Citizens.al

“Taksa më e lartë e dy dekadave”, protestë kundër rritjes së tatimit mbi profesionet e lira

“Protestojmë për profesionet e lira”, “protestojmë për taksën më të lartë të dy dekadave” ishin thirrjet që publikoi emisioni investigativ “Piranjat”. Thirrjes iu përgjigjën qindra qytetarë dhe profesionistë të lirë, të cilët u mblodhën dje përpara Gjykatës Kushtetuese. Ata kundërshtuan rritjen e tatimit mbi profesionet e lira.

E veçanta e kësaj proteste ishte se për herë të parë në shumë vite, të gjitha forcat opozitare u bënë së bashku për të mbështetur kauzën.

“Pse mos të sulmojmë ne shtresën e mesme? Pse mos ti sulmojmë intelektualët? Sepse janë ata që kanë dijen, që janë profesionistët e vërtetë të këtij vendi dhe janë ata të cilët nesër mund të na kundërshtojnë më shumë se kushdo tjetër vendimet tona autokratë” – tha gjatë fjalës së saj përfaqësuesja e lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Edlira Çepani.

Që nga 1 janari i këtij viti, rreth 17 mijë profesionistë të lirë dhe të vetëpunësuar në Shqipëri do të tatohen 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimet mbi këtë shumë.

Fillimisht u tha se shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke ulur një referencë prej 30% që janë shpenzime të zbritshme, mbi fitimin e gjeneruar. Profesionistët e lirë kanë ngritur shqetësimin se ligji nuk po zbatohet në mënyrë korrekte, pasi nuk po aplikohet kjo zbritje.

“Sot ka mjekë që paguajnë 500 euro tatim fitim çdo muaj, u hiqet një rrogë, ka avokat që paguajnë një mijë euro tatim fitimi, edhe më tepër, kjo është ta çosh shtresën e mesme drejt falimentit” – u shpreh gjatë fjalës së tij logopedi Erges Eskiu.

Protestuesit denoncuan se këta para të mbledhura nga tatimi i shtuar nuk do të shkojnë për shërbime për qytetarët, as për pensione, as për shërbimet spitalore apo për ndihmat ekonomike.

“Ku shkojnë këto para? Po kemi 11 koncesione, prej 14.3 miliardë lekësh që do ti paguhen edhe inceneratorëve, edhe koncesioneve për sterilizimin” – theksoi Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë.

Deputeti socialist Erion Braçe mendon se ligji për tatimin e profesioneve të lira nuk është i gabuar.

“Kush janë këta? Duan të ikin në Kosovë? Po patjetër të ikin, se ua mat kokën me pe ai atje matanë”, – deklaroi deputeti Braçe nga salla e parlamentit, duke iu referuar Albin Kurtit.

Eraldo Harlicaj nga emisioni “Piranjat” kërkoi pikërisht të kundërtën: që të mos largohen!

“Lutja ime është shumë e thjeshtë, ju lutem mos u largoni dhe ju se n.q.s. largoheni dhe ju, duke përfshirë dhe rreth një milion shqiptarë të tjerë që janë larguar në vitet e fundit, atëherë ku do të shkojmë”- tha ai.

Më 18 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë tre paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” .

“Uroj shumë që kjo gjykatë ta dëgjoj zërin e të gjithë shtresave që kanë paraqitur një kërkesë përfshirë dhe atë të forcave politike, sepse vërtetë profesionistët e lirë nuk meritojnë të trajtohen në këtë mënyrë të diskriminuar”- përfundoi juristi Bledar Dervishi.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW