

Por rezistenca e mjedisorëve nuk është kufizuar vetëm me terrenin pasi në gusht të 2022 qytetarët dhe organizatat e dërguan çështjen e TEC – eve lundruese në gjykatë, çështje e cila mbetet ende në proces.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *